Ballina Lajmet Kosovë ​Kërkimi pa fund për Besnikun…

​Kërkimi pa fund për Besnikun…

“Shpresoj ka qenë i vdekur e jo i gjallë”, thotë Ibush Berisha sa herë flet për djalin e tij të zhdukur në luftën e viteve 1998-99.

Vajza, djali, gruaja, nëna… të gjithë të vdekur. Besnikun nuk ka lënë vend pa e kërkuar që 25 vjet, por pa rezultat.

Shtatëdhjetë vjeçari nga Bardhi i Madh rrëfen mes lotëve për natën e tmerrshme të 18 prillit të vitit 1999.

Ai tregon se si forcat ushtarake serbe i kishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, duke i urdhëruar të nisen në drejtim të Shqipërisë.

Pamjet e trishta të fëmijëve të zbathur e të zhveshur nuk do t’i largohen asnjëherë nga mendja.

“Deri në mbrëmje nuk kemi mundur të dalim në kufi, aq ka qenë radha e gjatë. Jo vetëm ne, por e gjithë Kosova. Ka qenë shi i madh. Aty kam parë njerëz të zbathur, të zhveshur. Tmerr ka qenë. Me fëmijë, me gra, duke ardhur nëpër shi…”, rrëfen ai.

Gati pas dy ditëve rrugë, pas mesnate kishin mbërritur në pikën kufitare në Qafë Morinë. Në zonë neutrale të kontrolluar nga ushtria serbe, siç tregon Berisha, e gjithë familja kishin rënë në minë.

“Unë isha me lladë përpara, të tjerët ishin me traktorë. Unë thash veç pak të skajohem, jo ta lëshojë rrugën. Edhe gjatë kohës që jam skajuar veç e di që kam qenë duke e ndalur veturën, tjetër gjë nuk kam ditur, e kam hequr prej shpejtësisë, në ato momente e ka shkelur minën. Mina ka qenë në vijë të bardhë. I kam edhe dokumentet. Edhe për moment kam qenë pa vetëdije…Veturën e kishte këputur për mes, pjesën prapa e kishte humbur krejt, ish mbet auba, dy karriget. Edhe e kam ditur çfarë ka ndodhë”, shprehet ai.

Nga ky shpërthim shpëtoi vetëm ai dhe Dritoni, djali i tij. Trupat e të tjerëve mezi u gjetën. Besnikun ende e kërkojnë.

“Duke kërkuar e kam parë jashtë asfaltit kishte qenë nëna. Nëna, gruaja edhe djali që është [gjallë] Dritani, tash i ka 35 vjet, i ka pasur 10 vjet. Nënën, gruan edhe djalin e kanë tërhequr bashkëfshatarët. Gruaja ka qenë e vdekur, djalin, gjatë tërheqjes, kishin qëlluar ende disa mjekë dhe e kanë marrë menjëherë e kanë tërhequr. Nëna ka qenë gjallë, por gjatë rrugës vdiq. Në një formë, më mirë që ka vdekur e nuk ka parë asgjë. Edhe kemi shkuar në Kukës”, rrëfen ai mes tjerash.

Familja Berisha ishin vendosur në Kukës të Shqipërisë. Të nesërmen, 70-vjeçari kishte dalur për të kërkuar Besnikun, për të cilin nuk ka asnjë informacion për më shumë se dy dekada.

“Sot e asaj dite kam kërkuar çdo kund, por Besnikun nuk kam arritur ta gjej. Institucionet tona se di pse këtë rast nuk e kanë marrë, nuk e di. Duhet të kërkojnë organet tona direkt prej ushtrisë. Ushtria e di rastin, e dinë ku e kanë marrë dhe ku e kanë çuar…sepse ka qenë vend i kontrolluar prej ushtrisë direkt, zonë neutrale ka qenë”, tregon Ibush Berisha.

Nëna edhe gruaja u varrosën në Kukës, ndërkaq më vonë dy fëmijët në Kosovë.

Pas përfundimit të luftës, ata ishin familja e parë që u kthyen në fshat dhe prej atëherë po kërkojnë drejtësi për krimin e kryer nga ushtria serbe.

“Përgjegjëse është ushtria jugosllave për atë rast, nuk jemi ne, as askush tjetër. Gjeneralët e Sllobodan Millosheviqit, me Sllobodanin duhet më u përgjigj pse e kanë vendosur minën kur me mijëra civilë kanë kaluar andej…Shpresa nuk largohet deri sa të vdes. Shpresoj është i vdekur, shpresoj ka qenë i vdekur e jo i gjallë. Se i gjallë më keq, serbët mund të bëjnë gjithçka. Neve na kanë akuzuar për organe, ata çfarë kanë bërë? Mendoni që nuk kanë marrë organe, por nuk kemi fakte ne”, rrëfen ai për KP.

Në luftën e fundit në Kosovë mbi gjashtë mijë persona janë zhdukur. Prej tyre 1.600 vazhdojnë të jetë të pagjetur e më shumë se 800 mijë persona u zhvendosën gjatë viteve 1998-1999.

Kosova po vazhdon të kërkojë nga Serbia që të tregojë vendndodhjen e tyre, por pa sukses.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti tregon se në cilat lokacione në Serbi është gërmuar gjatë vitit të kaluar.

