Keqkuptimi i europianëve me Serbinë!

Mentor Beqa

Serbia e do Europën, por një Europë që i ngjan Serbisë jo një Serbi që i ngjan Europës. Me fjalët e Patriarkut Pavëll: “ne duam të bashkohemi me një Europë vërtetë të krishterë, ku Zoti dhe njeriu do të jenë së bashku, ku lumturia dhe paqja do të ndërtohen si model për të gjithë njerëzimin, jo nën sundimin e një demokracie të shurdhër apo teokracisë së vjetër, por një teodemokracie krijuese dhe të vërtetë”.

Shkruan: Mentor BEQA, Tiranë

Bisedimet e Serbisë dhe Kosovës, të ndërmjetësuara prej Bashkimit Europian, kanë hyrë në një fazë të re pas sulmit terrorist të 24 shtatorit prej një grupi militantësh serb në veri të Kosovës që i mori jetën efektivit të policisë Afrim Bunjaku. Pavarësisht se nuk pritet ndonjë zhvendosje e madhe në politikën europiane, presioni mbi Kosovën duket më i shtensionuar dhe dyshimet se Serbia po negocion në keqbesim janë rritur në mesin e europianëve dhe amerikanëve. Rezoluta e Parlamentit Europian e datës 19 tetor 2023, ndër të tjera, në pikën e saj të gjashtë thekson se:

“një sjellje e tillë ushtarake agresive (e Serbisë), së bashku me mesazhet politike të radikalizuara në Serbi dhe indikacionet e forta të përfshirjes së shtetit serb në dhunën e fundit politike në veri të Kosovës, tregon se qeveria serbe po ndjek një politikë shumë të rrezikshme, por koherente në lidhje me Kosovën dhe partnerët e saj perëndimorë.”

Ndërmjet europianëve dhe amerikanëve ka pasur gjithmonë dyshime për strategjinë e përkëdheljes së Serbisë në bisedime, të cilat kulmuan me letrën publike të nënshkruar prej një grupi parlamentarësh prej vendeve të aleancës transatlantike, përfshi Kongresin e SHBA-së, Bundestagun e Gjermanisë dhe Parlamentin e Britanisë së Madhe, por për herë të parë në një dokument kaq të rëndësishëm si një rezolutë e Parlamentit Europian vendoset theksi tek politika e rrezikshme dhe koherente e Serbisë.

Politika e rrezikshme dhe koherente

Sulmi në Banjskë është shpërfaqje e strategjisë së Serbisë në Kosovë. Që prej humbjes së Kosovës në vitin 1999, ajo është përpjekur që nëpërmjet komunitetit serb në veri të Kosovës të minojë autoritetin dhe juridiksionin e shtetit të Kosovës. Përpjekja është fokusuar në krijimin e një perceptimi të përgjithshëm që serbët e Kosovës nuk e pranojnë legjitimitetin e shtetit të Kosovës dhe në asnjë lloj rrethane nuk do të pranojnë të qeverisen nga autoritetet legjitime të shtetit të Kosovës. Nëpërmjet krijimit të autoriteteve paralele (e më vonë formalizimit të pushtetit paralel brenda institucioneve të Kosovës), Serbia është përpjekur të ndërtojë një shtet brenda shtetit që do të sfidonte legjitimitetin e shtetit të Kosovës. Kjo politikë e Serbisë është koherente. Objektivi themelor mbetet kontestimi i shtetit të Kosovës ndërsa qëllimi final, në varësi të kontekstit, ose shkëputja e territoreve të Kosovës, nëpërmjet organizimit të kryengritjeve të brendshme, ose defunksionalizimi i saj nëpërmjet krijimit të autoriteteve paralele nën maskën e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sulmi në Banjskë, pavarësisht se i pasuksesshëm, synonte nxitjen e shkëndisë së rezistencës më një objektiv të përcaktuar: provokimin e reagimit disproporcional nga ana e institucioneve të sigurisë së Kosovës, duke përligjur në këtë formë narrativën e Serbisë për ushtrim gjenocidi mbi serbët e Kosovës, film ky i parë në vitet e ‘80-ta. Përballë trysnisë së ndërhyrjes së armatosur të Serbisë në veriun e Kosovës, KFOR-i do të ishte i detyruar të merrte në administrim veriun e Kosovës duke hapur derën për rinegociimin e statusit të serbëve të Kosovës. Në këto kushte, Serbia do të siguronte ose shkëputjen e serbëve të Kosovës ose vetëqeverisje të plotë brenda shtetit të Kosovës duke e gjymtuar funksionalitetin e saj. Skenari duket i pabesueshëm nëse nuk kontekstualizohet brenda kornizës së politikës së rrezikshme dhe koherente të Serbisë, jo vetëm mbi Kosovën por mbi të gjithë rajonin në tërësi. Është e rëndësishme të kuptojmë se ideja e botës serbe nuk është imitim i botës ruse pasi e para e paradaton të dytën; ajo është mbështjellje e re terminologjike e idesë së Serbisë së Vjetër, e Serbisë Hyjnore, e Mbretërisë së Dytë. Në këtë kontekst, kuptimi historik i pozitës dhe ambicies së Serbisë është i domosdoshëm për të kuptuar strategjinë e saj të madhe.

