Këshilli i Mandateve shtyn mbledhjen për imunitetin e ish-ministrit Tahiri

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i Kuvendit të Shqipërisë ka shtyrë për ditën e nesërme shqyrtimin përsëri dhe mbledhjen rreth kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, në kudër të një hetimi ndaj tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë mbledhjes së sotme që zgjati disa orë, prokurorët i janë përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të Këshillit si dhe të ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri, i cili në këtë seancë shoqërohej nga avokati i tij.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i drejtuar nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, vendosi shtyrjen për ditën e nesërme të mbledhjes rreth kërkesës për heqjen e imunitetit për deputetin e Partisë Socialiste dhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda konfirmoi dje se po zhvillon hetime, në bashkëpunim me autoritetet italiane, për një grup kriminal, i cili ka trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike kanabis sativa nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

“Në bazë të të dhënave të përftuara në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dhënien e autorizimit për ‘arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal të banesës’ për deputetin Saimir Tahiri”, konfirmoi dje zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë.

Saimir Tahiri ka mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë gjatë mandatit të parë të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama, në periudhën shtator 2013-maj 2017.