Ballina Autorë Opinione Këndvështrime për konfliktin e ri në Lindjen e Mesme

Këndvështrime për konfliktin e ri në Lindjen e Mesme

Muhamed Mufaku

Netanjahu u bë më vonë kryeministër, gjatë 2009-2021. Pikërisht atë vit (2009), në një konferencë në Amman, botuesi dhe analisti kosovar Veton Surroi e hetoi “suksesin” e kësaj politike, duke thënë se me shumëzimin e kolonive në Bregun Perëndimor nuk kishte më hapësirë për një shtet palestinez me kontinuitet gjeografik.

Muhamed MUFAKU, Milford – SHBA

7 tetori 2023 do të mbahet në mend si termet gjeopolitik, që do të sjellë pasoja jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe më gjer. Kuptohet, konflikti i ri, që filloi me një aksion terrorist të dy partnerëve palestinezë (Hamas dhe Xhihadi Islamik) kundër Izraelit, u shndërrua tani në një luftë të përgjakshme, që do ta përcaktojë një imazh tjetër të Lindjes së Mesme. Për t’i kuptuar më mirë shkaqet, ecuritë dhe pasojat, do të ishte mirë t’i kemi parasysh prapavijat që ndikuan në krijimin e gjendjes së re në rajon.

Prej sionizmit laik në sionizmit fetar

Në krahasim me “sionizmin fetar”, që e ruajti gjallë identitetin dhe lidhshmërinë e hebrenjve me vendet e shenjta në Palestinë, duke pritur kthimin e Mesihut për t’i kthyer të gjithë në “vendin e premtuar”, ”sionizmin laik”, si lëvizje kombëtare, u paraqit në gjysmën e dytë të shek. XIX si reagim kundër hovit të antisemetizmit të egër, që u shfaq së pari në Rusi e në vendet tjera pas dyshimit të atentatit kundër carit Aleksadri II më 1 mars 1881.

“Babai i sionizmit laik” ishte shkrimtari hebreo-hungarez Thedor Herzl (1860-1904), i lindur në Budapest në një familje të ardhur nga Zemuni i Serbisë. Herzli ishte poet, dramaturg dhe gazetar, kurse pasiqë familja u vendos në Vjenë, më 1888, ai e studioi edhe drejtësinë. Në fillim ai ishte për integrimin e hebrenjve në vendet europiane ku jetonin, kurse më vonë – si reagim kundër antisemitizmit – më 1896 e botoi, në gjermanisht, librin “Der Judenstaat” (Shteti i çifutëve), i cili ishte kthesë e rëndësishme për një rilindje të re kombëtare. Në këtë libër, tani Herzl-i eshihte zgjedhjen për hebrenjtë jo në integrim nëpër Europë, por në vendosjen e tyre në vend të përshtatshëm. Për këtë i preferoi dy vende (Argjentina dhe Palestina), duke i treguar atrakcionet e tyre, ndërsa e la zgjedhjen në duar të “Lidhjes së Çifutëve”, që e kishte propozuar formimin e saj. Për ta jetësuar idenë e tij për një “shtet çifut”, ai më 29-31 gusht 1897 e organizoi Kongresin Cionist në Bazel, i cili u pajtua me idenë e tij dhe kështu u shndërrua në Organizatën Ndërkombëtare Cioniste (WCO). Kongresi vendosi për zgjedhjen midis Argjentinës e Palestinës, duke theksuar se “sionizmi do të themelojë një atdhe (homeland) për popullin çifut në Palestinë me anë të së drejtës ndërkombëtare”. Kongresi e shtroi një program të ngjeshur për realizimin e këtij qëllimi, duke u bazuar në ndërtimin e kolonive cioniste për hebrenjtë e ardhur në Palestinë, pasi hebrenjtë në Palestinë në vitet e fundit të sundimit osman përbërin më pak 10 për qind të popullsisë.

