Njësitë e Misionit Paqeruajtës, KFOR kanë arritur në zonën neutrale në mes kufirit të Kosovës dhe Serbisë, ku gjithashtu po qëndron edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.
Në disa fotografi të publikuara së fundi shihen ushtarët amerikanë, polakë dhe kanadezë duke patrulluar.Ndryshe më parë është raportuar për një ndërhyrje e mundshme e KFOR-it në veri pas situatës së krijuar së fundi në veriun e vendit.
Por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media deklaroi se nuk posedon informacione për një gjë të tillë.
“Ne diskutuam me gjeneralin Federici, komandantin e përgjithshëm të KFOR-it për situatën e sigurisë meqenëse ne i kemi policët tanë atje dhe ata e bëjnë vlerësimin e situatës. Vendimet që ne i marrim nuk janë të pastra politike, madje përmbajtja e tyre është shumë profesionale e sigurisë. Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës dhe ministri i Brendshëm nuk marrim vendime pa vlerësimet që na vinë nga Policia e Kosovës mbi rrethanat në të cilat ata ndodhen atje dhe ne shkëmbejmë informacionin me KFOR-in sepse jemi më shumë të pranishëm se edhe vetë KFOR-i. Unë nuk kam një informacion të tillë të përgatitjes së hyrjes së KFOR-it. Kam biseduar dje edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg edhe me zv/Presidentin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesin për Politikë të Jashtme dhe zotin Borell”, ka deklaruar ai.