Në raportin vjetor të ECRI-së, thuhet se në Serbi është rritur retorika dhe krimet e urrejtjes dhe se vazhdojnë sulmet diksriminuese dhe raciste ndaj pjesëve të caktuara të shoqërisë
STRASBURG (AA) – Komisioni Evropian Kundër Racizmit dhe Intolerancës pranë Këshillit të Evropës (ECRI) i ka bërë thirrje qeverisë së Serbisë ta njohë zyrtarisht si gjenocid masakrën e Srebrenicës dhe të ndëshkohen përgjegjësit e saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Në raportin vjetor të ECRI-së bazuar në inspektimet dhe monitorimet lidhur me funksionimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Serbi, thuhet se në Serbi është rritur retorika dhe krimet e urrejtjes dhe se vazhdojnë sulmet diksriminuese dhe raciste ndaj pjesëve të caktuara të shoqërisë.
Në raport po ashtu thuhet se krimet e tmerrshme gjatë luftës së Bosnjës kanë ngelur pa u ndëshkuar dhe se nuk janë ndjekur personat e njohur apo me grada të larta të cilët janë përgjegjës për këto krime.
Sipas raportit, mosndëshkimi i krimeve të ngjashme bën që njerëzit e komuniteteve të ndryshme të jetojnë me frikën se krimet e njëjta mund të përsëriten.
“Qeveria e Serbisë duhet të zbatojë në mënyrë efikase strategjinë për ndjekjen dhe ndëshkimin krimeve të luftës dhe haptazi ta njohë si gjenocid masakrën e Srebrenicës”, thuhet në raportin e ECRI-së.
Në raport rekomandohet që Beogradi zyrtar të përditësojë kodin penal duke shtuar nene lidhur me retorikën e urrejtjes, thirrjet në urrejtje, sjelljet raciste dhe diskriminuese ndaj individëve apo një grupi të caktuar etnik, krimet e luftës dhe gjenocidin, dhe ta harmonizojë atë me standardet e promovuara nga ECRI.
Gjithashtu, në raport kërkohet që parlamenti dhe qeveria e Serbisë të sjellë rregullime të reja për personat që përdorin retorikë të urrejtjes dhe të zbatojë masa penale efikase, siç është largimi nga detyra.
Ndërkaq, raporti e ka cilësuar si zhvillim pozitiv kapjen e tetë personave në vitin 2015 lidhur me masakrën e Srebrenicës dhe ndëshkimin me dhjetë vite burgim në shkurt të vitit të kaluar në gjykimin e parë të gjykatës serbe për krime të luftës, duke përshëndetur edhe strategjinë kombëtare për gjykimin e krimeve të luftës i cili vitin e kaluar u pranua nga qeveria.
Ndërkaq, kryetari i ECRI-së, Christian Ahlund, ka theksuar se “liderët politik duhet të njohin zyrtarisht gjenocidin e Srebrenicës”, dhe në këtë mënyrë komunitetet e ndryshime etnike në rajon do të lirohen nga frika e ndodhjes së krimeve të ngjashme të urrejtjes.
Ndryshe, ECRI, organ i të drejtave të njeriut pranë Këshillit të Evropës, inkuadron ekspertë që punojnë në fushën e racizmit, ksenofobisë dhe intolerancës, duke përgatitur raporte relevante dhe rekomandime për shtetet anëtare.