Serbia Hyjnore

‘Qenia jonë shpirtërore është e integruar nga feja dhe mitologjia kombëtare. Mbi të gjitha nga miti i Kosovës dhe nga poezia e madhe epike” Dobrica Çosiq (1978).

Në rastin e Serbisë kemi të bëjmë me kombinimin toksik të nacionalizmit mitologjik me pozitën strukturore gjeopolitike që e nxit atë drejt një politike agresive asgjësuese ndaj fqinjëve. Ndërsa shumë kombe manifestojnë nacionalizëm agresiv, Serbia është ndër të paktët raste kur nacionalizmi mitologjik shndërrohet në platformë racionale politike për formimin e shtetit komb. Siç është theksuar edhe nga autorë të tjerë, përgjatë historisë së Serbisë – nga mesjeta e deri në ditët e sotme – çështja se cili territor duhet të përfshihet me kufijtë e shtetit serb ka mbizotëruar gjithmonë mbi shqetësimet e tjera. Në periudhën formative të Serbisë si shtet-komb, ideja e ringjalljes së perandorisë mesjetare u bë thelbi i programit të politikës së jashtme serbe. Ky plan u formulua në vitin 1844 si “Naçertanije” (Programi) i Ilija Garashaninit, ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e princit Aleksandar Karagjorgjeviq. Ndërsa programi i tij përcaktoi në mënyrë eksplicite ringjalljen e perandorisë së Dushanit të shekullit të katërmbëdhjetë si synimin e politikës së jashtme të Serbisë, dallimi ishte se në vend të fesë dhe kulturës së përbashkët, që ishin tiparet unifikuese të perandorisë serbo-bizantine të Dushanit, gjuha dhe përkatësia etnike u bënë kriteret kryesore për formimin e perandorisë moderne serbe. Shënsavizmi – një term serb për përzierjen e veçantë të kishës, shtetit dhe kombit që u krijua nga Shën Sava në fillim të shekullit të trembëdhjetë – u integrua si pjesë e mitit të ri kombëtar. Lidhja e ngushtë mes Kishës Ortodokse Serbe dhe shtetit dhe kombit serb daton pra që nga viti 1219, kur u themelua kisha. Shën Sava, themeluesi i kishës, kombinon etnosin dhe fenë, duke i shkrirë në një “besim serb” të veçantë. Shënsvizmi e konsideron kombin si të shenjtë për shkak të identifikimit të tij me besimin e vetëm të vërtetë. Ndërsa në Kishën Ortodokse Bizantine statusi hyjnor ruhej për perandorin, serbët i dhanë kombit në tërësi statusin hyjnor. Me fjalët e arkimandritit Justin Popoviq: “historia jonë kombëtare