Avokati Tomë Gashi i ka bërë publik emrat e gjashtë të arrestuarve të sotëm për sulmin e 4 gushtit ndaj pjesë së jashtme të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Adea Batusha, Astrit Dehari, Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi dhe Petrit Ademi janë gjashtë të arrestuarit, e të cilët janë aktivistë të Vetëvendosjes.
Arrestimi i tyre është bërë në mëngjesin e sotëm në një aksion të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, i realizuar pas një hetimi intensiv lidhur me sulmin në fjalë.
Ndaj këtyre arrestimeve ka reaguar menjëherë Lëvizja Vetëvendosje, e cila, përmes një konference për media, ka thënë se aktivistët e saj janë të pafajshëm dhe se armët që u janë gjetur nëpër shtëpi nuk kanë asnjë ndërlidhje me sulmin në Kuvendin e Kosovës.
Prokuroria Speciale, përmes një komunikate për media, tha se ky hetim kompleks është trajtuar me teknika dhe masa të specializuara të hetimit dhe sot me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë është kryer kontrolli i 6 (gjashtë) lokacioneve në Prishtinë, ku janë arrestuar gjashtë të pandehur dhe janë shoqëruar dy persona tjerë.
Gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit, në cilësinë e provave materiale, janë sekuestruar: gjashtë armë zjarri, tre pushkë automatike, 2 revole, një karabinë, municion, si dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin.
Sendet e sekuestruara do të ekzaminohen nga ekspertët e fushave përkatëse.