Ushqime të ndryshme mund të çojnë në shfaqjen e reaksioneve të caktuara alergjike në organizëm. Format e shfaqjes së këtyre alergjive mund të jenë nga më të lehtat, e deri tek ato më të rënduarat.
Doktoresha Mira Xhixha është bërë pjesë e emisionit shëndetësor ‘Diagnozë’ nga Freskida Miloti për të treguar disa prej ushqime që shkaktojnë alergji.
“Që në vitin 2007, është parë që alergjia që nga ushqimet, sidomos në vendet perëndimore është bërë një problem i madh dhe mund të quhet si epidemi.
Në vendet perëndimore, në vendet e industrializuara shfaqen shpesh këto sëmundje që vijnë nga ushqimet.
Ushqimet më të akuzuara janë: qumështi, shprehen më shumë tek fëmijët, veza, mielli, soja, kikirikët, peshku dhe frutat e detit.
Janë alergji që mund të shprehen që në vitin e parë të jetës që mund të ndodhë nga shkëputja e qumështit të gjirit”, ka thënë Xhixha.
Doktoresha foli dhe për simptomat që shkakton tek fëmijët duke shpjeguar që me kalimin e moshës, alergjia zhduket plotësisht.
“Varet nga mosha dhe forma. Shfaqen me simptoma të lehta apo të rënda. Mund të ketë të përziera të shpeshta, dhimbje barku, nuk shton në peshë apo mund të ketë simptoma në lëkurë.
Gjithcka varet në mënyrën si reagon organizmi. Por me rritjen e fëmijës, alergjia fillon e zbutet dhe kalon. Në shumicën më të madhe të fëmijëve, në moshën 5-6 vjeç kalon përfundimisht”, ka thënë ajo.