Përfaqësuesit e Qeverisë thonë se dialogu me Serbinë nuk mund të zgjasë në pafundësi, prandaj kërkojnë që ky proces të afatizohet. Këtë kërkesë ia kanë drejtuar edhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian
Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës vlerësojnë se dialogu Prishtinë – Beograd duhet të afatizohet, pasi, sipas tyre, ky proces nuk mund të zgjasë deri në pafundësi. Madje përfaqësuesit e kabinetit qeveritar këtë kërkesë e kanë prezantuar edhe para zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian.
Ndërsa opozita nuk është unike për çështjen e dialogut. Lëvizja “Vetëvendosje” konsideron se ky dialog duhet të ndërpritet dhe se me Serbinë, sipas tyre, mund të dialogohet vetëm pas njohjes nga shteti fqinj dhe vetëm për çështje të përbashkët, e jo për çështje të brendshme të Kosovës. Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se dialogu duhet të ndryshojë format dhe se duhet të ketë agjendë të qartë.
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, gjatë një vizite në Bruksel, ku ka zhvilluar takime me krerët më të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian, ka kërkuar nga BE-ja që të bëjë më shumë presion te Serbia për të zbatuar marrëveshjet e arritura. Ai madje ka kërkuar që dialogu Prishtinë – Beograd të afatizohet.