është një provë shumë elokuente e ringjalljes dhe fuqisë së Krishtit”. Kështu kombi serb merr përmasa misionare mesianike. Tanimë, asgjësimi i çdo gjëje që qëndron në rrugën e një kombi të tillë të shenjtë është një detyrë. Siç shprehet peshkopi Atanasije Jevtiq: “ne serbët ortodoksë, si dhe popujt e tjerë ortodoksë, jemi në të njëjtën kohë luftëtarë për mbretërinë tokësore dhe për Mbretërinë Qiellore”. Serbia Qiellore, siç argumenton me elegancë Branimir Anzuloviq, është miti kombëtar serb mbizotërues. Dushani, në vitit 1346, u kurorëzua vetë perandor dhe autokrat i serbëve dhe grekëve, një tregues i qëllimit të tij për të zëvendësuar Perandorinë Bizantine me një perandori të re serbo-greke. Vdekja e tij dhe zhvillimet që e pasuan sollën gradualisht shpërbërjen e perandorisë, territoret e së cilës zëvendësohen hap mbas hapi nga Perandoria Osmane. Në përfytyrimin nacional serb, ardhja e turqve ndërpret misionin e krijimit të një perandorie të shenjtë serbe. Disfatën në Betejën e Kosovës ia atribuojnë përkushtimit të tyre ndaj mbretërisë qiellore, pra zgjedhjes së pastërtisë morale në vend të fitores ushtarake. Ky përkushtim shoqërohet me premtimin se Serbia do të ringjallej si një perandori e fuqishme; një ringjallje e perandorisë së Dushanit që shihet si momenti i lavdisë më të madhe, kulmi i shtetit mesjetar serb. Sipas historianit serb Miodrag Popoviq, ishte inteligjenca që e ktheu mitin e Kosovës – premtimin për hakmarrje për disfatën dhe ringjalljen e perandorisë serbe – në thelbin e ideologjisë moderne kombëtare serbe, një përzierje e kombit, fesë dhe traditës pagane parakristiane. “… miti i Kosovës u bë ura shpirtërore ndërmjet inteligjencës borgjeze dhe ndjekësve ende të pranishëm të perëndisë Vid në botën tonë patriarkale-heroike”. Miti i Kosovës e vendosi theksin te Serbia e përvuajtur, e pafajshme, hyjnore që është pre e keqbërësve të huaj që komplotojnë kundër ekzistencës së saj. Besëlidhja e Kosovës u ndërtua mbi objektivin e ringritjes së “Serbisë Hyjnore” e për hir të saj shpartallimit të fqinjëve si një luftë e drejtë kundër së keqes. Kosova kthehet në Jerusalemin e Serbisë. Me fjalët e një patriarku serb: “Kosova është Jerusalemi i Ri, por Jerusalem në Ballkan, në Serbi”.

