Numri i vdekjeve nga përmbytjet që kanë goditur Kenian është rritur në 285, njoftoi sot qeveria e këtij vendi, raporton Anadolu Agency (AA).
Reshjet e dendura çdo vit rreth kësaj periudhe të vitit në Kenia kanë shkaktuar kërdi në të gjithë vendin, me përmbytje, rrëshqitje të tokës, duke lënë mijëra të zhvendosur, bagëti të ngordhura dhe të lashtat të shkatërruara.
Derisa njoftoi rritjen e vdekjeve të lidhura me përmbytjen në një konferencë televizive mbarëkombëtare, ministri Eugene Wamalwa, tha se gati një milion njerëz janë prekur.
“Që nga mesnata e kaluar, numri i përgjithshëm i jetëve të humbura është rritur në 285, numri i personave të prekur është rritur në 810.655”, tha ai.
Wamalwa paralajmëroi se humbja e të korrave është dëshmuar në të gjithë vendin për shkak të përmbytjeve, të cilat mund të çojnë në pasiguri ushqimore.
Ai, megjithatë, u premtoi familjeve të prekura se “qeveria do të vazhdojë t’ju mbështesë në të gjitha 33 qarqet (nga 47) për sa i përket ushqimit”.