Ballina Artikuj Këshilla për myslimanët në Ramazan

Këshilla për myslimanët në Ramazan

1. Ramazani është një mundësi shumë e mirë për besimtarët që të përtërijnë përkushtimin e tyre ndaj Krijuesit dhe Sunduesit të Ditës së Gjykimit. Ky përkushtim duhet të jetë i jashtëm dhe i brendshëm, në mënyrë që myslimani, jo vetëm të lexojë më shumë Kuran dhe të falet më shumë, por duhet ta bëjë këtë, duke menduar me përulje dhe me vëmendje.

2. Myslimanët duhet të sigurohen që nuk janë formalistë dhe nuk përqendrohen vetëm tek e jashtmja. Prioriteti i besimtarit duhet të jetë arritja e pranimit të veprave nga Allahu dhe kjo nuk është e lehtë. “Allahu pranon vetëm prej të sinqertëve”. (Kuran, 5:27)

3. Ramazani është një mundësi e mrekullueshme për të llogaritur mëkatet dhe për t’u penduar. Nëse nuk pendohesh në Ramazan, kur mund ta bësh?

4. Myslimanët duhet të përpiqen ta adhurojnë Allahun sa më shumë të munden që nga fillimi i muajit, sepse kjo rrit mundësinë që edhe fundi i muajit të jetë i mbushur me adhurime.

5. Myslimanët duhet të dinë se çfarë duan të arrijnë me të vërtetë gjatë Ramazanit, nëse duan të jenë prej fitimtarëve apo të humburve. Ata duhet të sigurohen se nuk i kryejnë adhurimet thjesht sepse është traditë e njerëzve që i rrethojnë.

6. Myslimanët duhet të jenë shumë të vetëdijshëm, se Ramazani është vetëm një mjet dhe jo qëllim.

7. Agjëroni në Ramazan me besim dhe duke kërkuar shpërblimin e Allahut me sinqeritet, në mënyrë që Ai t’ua falë mëkatet e kaluara.

8. Bëni kujdes që të mos e prishni agjërimin gjatë ditëve të Ramazanit pa një justifikim të vlefshëm nga ana fetare, sepse ky është prej mëkateve të mëdha.

9. Falni teravitë dhe namaz nate gjatë netëve të Ramazanit, veçanërisht Natën e Kadrit – duke besuar dhe duke kërkuar shpërblimin e Allahut, që Allahu t’ju falë mëkatet e kaluara.

10. Sigurohuni që ushqimi, pija dhe veshja të jenë hallall, në mënyrë që veprat tuaja të pranohen dhe duatë t’ju plotësohen.

11. Jepuni ushqim agjëruesve, në mënyrë që të fitoni shpërblim të ngjashëm me shpërblimin e tyre.

12. Falini pesë namazet në kohë dhe me xhemat, që të fitoni shpërblimin dhe mbrojtjen e Allahut.

13. Jepni sadaka, sepse sadakaja më e mirë është në Ramazan.

14. Mos e kaloni kohën pa bërë vepra të mira, sepse do të jeni përgjegjës dhe do të jepni llogari për të dhe do të shpërbleheni për gjithçka që bëni gjatë kohës tuaj.

15. Bëni umre gjatë Ramazanit, sepse umreja gjatë Ramazanit është njësoj si haxhi.

16. Agjëroni gjatë ditës, duke ngrënë syfyrin në pjesën e fundit të natës para mëngjesit.

17. Hapeni agjërimin pasi jeni siguruar se dielli ka perënduar me të vërtetë, në mënyrë që të fitoni dashurinë e Allahut.

18. Merrni gusul para mëngjesit nëse keni nevojë të pastroheni nga papastërtia, në mënyrë që t’i bëni adhurimet të pastër.

19. Shfrytëzoni mundësinë që jeni në Ramazan dhe shpenzojeni atë me mirësinë që është shpallur gjatë tij, duke lexuar Kuranin fisnik dhe duke medituar për kuptimet e tij, në mënyrë që ai të jetë provë për ju dhe ndërmjetësues Ditën e Gjykimit.

20. Mos gënjeni, mos mallkoni, mos përgojoni dhe mos shpifni, sepse ato ulin shpërblimin e agjërimit.

21. Mos lejoni që gjatë agjërimit të kaloni kufijtë, duke u mërzitur për arsyet më të kota. Agjërimi duhet të jetë shkaku i qetësisë në shpirtin tuaj.

22. Pasi keni hapur agjërimin, jini në një gjendje takva-je ndaj Allahut, duke qenë të vetëdijshëm se Allahu të sheh kur je vetëm dhe në publik. Falënderojeni për të mirat që u ka dhënë dhe binduni, duke bërë ato që Ai ka urdhëruar dhe duke u larguar nga ajo që Ai ka ndaluar.

23. Përkujtojeni më shumë Allahun, duke i kërkuar falje, duke i kërkuar parajsën dhe mbrojtjen nga zjarri, veçanërisht kur e hapni agjërimin dhe gjatë syfyrit, sepse këto veprime janë prej arsyeve më të mëdha për ta fituar faljen e Allahut.

24. Lutuni sa më shumë për veten, prindërit, fëmijët tuaj dhe myslimanët, sepse Allahu ju ka urdhëruar t’i luteni dhe ka garantuar pranimin e tyre.

25. Pendohuni me sinqeritet, duke u larguar nga mëkatet, duke ndjerë keqardhje për ato që keni bërë dhe duke vendosur që të mos i bëni sërish në të ardhmen, sepse Allahu e pranon pendimin e atij që pendohet.

26. Agjëroni gjashtë ditët e Shevalit, sepse ai që agjëron Ramazanin, pastaj agjëron dhe gjashtë ditët e Shevalit, është sikur të kishte agjëruar gjithë kohën.

27. Agjëroni ditën e Arafatit, me 9 Dhulhixhe, që të arrini suksesin, pasi ju falen mëkatet e vitit të kaluar dhe të vitit të ardhshëm.

28. Agjëroni ditën e Ashures, me 10 Muharrem, së bashku me datën 9, që të mund t’u falen mëkatet e vitit të kaluar.

29. Qëndroni në gjendje imani dhe takua-je dhe bëni vepra të mira pas Ramazanit, derisa të vdisni. “Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja)”. (Kuran, 15: 99)

30. Sigurohu që të marrësh rezultatet pozitive të adhurimeve, si namazi, agjërimi, zekati dhe haxhi. Pendohuni me sinqeritet duke u larguar nga zakonet, që bien në kundërshtim me sheriatin.

31. Dërgoni shumë salavate për të dërguarin e Allahut, shokët e tij dhe të gjithë ata që i ndjekin deri në Ditën e Gjykimit.

O Allah na bëj prej myslimanëve që agjërojnë dhe falen gjatë muajit të Ramazanit me besim dhe duke kërkuar shpërblimin e Tij, në mënyrë që të na falen mëkatet e kaluara dhe ato që do të vijnë!

O Allah, na bëj prej atyre që kanë agjëruar gjatë Ramazanit, kanë marrë shpërblimin e Tënd, kanë përjetuar Natën e Kadrit dhe kanë arritur suksesin me lejen e Zotit!

O Allah, ti je Falës, e pëlqen faljen, prandaj na fal ne!

O Zot, na i prano veprat, me të vërtetë Ti je Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi, i Gjalli, i Pavaruri, Pronari i madhështisë dhe fisnikërisë!

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin (a.s), familjen dhe shokët e tij!

Exit mobile version