Kështjella Mamure në Turqi, dëshmi e civilizimeve të mëdha në Mesdhe

 Kështjella Mamure, një nga kështjellat më të mëdha të Turqisë e cila gjendet në provincën jugore Mersin në brigjet lindore të Mesdheut, është një nga pikat e vizituara të Turqisë për shkak të historisë së saj që përfshin shumë civilizime dhe pamjen e saj madhështore.

Më një sipërfaqe prej 23.500 metrash katrorë, kështjella është ndërtuar në shekullin e tretë ose katërt nga ana e romakëve për t’i vëzhguar rrugët tregtare të Mesdheut dhe Kilikisë.

Për shkak të pozitës së rëndësishme në aspektin e mbrojtjes, kështjella ishte objekt i rëndësishëm për shumë civilizime, duke filluar nga romakët e deri te karamanitët. Ndonëse ishte sulmuar disa herë, kështjella u riparua gjatë periudhës së Mbretërisë Armene të Kilikisë në shekullin e 12-të.

Në vitin 1221, kështjella u mor nën kontroll nga sulltani selçuk Alaaddin Keykubat, ndërsa më pas nga njësitë e krishtera në rajon pas dobësimit të selçukëve.

Dinastia karamanite me në krye Mahmut Beun rrethoi kështjellën dhe në shekullin e 14-të, kështjella u rimor nën kontroll, ndërsa pas riparimit, ajo mori emrin “Mamure”. Mahmut Beu ndërtoi xhaminë e vetme njëminarëshe brenda mureve, e cila ka shërbyer për qindra vite.

Më pas, kështjella madhështore u shqua për vite të tëra si një nga kështjellat më të rëndësishme të Shtetit Osman.

Mamure është një nga kështjellat më të mëdha të ruajtura deri më sot që nga Mesjeta, e cila me pamjen pranë detit, 39 kullat e saj, dhomat e saj, pikat e shigjetarëve, sternat dhe mbetjet e hamamit tërheq vizitorë të shumtë.

Kështjella bart rëndësi të madhe edhe nga aspekti arkeologjik, pasi në vete ngërthen arkitektura të ndryshme, duke përfshirë atë të romakëve, bizantinëve, selçukëve, karamanitëve dhe osmanëve. Për këtë arsye, kështjella nga viti 2012 gjendet në Listën e Përkohshme të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe aktualisht është e mbyllur për vizita për shkak të restaurimit. Megjithatë, kjo nuk i ka ndaluar vizitorët që të vijnë dhe ta shohin dhe fotografojnë atë nga jashtë.

Fatma Yurtyapan, në nga vizitoret, tha për Anadolu Agency (AA) se kështjella duket shumë e bukur nga jashtë dhe është e ruajtur mirë.

“Edhe riparimi është bërë mirë. Duket e mirë nga jashtë, por nuk arritëm ta shohim brendinë. Pamja e detit ngjall emocione”, tha Yurtyapan.

Ndërkaq, Yeliz Yeni, një vizitore tjetër, tha se është emocionuar kur e ka parë kështjellën, duke shtuar se ka admirim për pamjen dhe pozitën e saj.

Po ashtu, Ayfer Ateş u shpreh se kështjella është më e madhe nga ajo që kishte pritur të shihte.

“Kështjella është shumë e bukur, e mrekullueshme. Unë shëtis shumë, kam parë shumë vende, por mund të them se kjo është kështjella më e madhe që kam parë. Është shumë e bukur ndërthurja e kështjellës me detin”, tha Ateş për AA.