Ballina Artikuj Këshilla orienutese për thirrësin në lidhje me Kuranin

Këshilla orienutese për thirrësin në lidhje me Kuranin

Dr. Jusuf Kardavi (r.a)

Kam shumë dëshirë që thirrësi i cili dëshiron të jetojë me Kuranin, që përmes tij dëshiron të ushqejë zemrën, të marrë nga drita e tij për të ndri=uar mendjen, nga ai të furnizohet që të ushqejë shpirtin dhe këtë ushqim të bollshëm t’ia përcjellë të tjerëve, të ketë parasysh:

Grumbullimin e të gjithë ajeteve që flasin për një temë dhe kategorizimi i tyre:

Thirrësi që dëshiron të flasë për ndonjë temë të caktuar si ligjërues, mësues, imam-hatib apo shkrimtar duhet që të mbledhë të gjitha ajetet që flasin për temën për të cilën dëshiron të flasë, e pastaj t’ë bëjë seleksionimin e tyre në përshtatje me qëllimin dhe duhet të sqarojë qëndrimin e Kuranit rreth asaj teme.

Thirrësi vizionar, në këtë kontekst duhet të ketë parasysh dy gjëra:

E para: Fjalët kuranore të cilat kanë të bëjnë me temën e tij. Një ndihmesë të madhe, në këtë pikë thirrësi e përfiton prej fjalorëve të fjalëve kuranore, sidomos ai që nuk e di Kuranin përmendësh.

E dyta: Domethëniet që janë të lidhura ngushtë me temën përkatëse. Kjo kërkon vizion, zgjuarsi dhe perceptim të mirë të asaj domethënie që ka lidhje me temën, edhe pse ajo domethënie nuk është përmendur me të njëjtën fjalë apo shprehje në mënyrë të drejtpërdrejtë.

E rëndësishme në tërë këtë gjë për të cilën po flasim është seleksionimi dhe ndarja e mirë, që shpjegohen qartë shenjat, të theksohen faktorët dhe specifikat dhe të sqarohen objektivat dhe efektet.

Në lidhje me sa thamë më lart, le të marrim një shembull, sepse nëpërmjet tij sqarohet më mirë ajo që kemi cekur. Nëse dëshirojmë të flasim për Kuranin dhe dijen (shkencën) do të hasim një numër të madh ajetesh, gati në njëqind të tillë. Ne do të mjaftohemi vetëm duke cekur disa prej tyre, do t’i seleksonojmë ato apo do t’i vendosim një titull si më poshtë:

Dijetarët janë në të njëjtën pozitë me engjëjt:

Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu dëshmon se nuk ka zot tjetër përveç Tij, edhe engjëjt e dijetarët dhe se Ai është Zbatues i drejtësisë.”[1] Në këtë ajet kuranor Allahu i Madhëruar fillon me Veten e Tij, pastaj lavdëron engjëjt dhe në fund përmend dijetarët, duke i marrë ata si dëshmitarë të cilët pranojnë njëshmërinë e Zotit.

Dituria i lartëson dijetarët përmbi të tjerët:

Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: a janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?!”[2] “Allahu e lartëson ata që besuan prej jush, por i lartëson në shkallë të lartë atyre që ju është dhënë dituri.”[3]

Dituria është themeli i frikë-respektit ndaj Zotit:

Allahu i Madhëruar thotë: “Allahut ia kanë frikën nga robërit e Tij, vetëm dijetarët.”[4]

Ai që është i padijshëm duhet të mësojë prej atij që di edhe nëse ai që ka dije është më i ri se ai:

Allahu i Madhëruar thotë: “O babai im, mua më është dhënë nga ditura ajo e cila nuk të është dhënë ty. Prandaj më dëgjo se unë të udhëzoj në rrugë të drejtë.”[5]

Në disa raste ai që di më pak mund të jetë më afër dijes se ai që është në gradë më të lartë:

Këtë gjë ne e vërejmë tek tregimi i Sulejmanit (a.s), i cili kishte vendosur të ndëshkonte Hud-hudin i cili ishte larguar pa lejen e Sulejmanit. Mirëpo Huduhudi erdhi me një lajm që Sulejmani nuk e dinte, Allahu i Madhëruar thotë: “Unë mora vesh (një lajm) që ti nuk e di dhe kam ardhur nga Sebe’i me një lajm të sigurtë.”[6] Po ashtu një gjë të të tillë e vërejmë edhe në tregimin e bijve të Ademit (a.s), ku njeriu mësoi prej sorrës. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu dërgoi një sorrë e cila groposi në dhe, për t’i treguar atij se si ta mbulojë trupin e vëllait të vet. E ai tha: Mjerë për mua, a nuk isha i aftë të isha as sa kjo sorrë, e ta mbuloja trupin e vëllait tim?! E u bë nga të penduarit.”[7]

