Norma e vrasjeve në raport me popullsinë në vendin tonë gjatë vitit 2016 shënoi 2,5 vrasje për 100 mijë banorë. Teksa kjo shifër është e krahasueshme me disa vende të Europës dhe më mirë se disa vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në rang qarqesh ka luhatje të mëdha të kësaj norme.
Qarku i Lezhës paraqet normën më të lartë me 6,2 vrasje për 100 mijë banorë. Edhe qarku i Vlorës është lehtësisht poshtë shifrës së 6 vrasjeve për 100 mijë banorë. Statistika të tilla janë të krahasueshme me ato të vendeve si Somalia, Kenia apo Kameruni. Mbi mesataren e vendit renditet edhe Gjirokastra e Shkodra, ndërsa si qarqet më të sigurta paraqiten Durrësi dhe Dibra.
Pasiguria në qarqet e Lezhës dhe Vlorës mbështeten edhe nga norma e autorëve të veprave penale sipas numrit të popullsisë. Së bashku me Tiranën, këto tre qarqe kanë përqindjet më të larta të individëve që kanë kryer vepra të ndryshme penale gjatë vitit 2016. Lezha ka normën e 137,7 autorëve për 10 mijë banorë, ndjekur nga kryeqyteti me 137,3 autorë dhe Vlora me 122,9 autorë për 10 mijë banorë.
Teksa në Tiranë, kjo shifër ka pësuar një përmirësim me 6.6% nga viti në vit, Vlora dhe Lezha kanë përmirësimin më të dobët në të gjithë vendin. Qarku që ka shënuar ndryshimin më të madh është Gjirokastra, ku numri i autorëve është ulur me ¼.
Sa i takon të burgosurve, Lezha bie në sy duke u shkëputur ndjeshëm në grakun e normës së personave me heqje lirie në raport me popullsinë. Ky qark numëron 760 të burgosur, shifër e krahasueshme me qarqe shumë më të mëdha si Durrësi (783 të burgosur).
Me 58,6 të burgosur për 10 mijë banorë, Lezha, nëse do të ishte shtet më vete do të renditej e treta për numër të burgosurish pas Seychelles dhe SHBA. Në rang kombëtar, regjistrohen 5946 të burgosur, ose 20,7 të burgosur për 10 mijë banorë, ndërsa qarqet që paraqiten më mirë në këtë tregues janë Shkodra, Tirana, Kukësi dhe Dibra. Sa i takon një tjetër vepre penale, Tirana regjistron 35,2% të numrit total të rasteve të raportuar për dhunë në familje.