Organizata Cioniste Botërore e arriti suksesin e parë “me anë të së drejtës ndërkombëtare” kur ministri i Jashtëm Britanik, Arthur J. Balfour, u zotua në deklaratën e tij më 2 nëntor 1917 për gatishmërinë e qeverisë për “themelimin e një atdheu (homeland) nacional në Palestinë për popullin çifut”, por “që nuk i cenon të drejtat civile e fetare të komuniteteve joçifute në Palestinë”, që përbën shumicën e popullsisë. Në atë kohë ushtria britanike ishte në rrugë për në Jerusalem, të cilin e mori në dhjetor të 1917-tës dhe së shpejti e pushtoi tërë Palestinën. Megjithatë, vetëm në konferencën e San Remos, më 25 prill 1920, tani aktorët kryesorë në Ligën e Kombeve (Britania, Franca, Italia dhe Japonia) vendosin që Palestina të jetë nën mandatin britanik, me kusht që ta zbatojë Deklaratën e Balfourit, duke e krijuar një atdhe nacional për hebrenjtë. Ky vendimin kaloi në Këshillin e Lartë të Lidhjes së Popujve, i cili e aprovoi mandatin britanik mbi Palestinën më 24 korrik 1922.

Ndërkohë, WCO-ja e themeloi më 1921 “Ekzekutivin Cionist për Palestinë” (Palestine Zionist Executive), i cili u ngarkua për blerjen e tokave dhe ndërtimin e kolonive me shkolla e spitale, si dhe me organizimin e forcave të armatosura. Me 1929 ky turp u shndërrua në “Agjencinë Çifute për Palestinë” (Jewish Agency for Palestine), e cila e fitoi të drejtën ta përfaqësojë komunitetin në rritje të hebrenjve në Palestinë. Mirëpo, rritja masive e hebrenjve në Palestinë, me struktura të reja ekonomike, shoqërore dhe ushtarake, shkaktoi tensione në vend që nga viti 1929, saqë Londra e detyrua ta dërgojë një komision mbretëror për hetime në krye me Lord Peelin. Komisioni, në raportin e tij, më 1937 propozoi ndarjen e Palestinës në tri pjesë: arabe, çifute dhe një pjesë ndërkombëtare, që do t’i përfshinte qytetet e shenjta (Jerusalemin, Bethlehemin dhe Nazaretin).Mirëpo, të dyja palët e refuzuan këtë ndarje të Palestinës. Mandatori (Liga e Kombeve) në shtator të 1937-tës e organizoi një sesion për t’i shqyrtuar tensionet në Palestinë, kur përfaqësuesi i Shqipërisë, Mehdi Frashëri, propozoi themelimin e një federatë me dy shtete (arabe e hebraike), që po ashtu nuk u pranua.

Me rritjen e aksioneve të armatosura pas Luftës së Dytë Botërore kundër mandatit britanik, Britania e lodhur iu drejtua Kombeve të Bashkuara më 1946 për ta gjetur një zgjidhje për këtë problem. Asambleja e Përgjithshme i shqyrtoi propozimet e ndryshme dhe në fund e nxori rezolutën 181 të datës 29 nëntor 1947. Kjo rezolutë rekomandoi po ashtu ndarjen e Palestinës në tri pjesë: arabe (gati 43 për qind), çifute (56 për qind) dhe ndërkombëtare (1 për qind), që përfshin Jerusalemin me rrethinë. Votimi për këtë rezolutë (33 për, 11 kundër dhe 10 abestenim) ishte një fitore historike për sionizmin laik, ndërsa atë e refuzoi krahu ekstremist në krye me Manahen Beginin, shefin e organizatës ushtarake “Argun”, i cili deklaroi më 30.11.1947 se “territori i premtuar” për popullin hebre përfshin tërë Palestinën dhe Jordaninë dhe “do të mbetet i tij përgjithmonë”.

