Bashkimi Evropian (BE) ka kërkuar të jetë plotësisht dhe përgjithmonë i përjashtuar nga detyrimet shtesë doganore të vendosura në zbatim nga SHBA për importet e çelikut dhe aluminit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komisioni i BE-së ka bërë një deklaratë në lidhje me vendimin e SHBA-ve për të përjashtuar deri me 1 qershor vendet e BE-së nga detyrimet shtesë doganore të vendosura për importet e çelikut dhe aluminit.
“BE duhet të përjashtohet plotësisht dhe përgjithmonë nga këto masa të marra në bazë të sigurisë kombëtare”, thuhet në deklaratën, në të cilën theksohet se vendimi i SHBA-ve rrit pasigurinë në tregje dhe ndikon në vendimet e ndërmarrjeve.
Në deklaratë thuhet se problemet e kapaciteteve të tepërta në sektorët e çelikut dhe aluminit nuk janë shkaktuar nga BE dhe se Unioni ka punuar me SHBA-të dhe partnerët e tjerë në të gjitha nivelet për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.
Po ashtu, Komisioni thekson se BE është e gatshme të negociojë me SHBA-të për çështjen e qasjes në tregje, por se këtë negociim nuk mund ta bëjë “nën kërcënime”.
Presidenti amerikan Donald Trump më 9 mars njoftoi se çeliku dhe alumini i importuar do të jenë subjekt i detyrimeve doganore prej 25 dhe 10 për qind. Ai kishte theksuar se Kanadaja dhe Meksika do të përjashtoheshin nga këto tarifa doganore për shkak të negociatave mbi Marrëveshjen Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA), duke njoftuar një përjashtim të përkohshëm edhe për BE-në.
Ndërkaq, BE kishte njoftuar se nëse nuk përjashtoheshin nga tatimimi doganor për çelikun dhe aluminin, do të kundërpërgjigjeshin ndaj shumë produkteve të SHBA-ve.