Ballina Lajmet Kosovë Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e rëndë në Ferizaj

Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e rëndë në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar caktim të paraburgimit për 30 ditë nga Gjykata Themelore në Ferizaj, për të dyshuarin V.A, lidhur me vrasjen e rëndë të ndodhur dje.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta viktimën, si dhe ka plagosur në krah vëllain e saj, shkruan lajmi.net.

Gjithashtu atij i është konfiskuar edhe një pistoletë me një karikator të zbrazur.

Njoftimi i plotë:

Ferizaj, 13 Prill 2024– Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me iniciale V.A., lidhur me rastin e vrasjes së rëndë në Ferizaj.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 12 prill 2024, rreth orës 14:40, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, i pandehuri, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E,C., me të cilën ka bashkëjetuar, duke e goditur me armë disa herë në kokë dhe ka plagosur në krah vëllain e të ndjerës – i mitur, me çka kreu veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 dhe 1.5 dhe 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit ZORAKI M 2906-T, me një karikator të zbrazur, e cila më 12 prill 2024, i’u është konfiskuar nga policia, me çka kreu veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.

Exit mobile version