Kërkohet shkarkimi i të gjithë anëtarëve të OSHP-së

Disa organizata joqeveritare po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të shkarkojë të gjithë anëtarët e OSHP-së.

Sipas tyre Qeveria nuk duhet ta shkarkojë vetëm njërën prej anëtarëve të OSHP-së.

‘’Organizatat e shoqërisë civile (OJQ-të) të poshtëshënuara reagojnë kundër vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës që vetëm anëtarja e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (tutje OSHP) respektivisht Kryetarja e Panelit Shqyrtues në rastin e insulinave, Kimete Gashi, të propozohet për shkarkim nga ana e Kuvendit, duke e vlerësuar si vendim selektiv, i cili aministon nga përgjegjësia anëtarët e tjerë të Bordit të OShP-së që votuan njëjtë sikurse e propozuara për shkarkim. OJQ-të i bëjnë me dije Qeverisë së Republikës së Kosovës se votimi në shqyrtimin e prokurimit është i ndërtuar sipas parimit “një anëtarë, një votë”, pavarësisht rolit të anëtarit në panele, siç janë kryetar, referues apo anëtar’’ thuhet fillimisht në reagim.

Sipas OJQ-ve, vendimi i Qeverisë për shkarkimin e Kimete Gashit është është diskriminues dhe selektiv, si dhe cënon parimet Kushtetuese të Republikës së Kosovës, siç është ai i barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimit.

‘’Në frymën e Ligjit për Prokurimin Publik në Kosovë dhe Rregullores së Punës së OShP-së, vota e anëtarëve të paneleve shqyrtuese është e barabartë dhe duhet të bëhet sipas bindjes së lirë së anëtarit në raport me provat dhe argumentet e çështjes kontestimore. Në këtë drejtim, vendimi i sotshëm i qeverisë që anëtaren e OShP-së, Kimete Gashi, t’ia propozoj Kuvendit për shkarkim, me arsyetimin se ajo e ka udhëhequr panelin shqyrtues, i cili përmes një vendimi ka mundësuar importin e insulinave pa autorizim-marketing, është diskriminues dhe selektiv, si dhe cënon parimet Kushtetuese të Republikës së Kosovës, siç është ai i barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimit’’

Sipas tyre të gjithë anëtarët e paneleve shqyrtuese, që kanë votuar njëjtë si Kimete Gashi, duhet të propozohen për shkarkim, dhe ndaj të njëjtëve duhet të kërkohet llogaridhënie institucionale dhe jo të amnistohen.

OJQ-së nënshkruese të kësaj kërkese janë:

Democracy Plus

Group for Legal and Political Studies

Iniciativa për Progres – INPO

Kosova Democratic Institute / Transparency International Kosova

Kosovo Laë Institute

Levizja Fol.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit i ka propozuar Kuvendit të Kosovës, shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Kimete Gashi.