Pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok, misioni i KFOR-it ka njoftuar se ka rritur masat e sigurisë për ta mbrojtur infrastrukturën kritike në rajon.
“Komanda Rajonale Lindje (RC-E) mbetet e përgatitur për të ofruar mbështetje të sigurisë, logjistike dhe inxhinierike për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
KFOR-i përsëriti se vazhdon ta zbatojë mandatin – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Më 29 nëntor, një sulm me 15 kilogramë eksplozivë shkaktoi shpërthim të madh në kanalin e Ibër-Lepencit, për të cilin institucionet e Kosovës e kanë fajësuar direkt Serbinë. Ndërkombëtarët gjithashtu kanë dënuar sulmin, duke kërkuar që autorët të nxirren para drejtësisë.
Për shpërthimin deri tash janë dy serbë në paraburgim.
Para shpërthimit në kanalin e ujit, në veri të Kosovës ishin regjistruar edhe dy incidente me mjete shpërthyese.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.