Nga ana tjetër, edhe Liga Arabe e refuzoi këtë rezolutë, duke apeluar për ta penguar atë me armë përkundër qëndrimit të mbretit A. Zogu, i cili u takua me shtetarët arabë në 1947 dhe i këshilloi të mos shkojnë në luftë, sepse Izraeli u themelua me ndihmë të Perëndimit dhe nëse shkonin në luftë, do humbasim më shumë territore, gjë që u bë. Kështu, në ditën e fundit të mandatit britanik, më 14 maj 1948, kryetari i Agjencisë Çifute për Palestinën, David Ben Gurion, e shpalli pavarësinë e Izraelit, duke u mbështetur në të drejtën historike e natyrale, si dhe në rezolutën e Kombeve të Bashkuara. Ai u bë kryeministri i parë i shtetit të ri. Mirëpo, lufta që filloi të nesërmen me ndërhyrjen e forcave kryesisht të Egjiptit, Jordanisë, Sirisë dhe Irakut përfundoi me armëpushim në mars të vitit 1949 me zgjerimin e Izraelit, i cili tani përfshiu 77 për qind të Palestinës, kurse prej territorit të Shtetit të Izraelit, që u zgjerua deri në armëpushim në mars, u dëbuan 85 për qind të palestinezëve, që u bënë refugjatë në vendet arabe përreth. Në anën tjetër, Jordania e mbajti Bregun Perëndimor me Jerusalemin e vjetër (21 për qind e Palestinës) që më 1950 u bë pjesë e Mbretërisë Hasimite të Jordanisë, kurse Egjipti e mbajti Rripin e Gazës (1.33 për qind e Palestinës) nën administratën ushtarake deri më 1967.

Izraeli u shpall njëkohësisht shtet kombëtar për hebrenjtë dhe shtet demokratik. Fitorja ushtarake e Izraelit ishte fitorja e cionismit laik me partinë e majtë Mabaj – Partia Laburiste që e udhëhoqi jetën politike deri në Luftën e Tetorit 1977, me figurat historike si D. Ben Gurion, Golda Meir, Shimon Peres e të tjerët, që ishin parimisht për ekzistimin e dy shteteve (izraelite e palestineze) me shkëmbim territorial. Ashtu siç ndodhi me aksionin e Hamasit më 7 tetor të vitit 2023, më 6 tetor 1973 Egjipti dhe Siria e befasuan Izraelin me luftën për ta kthyer Golanin dhe Sinain, një luftë që vazhdoi 20 ditë. Pas armëpushimit, filluan hetimet e gjata për përgjegjësinë e qeverisë laburiste, gjë që ndikoi në ngritjen e partisë Likud me orientim të djathtë në krye me M. Beginin, i cili më 1977 arriti të bëhet kryeministër.

Partia Likud, në krye me Beginin, i cili e refuzoi rezolutën e 1947 që parashihte një shtet palestinez, ndoqi një politikë tjetër, që nxiste ngritjen e kolonive në Bregun Perëndimor, pasi që e konsideronte tokë të shenjtë me emrin biblik Judea e Samaria, që përfaqësonin dy mbretëritë hebraike të kohës së vjetër. Këtë politike e ndoqi pasardhësi i tij, Isak Shamir (1983-1992) dhe B. Natanyyahu, që u bë kryeministër më 1996-1999. Netanjahu u bë më vonë kryeministër, gjatë viteve 2009-2021. Piëkrisht atë vit (2009) në një konferencë në Amman, botuesi dhe analisti kosovar Veton Surroi e hetoi “suksesin” e kësaj politike, duke thënë se me shumëzimin e kolonive në Bregun Perëndimor nuk kishte më hapësirë për një shtet palestinez me kontinuitet gjeografik.

