KFOR-i përveç misionit të tij për ruajtjen e paqes dhe stabilitetin, vazhdon edhe misionin human duke ndihmuar familjet skamnore në rajone të ndryshme të Kosovës.
Një aksion i tillë bamirës nga KFOR-i gjerman është ndërmarr sot në rajonin e Vitisë, ku u ndihmuan me gjëra ushqimore, higjienike dhe veshmbathje 30 familje që jetojnë në gjendje të rëndë sociale.
Ky aksion i KFOR-it është bërë në bashkëpunim me shoqatën bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, e cila tash e disa ditë po realizon aksione në mbarë vendin për t’iu dalë në ndihmë familjeve nevojtare.
Drejtori i kësaj shoqate, Halil Kastrati ka thënë për Ekonomia Online, se KFOR-i shpesh u bashkëngjitet aktiviteteve bamirëse, dhe në këtë rast ka qenë edhe donatorë kryesor.
“Neve shpesh na bashkëngjiten në aktivitet bamirëse pjesëtarët e KFOR-it gjerman të cilët janë në Prizren. Ne i falënderojmë shumë për vullnetin dhe gatishmërinë e tyre që të na përkrahin në aktivitete të tilla”, ka thënë Kastrati.
Familjet që përfituan nga ky aksion janë përzgjedhur në bashkëpunim me organet kompetente komunale të Vitisë.