Ballina Arritje Kërcënimet më të rrezikshme për Perëndimin, nuk janë të jashtme

Kërcënimet më të rrezikshme për Perëndimin, nuk janë të jashtme

Ka kaluar pak më shumë se një javë, që kur Presidenti Trump ofroi, në Varshavë, një mbrojtje shumë të veçantë të qytetërimit perëndimor. Ai vlerësoi Poloninë për luftën e saj kundër nazizmit dhe komunizmit sovjetik shumë kohë më parë, edhe pse ai pak foli për suksesin e këtij vendit, që nga viti 1989.

Ai foli për gjërat që mbajnë Perëndimin të bashkuar, duke përfshirë muzikën klasike dhe Perëndinë, por përmendi vetëm kalimthi demokracinë. Ai gjithashtu foli për kërcënimet ndaj Perëndimit, duke aluduar për rreziqet nga “Jugu apo Lindja”, si dhe nga një “ideologji shtypëse”, islami radikal, që “kërkon të eksportojë terrorizmin dhe ekstremizmin në të gjithë globin”.

Në ditët që kanë kaluar nga ky fjalim, ngjarjet që po ndodhin me shpejtësi në Varshavë treguan se gabohej: Teksa shkruaj këtë koment, Polonia po dëshmon se kërcënimi më i madh për Perëndimin nuk është Islami radikal. Kërcënimi më i madh nuk është as i jashtëm: Është i brendshëm./bota.al/

Në Poloni, një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike, por joliberale, në ditët e fundit, ka përshkallëzuar sulmet ndaj kushtetutës së vet, duke miratuar ligje të reja që haptaz janë hartuar për të krijuar një gjyqësor të politizuar. Dhe ndihet e inkurajuar ta bëjë këtë, prej vizitës së presidentit të SHBA.

Qeveria polake udhëhiqet nga “Ligj dhe drejtësi”, një parti nacionaliste në pushtet me një shumicë parlamentare të vogël, por pa shumicë popullore dhe pa mandat për të ndryshuar kushtetutën. Megjithatë, që nga marrja e pushtetit, ajo ka nënshtruar metodikisht një sërë institucionesh të pavarura: radio-televizionin publik, prokurorinë dhe, më e rënda, Gjykatën Kushtetuese. Ka politizuar shërbimin civil. Ministri i saj konspirativ i mbrojtjes ka eliminuar gjithashtu një pjesë të madhe të udhëheqjes profesioniste ushtarake.

Javën e kaluar, vetëm disa ditë pas vizitës së Trump-it, qeveria miratoi gjithashtu një projektligj që do të politizojë Këshillin Kombëtar të Gjyqësorit, organin kushtetues që zgjedh gjyqtarët. Ajo shkoi edhe më tej: Pa dëgjesa publike, paraqiti një projekt-ligj tjetër që, nëse shndërrohet në ligj, do t’i mundësojë ministrit të Drejtësisë që, duke shkelur kushtetutën, të shkarkojë menjëherë të gjithë anëtarët e gjykatës më të lartë të Polonisë.

Ashtu si në të kaluarën, Bashkimi Evropian do të kundërshtojë. Është e mundshme madje, që institucionet evropiane të vendosin sanksione ndaj Polonisë. Duke qenë një shtyllë e unitetit evropian në të kaluarën – aq shumë sa që një ish kryeministër polak, Donald Tusk, tani është president i Këshillit Evropian – Polonia është bërë një burim frustrimi dhe zemërimi të vërtetë në të gjithë kontinentin. Nëse Perëndimi do ishte i bashkuar në këtë pikëpamje, kjo gjë mund të kishte patur një farë ndikimi mbi Poloninë. Por vizita e Trump-it në Varshavë dërgoi mesazhin e kundërt. Mesazhi i Shteteve të Bashkuara ka inkurajuar “Ligj dhe Drejtësi” që të vetëizolohet në Evropë, e sigurt në besimin e vet se Amerika i mbron krahët.

Të gjithë ne mund të përfytyrojmë pasojat e ardhshme të një gjyqësori pro-qeveritar. Kjo mund t’i mundësojë qeverisë të manipulojë zgjedhjet, të shmangë hetimet për korrupsion, të ndjekë penalisht kundërshtarët. Dhe kjo do të ketë peshë: Për një çerek shekulli, rënia e Murit të Berlinit dhe triumfi i mëpasshëm i demokracisë në Evropën Qendrore u perceptuan, kudo në botë, si një nga arritjet më të mëdha të Perëndimit.

Gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar, këshillat polake për tranzicionin demokratik u kërkuan anembanë botës, nga Birmania në Tunizi, e deri në Ukrainë. Një largim i polakëve nga demokracia do të dëmtojë jo vetëm unitetin e Perëndimit, por edhe joshjen prej Perëndimit në ato vende, duke lejuar “ideologji të tjera shtypëse” nga “Jugu apo Lindja”, që të zënë vendin e saj.

Kur Trump-i u zgjodh president, shumë njerëz, përfshirë mua vetë, shkruan për ndikimin që mund të kishte në demokracinë ndërkombëtare. Shumë prej nesh u shqetësuam se ai do të inkurajonte partitë populiste, nacionaliste apo joliberale në Evropë dhe gjetkë. Tani kjo ka ndodhur. / The Washington Post/Mesazhi/

Exit mobile version