Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) votoi rezolutën me të cilën kërkohet rihapja “e shpejtë dhe e sigurt” e aeroportit të Kabulit pasi forcat amerikane të përfundojnë tërheqjen e tyre nga vendi i shkatërruar nga lufta, raporton Anadolu Agency (AA).
SHBA pritet të përfundojë tërheqjen e saj deri më 31 gusht dhe këshilli miratoi rezolutën me votim 13-0 duke vënë në dukje se “sulme të tjera terroriste mund të ndodhin në zonën” e Aeroportit Ndërkombëtar “Hamid Karzai”, pas sulmit të javës së kaluar që shkaktoi vdekjen e mbi 170 personave. Rusia dhe Kina abstenuan nga votimi.
Rezoluta “u bën thirrje palëve përkatëse të punojnë me partnerët ndërkombëtarë për të ndërmarrë hapa për të forcuar sigurinë dhe për të parandaluar viktima të tjera, dhe kërkon që të bëhet çdo përpjekje për të lejuar rihapjen e shpejtë dhe të sigurt të aeroportit të Kabulit dhe zonës përreth tij”.
Rezoluta thekson deklaratën e talebanëve të së premtes, në të cilën grupi “u zotua se afganët do të jenë në gjendje të udhëtojnë jashtë vendit, do të mund të largohen nga Afganistani në çdo kohë që duan dhe mund të dalin nga Afganistani përmes çdo kalimi kufitar, si ajror ashtu edhe tokësor, përfshirë në aeroportin e rihapur dhe të siguruar të Kabulit”.
OKB-ja ka thënë se është shumë e rëndësishme mbajtja e aeroportit të hapur për të lejuar që ndihma të arrijë në Afganistan.
Më herët gjatë ditës, ministri turk i mbrojtjes, Hulusi Akar tha se Ankaraja mund të marrë në konsideratë operimin e aeroportit nëse kushtet janë të përshtatshme dhe nëse një gjë e tillë i kërkohet Turqisë.
Akar nënvizoi se Turqia, kryesisht përmes Forcave të Armatosura Turke, ka mbështetur Afganistanin gjatë 20 viteve të fundit të paqëndrueshmërisë në mënyrë që banorët e saj “të jetojnë në siguri dhe prosperitet”.
Talebanët morën kontrollin e pjesës më të madhe të Afganistanit në avancimin e shpejtë, përfshirë kapjen e Kabulit më 15 gusht, ndërsa zyrtarët kryesorë të qeverisë u larguan nga vendi.
Duke e thelluar krizën, dy sulmues vetëvrasës shpërthyen bomba jashtë aeroportit të Kabulit të enjten e kaluar në një sulm të marrë përsipër nga grupi terrorist DESH në Afganistan. /aa