Dija e ngrit autoritetin e atij që mëson edhe nëse ai që mëson është qen:

Allahu i Madhëruar thotë: “Të pyesin ty çfarë është e lejueshme që të hanë. Thuaju: ju lejohet juve çdo gjë që është e dëlirë dhe atë që jua gjuajnë shtazët që i keni stërvitur e i përdorni për gjueti, ashtu siç ju ka mësuar Allahu. Pra, hani atë që jua sjellin ato..”[8] Kështu pra nëpërmjet kësaj diturie qeni i stërvitur dallon nga qentë e tjerë (të pastërvitur).

Urdhëri për të marrë këshilla nga të diturit:

Allahu i Madhëruar thotë: “Ju (idhujtarët) pyetni dijetarët (e Tevratit dhe të Ungjillit) nëse nuk dini.”[9] “O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe përgjegjësve tuaj!”[10] “Përgjegjës” janë dijetarët ose sunduesit sipas një mendimi tjetër. Allahu i Madhëruar thotë: “Sikur t’ia linin atë (përhapjen e islamit) profetit dhe përgjegjësve të tyre, ata do të dinin të nxirrnin përfundime..”[11]

Po ashtu Kurani aludon se vetëm eksperti i fushës është ai që jep një informacion të saktë pa e ekzagjiruar apo reduktuar atë. Allahu i Madhëruar thotë: “Për këtë askush nuk mund të të njoftojë si i Dijshmi.”[12] “Dhe pyet për Atë ata që dinë.”[13]

Dituria është det pa breg:

Allahu i Madhëruar thotë: “e juve ju është dhënë pak dije.”[14]

Shtimi i diturisë është i kërkuar:

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe gjetën një prej robërve Tanë, të cilit i patëm dhuruar mëshirë prej Nesh dhe i kishim mësuar nga ana Jonë dije. Musai i tha atij: A mund të të ndjek ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty?”[15] Nuk ka dyshim se Musai (a.s) ka qenë njeriu më i mirë në kohën që ka jetuar.

Udhëtimi për të kërkuar diturinë:

Allahu i Madhëruar thotë: “(Përkujto) kur Musa djaloshit që e shoqëronte i tha: Nuk do të ndalem së ecuri deri kur të arrij në vendtakimin e dy deteve, ose do të udhëtoj një kohë të gjatë.”[16] “A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të kenë zemra me të cilat do të kuptojnë dhe veshë me të cilat do të dëgjojnë?”[17]

Edhe dhjetëra ajete të tjera që kanë lidhje me diturinë, do t’i hasë ai i cili jeton me Kuranin. Thirrësi i stazhonuar dhe që mediton rreth Librit të Allahut, mund të marrë një regjistër apo album të posaçëm në të cilin do të shkruajë temat e ndryshme të Kuranit, ajetet që kanë të bëjnë me të, mbi bazë të largpamësisë dhe vizionit të tij. Ai do të gjendet para dhjetëra dhe ndoshta qindra ajeteve kuranore që kanë lidhje me aktualitetin.

E pasi t’i mbledhë të gjithë ato ajete që flasin për një temë, ai bën seleksionimin e tyre sipas suksesit që ia jep Allahu. Dhe pas një kohe do të gjejë një pasuri kuranore të pashtershme dhe një thesar prej sekreteve të Vërtetës i cili nuk mbaron.

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Ali Imran: 18.

[2] – Sure Zumer: 9.

[3] – Sure Muxhadele: 11.

[4] – Sure Fatir: 28.

[5] – Sure Merjem: 43.

[6] – Sure Neml: 22.

[7] – Sure Maide: 31.

[8] – Sure Maide: 4.

[9] – Sure Nahl: 43.

[10] – Sure Nisa: 59.

[11] – Sure Nisa: 83.

[12] – Sure Fatir: 14.

[13] – Sure Furkan: 59.

[14] – Sure Isra: 85.

[15] – Sure Kehf: 65 – 66.

[16] – Sure Kehf: 60.

[17] – Sure Haxh: 46.

Exit mobile version