Kështu po lobon Serbia kundër Kosovës në UNESCO (Video)

Serbia vazhdon ta shfrytëzojë çdo mundësi që të lobojë kundër shtetit të Kosovës.

Veprimi i fundit i Serbisë në këtë vazhdë është fushata kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Shteti serb ka realizuar një dokumentar, i cili fillon me një krahasim të ulët në mes të ISIS-it dhe Kosovës në raport me shkatërrimin e trashëgimisë kulturore, shkruan lajmi.net.

Dokumentari u shfaq të premtën në mbrëmje në Paris para ambasadorëve të UNESCO-s dhe të tjerëve.

“Shteti i Kosovës, nga refuzimi më 2015, për afro dy vjet as edhe një fjalë apo veprim për anëtarësim në UNESCO”, thotë Hajrullah Çeku, aktivist i Shoqërisë Civile në Prizren.

Kohë të fundit në Serbi ka filluar një debat i brendshëm për “çështjen e Kosovës” i iniciuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Ky debat është parë si mundësi që Serbia të heqë dorë nga bllokadat që ia bën Kosovë në anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe UNESCO-n.

Megjithatë, ky dokumentar tregon edhe një herë që Serbia dhe pushtetarët atje nuk e kanë ndërmend të ndryshojnë kur bëhet fjalë për Kosovën, përkundrazi.