“Gjatë vitit 2024 janë mbajtur dy takime të grupeve punuese dhe janë zotuar të dy palët, edhe Kosova edhe Serbia, për trajtimin e disa prej pikave ose disa prej lokacioneve. Nga pala serbe kemi pasur zotime që të shkojmë në së paku tri lokacione brenda vitit 2024. Njëra prej tyre është Kozhle, e dyta është Batajnica dhe Petrovosello, në gusht të vitit 2024 Serbia na ka thirrur neve, ekspertët e Kosovës, që të shkojnë të trajtojnë lokacionin në Kozhle. Ekspertët i kemi dërguar, meqë territori i Serbisë menaxhohet prej Serbisë, ata janë që vendosin për raportin e aktiviteteve fushore atje, kanë shkuar e kanë parë terrenin dhe kanë qëndruar një-dy orë dhe me kaq ka përfunduar. Serbia ka thënë ‘jo këtu nuk mund të punoni sepse është një lokacion me mbeturina’. Në gusht ka ndodhur kjo kur në fakt ne në sezonin veror punojmë. Kanë thënë po e lëmë për vitin e ardhshëm”, deklaron ai.

Ndërkaq, brenda territorit të Kosovës është gërmuar në mbi 20 lokacione, ku janë identifikuar 34 persona.

“Brenda këtij viti diku rreth 30 operacione apo terrene i kemi vizituar, i kemi trajtuar, i kemi hulumtuar edhe mbi 20 prej tyre që i kemi trajtuar në kuptimin e gërmimeve. Fatkeqësisht mund të them që për shkak të mungesës së informacioneve tashmë gjithmonë e më shumë hasje në gjetje kemi shumë më pak. Në fakt, ne kemi më shumë se vitin e kaluar raporte ose gjetje pozitive të personave të identifikuar por që nuk janë të gjithë të këtij viti. Kemi edhe disa që i kemi trajtuar në fund të vitit të kaluar, që numri aktual që mund të ndërrojë normalisht në bazë të raporteve që vinë është 34 persona që i kemi identifikuar. Nuk janë të mbyllura të gjithë prej tyre, ende janë në trajtim prej Institutit të Mjekësisë Ligjore”, shton ai.

Bekim Blakaj, i cili udhëheq Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë konsideron se nuk ka pasur progres gjatë vitit të kaluar.

“Institucionet që kanë kompetencë në zbardhjen, në gjurmimin dhe gërmimet, më thonë që ka pasur një progres të limituar por ne në fakt në praktikë nuk kemi pasur. Nuk ka pasur një numër të madh të personave që janë identifikuar. Nuk mund të jemi të kënaqur me procesin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë këtij viti. Shpresojmë që viti i ardhshëm do të sjell një kualitet të ri dhe nuk do të përsëritet viti 2024”, deklaron ai.

Familjarët kërkojnë që ndërkombëtarët t’i bëjnë presion Serbisë, thotë kryetari i Këshillit Koordinues të Familjarëve të Personave të Pagjetur, Ahmet Grajqevci.

“Gjithmonë kemi kërkuar prej bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë trysni më të madhe mbi shtetin serb për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Sepse Serbia i di të gjitha varrezat masive ku janë, të gjitha ato që i ka bërë, të gjithë ata gjeneralë, të gjithë ushtarët i ka të shënuara mirë e mirë në sirtarët e vet. Por a do të ruajë arkivën apo do zbardhet, sepse ne kemi kërkuar që të zbardhet edhe arkivi…Arkivat e shtetit serb janë të mbushura me dokumente, porse a do të hapen ato arkiva është problem i madh sepse edhe këtë, pa një trysni të madhe të ndërkombëtare, nuk do të hapen, por ndoshta edhe do t’i asgjësojë”, shprehet ai.

Kosova synon që gjatë këtij viti të rikthehet në disa lokacione, ndërkohë pritet të fillojnë gërmimet në Istog e Mitrovicë.

“Ne do të rikthehemi në disa lokacione, po e përmendi një lokacion që e kemi hasur në gjetje dhe jo pak. Në lokacionin në Bishtazhinj i kemi identifikuar 12 persona të rinj të zhdukur. Lokacioni në Bishtazinj, pa dashur t’i shqetësojë familjarët është i vitit 1999 kur Serbia prej masakrave të ndryshme, të vendeve të ndryshme i ka mbledhur njerëzit, i ka varrosur aty dhe kur ka sulmuar NATO-ja, ajo u mundua t’i tërheq. Dhe gjatë asaj tendence i ka lënë shumë trupa që kanë mbetur aty. Kur kemi qenë në Bishtazhinj, është shumë afër ujë dhe shumë vështirë i punueshëm. Ne kemi punuar rreth tri javë në atë lokacion dhe kemi arritur që të gjejmë këto që i përmenda. Ne dyshojmë, jo që dyshojmë, por e kemi obligim me patjetër të rikthehemi në atë lokacion dhe të zgjerojmë perimetrin”, përfundon ai.

Ibush Berisha nga Bardhi i Madh i bën thirrje institucioneve vendore që të trajtojnë me seriozitet çështjen e personave të pagjetur.

“Në dorë e kemi dhe nuk po dimë të tregojmë. Serbia nuk e ka në dorë fare, edhe po e formon gënjeshtrën sikur aashtu është. Edhe po viktimizohet”, përfundon Berisha.

Exit mobile version