Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) miratoi një rezolutë që bën thirrje për “hapa urgjente” për të lejuar menjëherë qasjen “të sigurt, të papenguar dhe të zgjeruar” humanitare në Gaza, raporton Anadolu.
Pas disa ditësh negociata intensive dhe vonesa, rezoluta e paraqitur nga Emiratet e Bashkuara Arabe u miratua me një votim 13-0, ku abstenuan vetëm SHBA dhe Rusia, të dyja anëtare të përhershme të këshillit.
Rezoluta kërkon që palët në konflikt të lejojnë dhe të lehtësojnë përdorimin e të gjitha rrugëve të disponueshme në të gjithë Rripin e Gazës, duke përfshirë pikat kufitare, për të siguruar që personeli humanitar dhe ndihma të arrijnë tek popullata civile në nevojë.
Rezoluta kërkon që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, të emërojë një “koordinator të lartë humanitar dhe rindërtim” për të përshpejtuar dërgimin e ndihmës humanitare për popullsinë civile në Gaza.
Rezoluta më tej kërkon që koordinatori të krijojë me shpejtësi një mekanizëm të OKB-së për përshpejtimin e dispozitave të ndihmës humanitare për Gazën.
Duke kërkuar që palët në konflikt të bashkëpunojnë me koordinatorin për të përmbushur mandatin e tyre “pa vonesë dhe pengesa”, rezoluta kërkon gjithashtu që koordinatori të raportojë në këshill me një raport fillestar brenda 20 ditëve dhe më pas çdo 90 ditë deri në 20 shtatorin e ardhshëm.
Rezoluta gjithashtu kërkon lirim “të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar” të të gjithë pengjeve dhe u bën thirrje palëve t’i përmbahen ligjit ndërkombëtar dhe dënon të gjitha sulmet ndaj civilëve dhe objekteve civile.
Rezoluta gjithashtu kërkon nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, që t’i raportojë këshillit me shkrim brenda pesë ditëve të punës për zbatimin e rezolutës.
“Populli palestinez përballet me peshën më të madhe të konfliktit”
Përpara votimit, SHBA-ja vuri veton ndaj një amendamenti të propozuar nga Rusia që kërkon një “ndërprerje të menjëhershme të armiqësive” në Gaza për të siguruar qasje “të pandërprerë dhe të sigurt” në ndihmën humanitare.
SHBA ka bllokuar tashmë rezolutat që bëjnë thirrje për një armëpushim, duke shkaktuar zhgënjimin e dukshëm të shumë vendeve në mbarë botën, duke përfshirë disa nga aleatët e saj në Këshillin e Sigurimit.
Duke folur përpara votimit, ambasadorja e Emirateve të Bashkuara Arabe në OKB, Lana Nusseibeh, tha se qëllimi i rezolutës është “shumë i thjeshtë”.
“Rezoluta i përgjigjet me veprim situatës së tmerrshme humanitare në terren për popullin palestinez që mban peshën kryesore të këtij konflikti, ndërsa mbron ata që po përpiqen të japin ndihma shpëtimtare dhe kërkon lirimin urgjent të pengjeve, si dhe qasjen humanitare dhe adresimin e nevojave mjekësore”, shtoi ajo.
15 anëtarët e këshillit kanë negociuar gjerësisht në përpjekje për të gjetur një gjuhë që plotëson shqetësimet e të gjithëve, tha Nusseibeh, duke u kërkuar anëtarëve të mos e refuzojnë rezolutën “kur nevojat e njerëzve janë kaq të mëdha”.
Votimi i rezolutës ishte veçanërisht i rëndësishëm pasi që nga 7 tetori, disa rezoluta të KS-OKB-së mbi konfliktin në Gaza nuk u miratuan për shkak të vetos nga anëtarët e tij të përhershëm, duke bërë që disa liderë dhe vëzhgues botërorë të vënë në dyshim efektivitetin e këshillit.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi, sipas autoriteteve shëndetësore të enklavës, duke vrarë të paktën 20.057 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 53.320 të tjerë.
Sulmet izraelite e kanë shndërruar Gazën në gërmadha me gjysmën e banesave të territorit bregdetar të dëmtuara ose shkatërruara dhe me pothuajse 2 milionë njerëz të zhvendosur brenda enklavës me një popullsi të dendur mes mungesës së ushqimit dhe ujit të pastër.
BREAKING: UN SECURITY COUNCIL ADOPTS RESOLUTION ALLOWING FOR EXPANDED HUMANITARIAN ACCESS TO GAZA
VOTE:
In Favor: 13
Against: 0
Abstain: 2✋ USA 🇺🇸
✋ RUSSIA 🇷🇺It was reported that Russia abstained as they wanted to include CEASEFIRE language into the resolution that was… pic.twitter.com/goGSzDxo4o
— Sulaiman Ahmed (@ShaykhSulaiman) December 22, 2023