JOQ” publikoi sot denoncimin e një shqiptari të Kosovës i cili është përballur me sjelljen aspak profesionale të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Ai tregon se është nisur nga qyteti i tij për në bregdetin shqiptar gjatë orëve të natës dhe e papritura i ka ndodhur me policinë tonë. E kanë ndaluar gjatë një kontrolli rutinë, teksa fëmijët e tij ishin në gjumë dhe pasi e gjetën me të gjithë dokumentacionin të rregullt, hashiqare i kërkuan bakshish. Por pas kësaj ka reaguar edhe Policia e Durrësit e cila njofton se “Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës sapo është njohur me rastin ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të I.Sh. dhe I.V. efektive policie të Qarkullimit Rrugor, deri ne sqarimin e rrethanave”.
Njoftimi i Policisë Durrës:
Në lidhje me një publikim në media online, ku një qytetar nga Kosova ka denoncuar dy punonjës policie me pretendimin se i kanë kërkuar rryshfet, bëjmë me dije se: Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës sapo është njohur me rastin ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të I.Sh. dhe I.V. efektive policie të Qarkullimit Rrugor, deri ne sqarimin e rrethanave. Nga verifikimet e kryera është konstatuar se në lidhje me rastin e denoncuar, për mjetin ne fjale është vendosur një masë administrative nga patrulla e Policisë. Për veprime të mëtejshme më të hollësishme çështja është dërguar pranë Drejtorisë së Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, për evidentimin dhe marrjen e masave përkatëse. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës falënderon çdo qytetar për bashkëpunimin dhe mediat për denoncimin, duke garantuar marrjen e masave konkrete ndaj punonjësve që shkelin ligjin.