Perandoria e Dytë

Që prej programit të Garashaninit, objektivat e politikës së jashtme kanë ndryshuar pak ose aspak me përjashtim të rregullimeve si reflektim i realitetit të shpërndarjes së fuqisë në Ballkan. Objektivi i krijimit të Perandorisë së Dytë mbetet i pandërprerë që prej ‘Programit’ të Garashaninit deri tek ‘Bota Serbe” e Aleksandër Vulinit, sepse serbët siç e thekson Nikolla Pashiqi: “kanë pasur gjithmonë një dhunti për madhështi dhe liri”. Një perandori e fuqishme nuk mund të ishte një vend i vogël i izoluar nga dalja në det dhe avantazhet që sjellin rrugët detare të transportit. Serbia duhet të shpartallonte ‘zinxhirët’ që e kufizonin në një territor që nuk mundësonte realizimin e misionit të saj. Pengesë kryesore ishin fqinjët “tokësorë” që pengonin ambicien “hyjnore” të Serbisë. Boshnjakët shiheshin si tradhtarë dhe për një serb “një renegat është armiku më i keq”. Në përfytyrimin e ekstremistëve serbë boshnjakët myslimanë shiheshin si “një popull gjenetikisht i korruptuar që u konvertua në Islam” dhe që “ky gjen kondensohet nga një brez në tjetrin”. Boshnjakët duhet të asimiloheshin duke iu rikthyer traditës së të parëve ose të asgjësoheshin. Pengesë më e rëndësishme ishin kroatët, pasi nuk mund të kishte një Serbi të fortë pa Dalmacinë. Në fillimet e nacionalizmit serb kishte një besim se meqenëse kroatët ishin gjuhësisht afër do të mund të asimiloheshin nga ‘madhështia’ e kombi serb. Kur diçka e tillë u pas se nuk do të ndodhte, siç shprehet një veprimtar serb në Kroaci: “kjo luftë duhet luftuar deri në shfarosje, e juaja apo e jona. Njëra palë duhet të dorëzohet”. Nga ana tjetër, pengesa më e madhe ishin shqiptarët, ata që në përfytyrimin mitologjik serb kishin pushtuar Jerusalemin e Ballkanit, Kosovën. Linja përbashkuese e tre dokumenteve të rëndësishme të nacionalizmit serb, “Programi” i Garashaninit (1844), “Dëbimi i shqiptarëve” i Vaso Çubriloviqit (1937) dhe “Memorandumi” i Akademisë se Shkencave të Serbisë (1986) është krijimi i përfytyrimit të shqiptarëve si dhunues të popullit serb dhe përvijimi i mekanizmave politikë dhe ushtarakë për zgjidhjen përfundimtare të “çështjes shqiptare”. Në përfytyrimin e nacionalizmit serb, shqiptarët janë import i Turqisë, të cilët shtrihen në territoret serbe me shtrirjen e Perandorisë Osmane; pra, disfata e serbëve shihet, rrjedhimisht, si triumf i shqiptarëve dhe, anasjelltas, triumfi i Serbisë si disfatë për shqiptarët. Shqiptarët janë parë si pengesa themelore për arritjen e objektivave të nacionalizmit serb: shtrirjes territoriale mbi Serbinë e vjetër, deri aty ku përfytyrimi i tyre i sheh të shtrirë kishën serbe apo ‘varret serbe’. Ambicien serbe e ushqeu edhe më shumë trefishimi i territorit gjatë luftërave ballkanike, territor në të cilin banonin shqiptarët etnikë.

Dimitrije Tucoviqi e përshkruan më së miri atë që ka ndodhur në këtë periudhë:

“ushtria serbe po shfaroste shqiptarët në Serbinë e Vjetër dhe Shqipëri, bullgarët turq në Traki, dhe turqit dhe shqiptarët grekë në Devoll, sipas besimit kriminal se po kryenin një vepër ‘kombëtare’, besonin se duke i fshirë ata njerëz të pafajshëm nga faqja e dheut, po i largonin vetes një armik me të cilin do të ishte e vështirë të përballeshin në të ardhmen…. Serbia u përpoq të fitonte qasje në Adriatik duke ‘vrarë një komb të tërë’.”

George Kennan-i shkruan se “ishte e vështirë për njerëzit që kishin arritur kaq shumë kohët e fundit, dhe kjo kaq papritur, të dinin se ku të ndalonin”. Gjatë gjithë periudhës në vijim, ëndrra serbe për një perandori të dytë maskohet në forma nga më të ndryshmet. Mbretëria Serbo-Sllovene-Kroate dhe, më pas, Jugosllavia, shiheshin si mjet për ekspansionizmin serb. Siç vëren një studiues, “serbëve u pëlqen ta quajnë jugosllave çdo gjë që është serbe, në mënyrë që më vonë të mund ta quajnë serbe çfarëdo që është jugosllave”. Megjithëse Jugosllavia deri diku detyrohet të pajtohet me realitetin e shtetit shqiptar, gjithmonë është përpjekur ta kontrollojë atë, sepse – siç shprehet Dragisha Vasiq – një prej intelektualëve më në zë të lëvizjes shoviniste të çetnikëve: “Ne po mendojmë për Shqipërinë e cila gjithmonë ishte dhe do të mbetet varri ynë dhe turpi ynë për një kohë të gjatë”.

