Këshilli Kombëtar Palestinez i bën thirrje OKB-së të ndalë aktet e Izraelit në Al-Aksa

Këshilli Kombëtar Palestinez i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS i OKB) për të bllokuar veprimin që organizatat hebraike të ekstremit të djathtë planifikojnë të mbajnë sot në Jerusalem në emër të një “marshimi të flamurit”.

Në një deklaratë me shkrim të lëshuar nga zyra e Këshillit nën ombrellën e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) në Aman të Jordanisë thuhet: “Këmbëngulja izraelite në këtë marshim është një thirrje për të vazhduar sulmet dhe aktet e terrorizmit kundër popullit palestinez në Jerusalem dhe vendet e shenjta të islamit dhe krishterimit.”

“Detyra e parë e qeverisë së re izraelite, e udhëhequr nga Naftali Bennett, mbështetësi kryesor i vendbanimeve hebraike dhe një nga hartuesit e projektligjit për ekzekutimin e të burgosurve palestinezë në vitin 2018, ishte lejimi i organizatave terroriste të kolonëve hebrenj për të kryer këtë aktivitet rreth Xhamisë Al-Aksa”, thuhet më tej në deklaratë.

Deklarata e Këshillit theksoi se qeveria izraelite është përgjegjëse për sulmet e mundshme ndaj jetës dhe pasurisë së popullit palestinez si rezultat i këtyre akteve.

Deklarata gjithashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parlamenteve në të gjithë botën që “të ndërmarrin veprime për të ndaluar këtë akt të çmendur të udhëhequr nga grupe terroriste hebreje të mbështetur nga qeveria izraelite”. /trt