Instituti Europian Pashko, pjesë e Iniciativës Europiane për Edukim (EEI) dhe Botimet Mapo, publikuan sot studimin për “super të pasurit” shqiptarë gjatë vitit 2016. Studimi që rendit 10 sipërmarrësit më të pasur në vend bazohet në analizën e të dhënave zyrtare sipas bilanceve të dorëzuara në QKB. Si rezultat i kësaj analize konkludohet në listën e ponderuar të top-10 më të pasurve të vendit.
Sipas Kryeredaktorit të gazetës Mapo, Arion Sulo, ky bashkëpunim vijon në vitin e 4-ët dhe është u ngjashëm me studimet ndërkombëtare për komunitetin e super të pasurve. Sipas tij, edhe në Shqipëri ky komunitet dhe dinamikat e tij, përfaqësojnë as më pak e as më shumë, por trendet e ekonomisë vendase dhe performancën e saj kundrejt kushteve aktuale.
Drejtori Ekzekutiv i IEP-së, Besart Kadia, tha se ky studim bëhet me qëllim përafrimin sa më të madh ndaj realitetit dhe duke u bazuar vetëm tek deklarimet e bilanceve në QKB dhe strukturat aksionmbajtëse, studimi për vitin që shkoi u zgjerua në analizën e 100 bizneseve më të mëdha me aksionmbajtës shqiptarë.
Sipas tij, Metodologjia e ndjekur është huazuar nga teknikat bashkëkohore nga Capgemini, KnightFrank, Wealth-X. Natyrisht, këto praktika ndërkombëtare janë përshtatur realitetit shqiptar, me qëllim që të kenë kuptim dhe të mund të jenë të aplikueshme dhe të lexueshme nga shumica.
Metodologjia e aplikuar kësaj here ka mbajtur parasysh dhe është bazuar në dy komponentë thelbësorë të deklarimeve në QKB: fitimin e realizuar dhe kapitalin neto.
Kapitali neto është konsideruar si baza e akumuluar ndër vite nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme ekonomike dhe konsolidimi akumulativ i përpjekjeve sipërmarrëse të bizneseve të 100 individëve të marrë në analizë.
Ndërsa fitimi i realizuar është indikatori thelbësor i dinamikës së performancës sipërmarrëse të këtij komuniteti gjatë vitit të kaluar. Nga ana tjetër, secilit komponent, gjatë analizës së bërë i është atashuar një peshë specifike e barazpeshuar prej 50% secilit, me qëllim identifikimin sa më të thjeshtuar dhe kuptimplotë të ecurisë së vetë komunitetit të super të pasurve në Shqipëri për vitin 2016.
Si rezultat i kësaj analize, konkludohet në listën e ponderuar të top-10 më të pasurve të vendit si më poshtë;
1-Samir Mane
2-Shefqet Kastrati
3-Vasil Naçi
4-Behar Çukaj
5-Tom Doshi
6-Rrok Gjoka
7-Grigor Joti
8-Idajet Ismailaj
9-Vilma Nushi
10-Pëllumb Salillari
Kadia theksoi se “natyrisht që, biznese që nuk kanë realizuar apo nuk kanë deklaruar fitim, kanë grumbulluar më pak pikë dhe rrjedhimisht kanë shënuar shumë më pak në renditjen e përgjithshme. Pa dyshim që analiza, për vetë sistemin e deklarimeve dhe defektet e mundshme në mbledhjen dhe pasqyrimin e të dhënave, mund të ketë një shkallë të caktuar mospërputhjeje me realitetin, shkak ky që mund të pasqyrohet në mungesën e disa emrave”.
Por, sipas tij, zgjerimi i bazës së marrë në analizë, përshtatja metodologjike dhe klasifikimi, kanë shërbyer dhe shërbejnë për të pasur një situatë sa më të përafërt me realitetin, gjithnjë tashmë të bazuar në të dhënat zyrtare.
Studimi sjell dhe një renditje të përgjithshme të ‘top-30’ sipas tabelës së mëposhtme, ku baza e përllogaritjes është ponderimi 50/50 Kapital Neto dhe Fitim i Realizuar.
Nga një analizë e thjeshtë empirike, vërehet se aktivitetet kryesore të tyre janë investimet, tregëtia e karburanteve dhe prodhim/distribucioni. Natyrisht, zëri investime shtrihet në fusha nga më të ndryshmet dhe është komponent kryesor përbërës edhe për sipërmarrësit e karburanteve.
Po kështu, renditja sipas performancës së ponderuar mes kapitalit neto dhe fitimit të realizuar ka konsoliduar për të dytin vit radhazi grupin e 4 sipërmarrësve të parë edhe për vitin e shkuar.
Ndërkohë që në top-10 futet vetëm 1 sipërmarrëse femër me predominancë të theksuar të sipërmarrësve meshkuj.