Pas emërimit të David Schwediman-it në krye të Prokurorisë Speciale, pritet që aktakuzat e para të ngrihen në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm
Aktakuzat e para nga Gjykata Speciale për ish-eprorët e lartë të UÇK-së pritet të nisin në fund të këtij viti. Kështu kanë thënë për “Zërin” njohësit e çështjeve juridike dhe politike në vend, pak ditë pas emërimit të David Schwediman-it në krye të Prokurorisë Speciale.
Ndërkohë edhe Qeveria ka konfirmuar se ka ofruar gjithë bashkëpunimin e saj rreth kësaj çështjeje. Gjykata Speciale do të hetojë krimet të cilat dyshohet se janë bërë në periudhën 1999-2000 nga ish-pjesëtarët e UÇK-së kundër minoriteteve etnike dhe kundërshtarëve politikë.
Siç edhe dihet tashmë, Dhomat e Specializuara janë vendosur në Hagë, pas marrëveshjes së Bashkimit Evropian me Kosovën dhe autoritetet holandeze. Ndërkohë ajo që është e sigurt deri më tani është fakti se të dënuarit nuk do të vuajnë dënimin e tyre në Holandë, por as në Kosovë.