Luftëtarët e kthyer në Kosovë nga vatrat e luftërave në Siri e Irak, mund të paraqesin sfidë serioze për sigurinë, madje edhe nëse tashmë janë nëpër burgje.
Një konstatim të tillë e ka dhënë Komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo, me të cilin pajtohen edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.
“Siguria në Kosovë mbetet e brishtë dhe mjaftë e paqëndrueshme”, ka vlerësuar komandanti i forcës paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë. Gjatë një fjalimi në Bruksel, ai ka thënë se ka shumë rrethana që mund të prodhojnë dhunë.
“Në Kosovë çdo ditë ballafaqohemi me sfida politike e acarime multietnike, pastaj ato të ekstremizmit fetar, probleme të refugjatëve e të migrantëve, si dhe me ndikimin rus”, ka vlerësuar komandanti i KFOR-it.
“Muajt e ardhshëm do të shohim se disa luftëtarë, pjesëmarrës në luftërat e huaja, do t’i përfundojnë dënimet e tyre nëpër burgje dhe do të kthehen në shoqëri, çka mund të jetë mjaftë sfiduese”, ka thënë komandanti i KFOR-it.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë ne largim të Kosovës, Valdet Hoxha, tha se Komandanti i KFOR-it, me të drejtë i ka ngritur këto shqetësime.
Në fillim institucionet e Kosovës janë ballafaquar me sfidën e shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja në Siri e Irak, një dukuri kjo e cila sipas Hoxhës është stopuar pas disa veprime të ndërmarra.
Kurse tash, sfidë mbetet deradikalizimi dhe ri-integrimi i këtyre personave, që njihen edhe me termin “luftëtarët e huaj”, ndonëse ata do të ballafaqohen edhe me drejtësinë për veprimet e tyre.
“Me të drejtë kemi konstatimin që pas një kohe mund të kemi të liruarin e parë apo të liruarit e parë për veprat që i përkasin terrorizmit. Prandaj, ne e kemi orientuar strategjinë tonë, ndërveprimin tonë, fillimisht të ndërtimit të disa dokumenteve që i japin drejtim trajtimit të këtyre personave, por pa lënë anash edhe familjet e tyre”, ka thënë Hoxha.
Institucionet e Kosovës kanë një strategji për deradikalizim dhe ri-integrim. Ato po ndihmohen nga ICITAP-i, (Programi Ndërkombëtar i Asistencës për Trajnime në Hetimet Kriminale) në lidhje me trajtimin e personave të përfshirë në aktivitete radikale apo edhe terroriste.
Qëllimi i strategjisë për integrimin e personave të përfshirë në aktivitete terroriste, sipas Valdet Hoxhës, është që ata të ri-integrohen në familje e shoqëri, ngase shumica prej tyre, nënvizon ai, tashmë kanë deklaruar se janë penduar.
Një pilot-projekt i strategjisë është zbatuar në komunën e Gjilanit, thotë zëvendësministri Hoxha. Sipas tij, rezultatet e para janë pozitive.
“Ka edhe disa raste konkrete të cilat qysh në fazën e parë kur janë vërejtur disa elemente të ekstremizmit dhe radikalizmit tek disa të rinj, janë lajmëruar organet kompetente, janë trajtuar personat e tillë dhe kështu i kemi shpëtuar radikalizmit të mëtejmë të tyre dhe të keqes më të madhe që do të mund të ndodhte po të mos ishte ky mekanizëm, pra këta qytetarë do të mund të përfundonin në luftërat e Lindjes së Mesme”, tha Hoxha.
Ndërkohë, Burim Ramadani, nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë thotë se institucionet dhe shoqëria në Kosovë janë angazhuar në aspektet e parandalimit dhe luftimin e radikalizmit, kurse u mungon përvoja në programet tjera të de-radikalizimit, rehabilitimit dhe ri-integrimit.
“Institucionet e Kosovës kanë kohë, maksimalisht deri në prill të vitit 2018, që të vendosin në zbatim një program të veçantë për de-radikalizim dhe ri-integrim, sepse në prill të vitit 2018, pritet që i dënuari i parë ta përfundojë dënimin dhe të kthehet në jetën shoqërore”, tha Ramadani.
Në bazë të shifrave aktuale, nënvizon Ramadani, për përfshirje apo bashkëveprim në aktivitete terroriste, janë dënuar 50 qytetarë të Kosovës, kurse ndaj 34 personave po zhvillohen procedura gjyqësore. Ndërkaq, nën hetime, janë 131 persona.
Një fenomen tjetër që ka përcjellë shtimin e rrezikut nga përhapja e radikalizmit dhe ekstremizmit ishte shtrirja e këtyre dukurive nëpër burgjet e Kosovës.
Ministri në largim i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, kishte deklaruar se të radikalizuar janë jo vetëm ish-luftëtarët e luftërave të huaja, por edhe të burgosur tjerë.
Ndërkohë që Radio Evropa e Lirë kishte raportuar edhe për fenomenin e përhapjes së literaturës islame nëpër burgje, për çka më pas patën reaguar institucionet duke ndërmarrë veprime në drejtim të pengimit të shtrirjes së radikalizmit nëpër burgje.
Gjatë vitit 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë u ka shqiptuar dënime 31 personave për pjesëmarrje në aktivitete terroriste. Vetëm gjatë janarit të këtij viti, shtatë persona janë dënuar me gjithsej 18 vjet e gjysmë burgim.
Të dënuar janë edhe ish-imamë të Kosovës, siç ishte rasti me Zeqirja Qazimin, i dënuar me 10 vjet burg.
Në kuadër të luftimit të terrorizmit dhe radikalizmit, Kuvendi i Kosovës pati nxjerrë dhe një ligj i cili e sanksionon pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja, duke paraparë edhe dënime të rrepta deri në 15 vite heqje lirie.
Së paku, 300 shtetas të Kosovës kanë marrë pjesë në konfliktet e huaja në Siri dhe Irak, të pozicionuar në anën e organizatave të shpallura terroriste, siç është i ashtuquajturi Shteti Islamik dhe Al-Nusra.
Një numër prej tyre, kanë humbur dhe jetën e tyre në këto vatra.
Strukturat e sigurisë në vend kanë theksuar se në fushëbetejat e huaja janë duke qëndruar ende 140 persona, në mesin e të cilëve ka edhe gra dhe fëmijë. Nga këto vende të luftës, në Kosovë tashmë janë kthyer 100 persona.