Objektivi themelor i nacionalizmin serb ndërmjet luftërave botërore dhe në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të orientohet drejt spastrimit të shqiptarëve nga Kosova. Për ta legjitimuar këtë, shqiptarët, myslimanët dhe turqit, shkrihen në një stereotipizim të një populli të prapambetur, e të dhunshëm që i përkisnin një qytetërimi inferior dhe ishin armiqësor ndaj qytetërimit modern prandaj “myslimanët nuk duhet të jetojnë në shtetin serb”. Në këtë kontekst, Vaso Çubrilloviqi, në vitin 1937, e shkruan raportin “Dëbimi i shqiptarëve”, i dorëzuar në Institutin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili përvijon një sërë mënyrash të dhunshme dhe paqësore për asgjësimin e shqiptarëve, nëpërmjet krijimit të kushteve që u pamundësonin jetesën në tokën e tyre, nxitjes së radikalizmit islamik, joshjes për t’u larguar në Turqi e kështu me radhë. Qëndresa e shqiptarëve në Kosovë dhe në treva të tjera të Jugosllavisë u mundësoi atyre t’i mbijetojnë represioneve gjenocidale serbe, duke e shtyrë nacionalizmit serb të mendojë për forma të tjera të spastrimit të shqiptarëve.

Dobrica Qosiq, shkrimtari më i njohur bashkëkohor serb, në një fjalim të vitit 1978 në Akademinë Serbe shprehej se “vendosja e integritetit të plotë kombëtar dhe kulturor të popullit serb, pavarësisht se në cilën republikë ose krahinë jeton, është e drejtë e tij historike dhe demokratike.” Qosiqi e ngriti tezën se shqiptarët etnikë si komb kishin të drejtë të bashkoheshin. I vetëdijshëm se Serbia nuk ishte më në gjendje ta mbante Kosovën nën kontrollin e saj, ai argumentoi se serbët kishin të njëjtën të drejtë; ai sugjeroi që një ndarje e Kosovës do të ishte zgjidhja më e mirë për Serbinë. Natyrisht, një ndarje që gjymtonte Kosovën në favor të ambicieve serbe. Idetë e Qosiqit u shfaqën të elaboruara në një Memorandum të Akademisë së Shkencave të Serbisë të vitit 1986, një manifest i nacionalizmit serb, që plazmoi platformën ideologjike për politikën panserbe të Sllobodan Millosheviqit. Memorandumi përmbante idenë e rreme se serbët në provincën e Kosovës ishin viktima të një gjenocidi fizik, politik, juridik dhe kulturor. Autorët e memorandumit nxitën stereotipat negativë ndaj myslimanëve si një faktor i huaj, inferior dhe shkatërrues. Njëri prej tyre, Jevtiq, shkruante se planifikuesit globalë islamikë kishin për qëllim islamizimin e Serbisë si hap i parë për depërtimin në Europë. Peshkopi Atanasije Jevtiq i portretizonte shqiptarët etnikë si përdhunues të “vajzave adoleshente dhe plakave (në fshatra dhe manastire)” dhe kërkonte “çlirimin dhe bashkimin e mbarë popullit serb dhe themelimin e bashkësisë kombëtare dhe shtetërore serbe në të gjithë territorin serb”. Sllobodan Millosheviqi iu përgjigj këtyre klithmave: “ai e mblodhi popullin serb rreth mitit të Kosovës dhe kultit të Ditës së Vidit, domethënë rreth një kulti hakmarrjeje dhe premtimit të një perandorie të re serbe”, siç vëren me të drejtë Branimir Anzuloviqi tek Serbia Hyjnore. Politika megalomane e Millosheviqit, e mbështetur mbi fuqinë mistike të kombit serb dhe perceptimin e gabuar për aftësinë e popujve fqinj për të rezistuar, pati si pasojë të pasynuar pikërisht atë që Serbia është përpjekur ta shmangë përherë: një vend të kyçur në tokë pa asnjë dalje në det.