Duke e shfrytëzuar miqësinë me R. Trumpin, prej kur ishte përfaqësues i Izraelit në Kombet e Bashkuara (1984-1988), ai me ndihmën e presidentit Trump (2016-2020) ndoqi një qasje të re për minimalizimin e faktorit palestinez, kjo me anë të normalizimi të marrëdhënieve me disa shtete arabe (Emiratet e Bashkuara, Bahrainin, Marokun), duke dëshmuar me këtë se refuzimi i të drejtave të palestinezëve në shtetin e tyre nuk e pengon më zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike e kulturore me shtetet arabe.

Ndërkohë, më 2019 u shpallen akuzat kundër Netanjahut për abuzim të pushtetit dhe korrupsion, andaj më 2021 ai e humbi shumicën. Për t’i ikur burgut, Netanjahu arriti në dhjetor 2022 ta formojë qeverinë në koalicion me të djathtën ekstremiste (sionizmi fetar), që e sfidoi Perëndimin. Kështu, Natanjahu që e kishte gjithnjë rrugën e hapur për Shtëpinë e Bardhë, nuk ishte më mysafir i dëshiruar në mandatin e presidentit Biden. Si pasojë e shumë ndërhyrjeve, presidenti Biden pranoi të takohet me të në një hotel në New York gjatë sesionit të Asamblesë vjetore të Kombeve të Bashkuara në shtator të vitit 2023, pasi që qëndrimi amerikan ishte i prerë për dy shtete (izraelite e palestineze) si zgjedhja e vetme e konfliktit shumëvjeçar.

Raporti Hamas-Netanjahu si kontrast

Njohësit e gjendjes në Lindjen e Mesme e njohin këtë raport interesant, që i përfshin dy ekstremet izraelite dhe palestineze.

Në mesin e refugjatëve palestinezë më 1960 u formua TATAH-u (Lëvizja për Çlirimin e Palestinës) në krye me Jaser Arafatin, i cili pas luftës së vitit 1967 midis Izraelit dhe Sirisë e Egjiptit u bë figurë e njohur dhe u zgjodh në krye të OÇP-së (Organizata për Çlirimin e Palestinës) pranë Ligës Arabe, e cila në samitit e Rabatit më 1974 e njohu atë si “Përfaqësues i vetëm legal i popullit palestinez”. Me kalimin e Arafatit prej Bejrutit në Tunizi më 1982, si pasojë e pushtimit izraelit të Libanit, ai mori qasje më praktike, duke pranua ekzistimin e Izraelit, përkatësisht të një shteti palestinez që përfshin Bregun Perëndimor dhe Gazën. Mirëpo, ky orientim i ri u refuzua nga e majta dhe e djathta palestineze. Në këtë drejtim, e djathta palestineze, që ishte pjesë e Vëllazërisë Myslimane e shpalli më 1988 kartën e organizatës së re islamike HAMAS (Lëvizja e Rezistencës Islamike), e cila apelonte për xhihad për ta çliruar tërë Palestinën, pra pa pranuar ekzistimin e Izraelit si shtet.

Megjithatë, qasja e re praktike e Arafatit solli frytet pas Konferencës së Madridit për Paqe më 1991, duke hyrë në negociata sekrete me qeverinë laburiste në Izrael në krye me Isak Rabinin (1992-1995). Si pasojë kësaj, u arrit “Marrëveshja për autonominë tranzicionale”, që u nënshkrua në Uashington në praninë e presidentit B. Klinton më 13 shtator 1993, për çka Arafati me Rabinin dhe Sh. Peresin e fituan çmimin Nobël për Paqe. Me këtë marrëveshje u dakordua që palestinezët të gëzojnë autonomi të gjerë me parlament e qeveri, kurse pas 3 vjetësh do të fillojnë negociatat për “statusin final”. Kjo marrëveshja u refuzua në mënyrë kategorike nga e djathta izraelite dhe palestineze. Si pasojë, kryeministri Isak Rabin më 4 nëntor 1995 u vra nga një ekstremist izraelit (Igal Amir).

