Këshilli i Sigurimit i OKB-së (KS-OKB) shprehu shqetësim të thellë për rritjen e numrit të punëtorëve humanitarë të vrarë në Rripin e Gazës, i cili ka arritur në 224, duke shënuar një nivel të paprecedentë rreziku me të cilin përballen punonjësit e ndihmës, raporton Anadolu.
Anëtarët e KS të OKB-së vunë theksin në një deklaratë mbi shtatë punonjësit humanitarë nga World Central Kitchen (WCK) të cilët u vranë në sulme ajrore izraelite.
KS i OKB-së theksoi se 224 të vrarë janë trefishi i mesatares vjetore në çdo konflikt.
Anëtarët vunë në dukje nevojën për përgjegjësi për të gjitha vdekjet dhe nënvizuan domosdoshmërinë që hetimi për vrasjen e punëtorëve të WCK-së të jetë “transparent dhe gjithëpërfshirës” dhe “plotësisht i publikuar”.
“Anëtarët e Këshillit të Sigurimit kërkuan gjithashtu që të gjitha palët në konflikt të respektojnë plotësisht statusin e mbrojtur të punonjësve humanitarë, objekteve dhe operacioneve humanitare sipas ligjit ndërkombëtar, të respektojnë mekanizmat humanitare të njoftimit dhe dekonfliktit dhe të korrigjojnë menjëherë çdo mangësi në këto mekanizma”, shtoi deklarata.
– KS i OKB-së bën thirrje për “heqjen e menjëhershme të të gjitha barrierave për dërgimin e ndihmës humanitare”
Duke shprehur shqetësimin e thellë për situatën e rëndë humanitare dhe urinë e afërt në Gaza, KS i OKB-së “bëri thirrje për heqjen e menjëhershme të të gjitha barrierave për dërgimin e ndihmave humanitare ashtu siç kërkohet për popullatën civile dhe shpërndarjen e papenguar të tyre”.
Ndërsa vlerësoi njoftimin e Izraelit për lejimin e kalimeve humanitare përmes portit Ashdod dhe pikës kufitare Beit Hanoun (Erez), deklarata “theksoi se duhet bërë më shumë për të sjellë lehtësimin e kërkuar duke pasur parasysh shkallën e nevojave në Gaza”.
Ajo kërkoi një armëpushim urgjent dhe lirimin e pengjeve duke shprehur mbështetjen për gjithë personelin dhe agjencitë e OKB-së, duke përfshirë Agjencinë e OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA).
Duke dënuar të gjitha format e dhunës dhe terrorizmit kundër civilëve, deklarata kërkon zbatimin e rezolutave përkatëse të KS të OKB-së.