Mediat Italiane raportojnë se kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku është kërcënuar. Kjo pasi një zarf me tre plumba është dërguar për në adresën e Papa Françeskut.
Sipas mediave italiane, ky zarf nuk arriti në Vatikan, pasi pakoja e nisur u konfiskua nga policia italiane që në zyrën postare të Milanos, ku u zbulua përmbajtja e pakos.
Zarfi, sipas asaj që është mësuar, përmbante tre fishekë të tipit Flobert, të kalibrit 9 milimetra.
Në zarf shkruhej: “Papës, Vatikanit, Sheshit të Shën Pjetrit” dhe mësohet se ka ardhur nga Franca. Shënimi ishte shkruar me stilolaps në një mënyrë të palexueshme dhe i drejtohej drejtpërdrejt Papës.
Sipas mediave italiane, dërguesi tashmë është identifikuar.
Burimet hetimore deri më tani tregojnë se ky person nuk është i panjohur për policinë, pasi ai i ka dërguar letra Vatikanit edhe në të kaluarën.
Për momentin hetuesit janë të përqendruar në vendndodhjen e tij, nëse ai ndodhet në Francë apo në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë