Këto janë katër marrëveshjet që u nënshkruan sot në “Ballkanin e Hapur”

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, në kuadër të “Ballkanit të Hapur” kanë nënshkruar katër marrëveshje të bashkëpunimit sot në Ohër.

Tri shtetet nismëtare të “Ballkanit të Hapur” kanë nënshkruar marrëveshjen për luftën kundër evazionit fiskal, njohjen e diplomave të arsimit të lartë, bashkëpunimin kulturor dhe bashkëpunimin në fushën e turizmit.

Muaj më parë tri shtetet kanë nënshkruar edhe disa marrëveshje të tjera që sipas tyre lehtësojnë barrierat tregtare.

Në Samitin e Ballkanit të hapur u firmosën disa marrëveshje bashkëpunimi mes vendeve, në fushën e arsimit, kulturës, turizmit dhe administratës tatimore, si më poshtë:

-Marrëveshje për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor në fushën e njohjes reciproke të diplomave dhe gradave shkencore të lëshuara në institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera të autorizuara.

-Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunimin kulturor në Ballkanin Perëndimor.

-Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunimin në fushën e turizmit në Ballkanin Perëndimor.

-Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunimin e administratave tatimore në Ballkanin Perëndimor.

Ndryshe është Kosova ajo që ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë samit.

Përmes një letre, ditë më parë kryeministri Albin Kurti refuzoi ftesën për të qenë pjesë e këtij samiti në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Përpos kësaj, Kurti shpesh herë është deklaruar kategorikisht kundër kësaj nisme.

E në ditën e dytë të këtij samiti, që u zhvillua sot lidhur me Ballkanin e Hapur janë deklaruar edhe pjesëmarrësit apo drejtuesit e shteteve të lartcekura.

Këtë herë pjesë e samitit ishin edhe Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

Madje kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq tha se shpreson që herën tjetër pjesë e këtij samiti të jetë edhe shteti i Kosovës.

Kurse emisari amerikan, Gabriel Escobar në një lidhje direkte që pati në këtë samit deklaroi se SHBA përkrah këtë iniciative, që sipas tij është e shkëlqyeshme për Ballkanin, por tha se duhet të mbetet samit ekonomik, e jo politik.