Këshilltari i lartë i Bidenit: SHBA-ja po punon për të ndalur konfliktin në Liban

Amos Hochstein

Këshilltari i lartë i presidentit të SHBA-së Joe Biden, Amos Hochstein deklaroi se vendi i tij dëshiron që konflikti i vazhdueshëm në Liban të ndalet sa më shpejt të jetë e mundur dhe po punon në këtë drejtim, transmeton Anadolu.

Hochstein, i cili vizitoi Libanin, mbajti konferencë për media pas takimit të tij me kryetarin e parlamentit, Nebih Berri në kryeqytetin Bejrut.

“Pavarësisht vizitave të mia, ne nuk mund ta vinim nën kontroll konfliktin në Liban. Muaj më parë, unë paralajmërova se çështjet duhet të zgjidhen dhe konflikti i vazhdueshëm midis Libanit dhe Izraelit duhet të përfundojë, por situata ka dalë jashtë kontrollit. Nuk është në interesin e libanezëve ta lidhin të ardhmen e Libanit me konfliktet”, tha Hochstein.

Ai potencoi domosdoshmërinë e zbatimit të rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB). “Washingtoni dëshiron ta ndalë këtë konflikt sa më shpejt të jetë e mundur dhe po punon me shtetin libanez dhe qeverinë izraelite për ta arritur këtë”, tha Hochstein.

Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështesë Libanin dhe të ndihmojë në rindërtimin e tij pas shkatërrimit.

Kryetari i Parlamentit libanez, Berri tha se takimi shkoi mirë dhe do të nxirren mësime nga rezultatet e tij.

– Hochstein u takua edhe me kryeministrin libanez Mikati

Në kuadër të vizitës së tij në Liban, Hochstein është takuar edhe me kryeministrin, Najib Mikati.

Ende nuk është dhënë asnjë deklaratë në lidhje me takimin.