Debatet kanë tendencën gjithmonë të lënë një shije jo të mirë për personat që janë të përfshirë në të, por kur ky i fundit ndodh mes një prindi dhe fëmijës në moshë të vogël ose adoleshent, atëherë situata bëhet serioze. Në mërzitje e sipër mund të thuhen fjalë të cilat ju mund të mos i mbani mend, mirëpo fëmijës suaj i kanë mbetur në mendje dhe rrjedhimisht mund të ndikojë në marrëdhëniet tuaja.
Gjetja e një mënyre për të qetësuar tensionin e një bisede qëndron pikërisht te maturia e menaxhimit të debatit dhe te zgjedhja e fjalëve të duhura.
Sipas Psychology Today, janë tri fraza të cilat prindërit i përdorin shpesh, por që nuk i duhen thënë asnjëherë një fëmije, në vend të tyre ka disa alternativa të përshtatshme që nuk kanë për të shkaktuar tek të vegjlit ndjenjën e turpit, frikës ose fajit.
“Ti po më çmend”
Në vend që të përdorësh këtë frazë për të treguar fajtorin, për të motivuar një fëmijë, thuaj: “Nuk më pëlqen kjo sjellje”. Përpiqu t’u tregosh atyre pse një sjellje nuk është e mirë dhe shpjegoji hapat për ta ndryshuar atë. Ndihmoji fëmijët të kuptojnë se ajo që po bëjnë nuk është më e mira, por pa i lënë të ndihen plotësisht përgjegjës për gjendjen tënde mendore apo emocionale.
“Çfarë po ndodh me ty?”
Kjo është një frazë që i bën fëmijët t’u vijë zor nga vetja. Dhe ndërsa ata rriten, i bën që të dyshojnë në aftësitë apo mendimet e tyre. Në vend që të përdorësh fraza të tilla, përpiqu të flasësh në një formë tjetër: “Nuk më pëlqen kur ti…. “ Kjo do t’i bëjë ata të kuptojnë se aftësitë e tyre mund t’i përdorin më mirë. Dhe mund të ndryshojnë.
“Duhet ta bësh më mirë ___ ose diçka tjetër”
Kjo shprehje u fut frikën fëmijëve dhe i detyron ata të ndryshojë, i mëson të marrin atë që duan përmes frikës dhe agresionit. Një alternativë më e mirë që ata të mos i bëjnë gjërat me frikë është: “Kur ti ___, ndihem ___.” Kjo i jep fëmijës një shans për të ndryshuar sjelljen.
~Foleza Jeshile