Serbia e izoluar

Serbia doli pas luftërave të viteve të ‘90-ta si një vend i izoluar në Ballkan, e rrethuar gjeografikisht dhe politikisht prej vendeve me aspirata euroatlantike. Megjithëse u distancua nga Millosheviqi, Serbia nuk kaloi kurrë në një proces të reflektimi historik dhe është përpjekur që prej atëherë të shmangë përgjegjësinë e saj në luftërat e përgjakshme në Ballkan. Instinkti i origjinës së nacionalizmit të saj vazhdon ta bën të besojë se Serbia është viktimë e padrejtësive, jo vetëm të fqinjëve, por të një operacioni ndërkombëtar, përballë të cilit qëndron Serbia. Ide të tilla megalomane ishin të gjithëpërhapura edhe më parë. Një gazetar i New York Times vërente në vitet e ‘80-ta se shumë klerikë të Kishës Ortodokse Serbe dëshironin të shpëtojë botën nga të këqijat që e kërcënojnë atë dhe me fjalët e njërit prej tyre: “kundërshtari më i ashpër i rendit mason, i cili dëshiron të sundojë botën, është Kisha Ortodokse Serbe”.

Rezistenca për t’iu nënshtruar një reflektimi të thellë për rolin e Serbisë në luftërat në Ballkan lidhet me besimin e kultivuar në mitologjinë kombëtare dhe pagabueshmërinë e kombit serb. Madje, disa mendimtarë të Kishës e kanë përcjellë tezën se mitet janë më të vërteta se historiografia. Dordej Janiqi shprehet se “shkenca historike mund të ndryshojë të vërtetën e saj me çdo fakt të ri. Tradita nuk ka nevojë të ndryshojë asgjë, sepse ajo nuk varet nga faktet, pasi ajo është një imazh i së Vërtetës hyjnore”. E vërteta hyjnore është absolute dhe kombi serb është shprehje e kësaj të vërtete prandaj ai nuk mund të jetë subjekt i gabimeve historike. Kjo lloj mendësie e ka penguar Serbinë të tejkalojë peshën e misionit të perceptuar historik dhe të krijojë një qasje të re ndaj fqinjëve të saj. Raporti i Serbisë me Kosovën dhe angazhimi i saj në negociata të pafrytshme duhet kuptuar në perspektivën e nacionalizmit serb që refuzon të heqë dorë nga substrati i miteve, gënjeshtrave, iluzioneve dhe injorancës së pafalshme në kuptimin e vetvetes dhe fqinjëve që e rrethojnë.

Serbia është përpjekur që me marifete të zhdërvjellëta diplomatike ta shmangë përgjegjësinë për sjelljen e saj; por momenti së vërtetës herët a vonë do të mbërrijë. Serbia do të duhet të zgjedhë ndërmjet Europës ose izolimit. Europa kalon nëpërmjet Kosovës, izolimi nëpërmjet historisë. Dyshoj fort që Serbia të shkëputet prej historisë për të zgjedhur Europën, jo se nuk e do Europën, por e do një Europë që i ngjan Serbisë, jo një Serbi që i ngjan Europës. Me fjalët e Patriarkut Pavëll:

“ne duam të bashkohemi me një Europë vërtetë të krishterë, ku Zoti dhe njeriu do të jenë së bashku, ku lumturia dhe paqja do të ndërtohen si model për të gjithë njerëzimin, jo nën sundimin e një demokracie të shurdhër apo teokracisë së vjetër, por një teodemokracie krijuese dhe të vërtetë”. /revistashenja