Me këtë rrëmujë, e djathta në Izrael (Likud, në krye me B. Netanjahun) fitoi në zgjedhjet e reja më 1996 dhe kështu Netanjahu u paraqit si kryeministri më ri në historinë e Izraelit. Netanjahu, si nxënës i M. Beginit, i cili e formoi këtë parti dhe nuk e pranoi më 1947 rezolutën e Kombeve të Bashkuara, që përfshinte formimin e një shteti palestinez, bëri çmos që të dështojë Marrëveshja për Autonomi Tranzicionale dhe e pengoi në çdo mënyrë që të formohet një shtet palestinez. Për ta forcuar rivalin palestinez kundër Arafatit, ai më 2006 pranoi që Hamasi të marrë pjesë në zgjedhjet për Këshillin Legjistativ Palestinez, që përfshinte Gazën dhe Bregun Perëndimor dhe kështu Hamasi e fitoi shumicën (76 ulëse nga 132). Netanjahut i përgjigjej thirrja e Hamasit për xhihad për ta alarmuar të djathtën në Izrael, duke punuar për lokalizimin e autonomisë palestineze në Gazë dhe shumëzimin e kolonive në Bregun perëndimor derisa numri i kolonëve arriti në 800 mijë (përballë 2.880.000 palestinezë). Në këtë kontekst, Netanjahut i përgjigjej konflikti midis Hamasit dhe Fatahut, që e arriti kulmin më 2007 me dëbimin i ithtarëve të Fatahut nga Gaza, e cila prej atij viti u fut nën pushtet absolut të Hamasit si minishtet islamik.

Ndërkohë, me Pranverën Arabe më 2011 Vëllazëria Myslimane u paraqit si forcë politike që e e promovoi Islamin politik në Egjipt, Siri e më gjerë. Kjo ishte fitore e madhe për Hamasin si “krah palestinez i Vëllazërisë Myslimane”. Mirëpo, në anën tjetër, u paraqit “Blloku i matur arab”, që përfshinte shtetet e Gjirit, me përjashtim të Katarit, që e shpallën “Vëllazërinë myslimane” si organizatë terroriste. Në këtë klimë të re, Netanjahu, me antipatinë e rrënjosur kundër Iranit, i cili nuk e pranonte ekzistimin e Izraelit si shtet dhe e furnizonte Hamasin me arma, gjeti bazë për tajkalimin e faktorit palestinez me normalizimin e marrëdhënieve me shtetet e Gjirit, të cilët nuk ndjeheshin rehat me zgjerimin e ndikimit iranian në rajon me anë të Hizbullahut në Liban e Siri dhe me Hamasin në Gazë. Në këtë drejtim, gjeti përkrahjen te presidenti i ri amerikan, D. Trump, miku i tij personal që prej viteve të 80-ta të shek. XX. Kështu, me ndihmën e Trumpit u arritën Marrëveshjet e Abrahamit më 15 shtator 2020 me Emiratat e Bashkuara Arabe dhe Bahrainin si pikënisje, që vërtetuan tezën e Netanjahut se mund të arrihet paqe e bashkëpunim ekonomik e kulturor me vendet arabe pa ndonjë shtet palestinez.

Mirëpo, me fitoren e Bidenit në zgjedhjet presidenciale më 2020, u kthye agjenda e Partisë Demokratike për Lindjen e Mesme, përkatësisht për “dy shtete izraelite e palestineze”. Me formimin e qeverisë më ekstremiste në historinë e Izraelit, në dhjetor të vitit 2022, u krijua një bojkot amerikano-europian i kësaj qeverie. Pas shumë përpjekjeve, Bideni pranoi ta takojë Netanjahun gjatë sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 20 shtator 2022. Në këtë takim presidenti Biden e theksoi vizionin amerikan për paqe në Lindjen e Mesme: dy shtete – izraelite e palestineze me normalizimin e marrëdhënieve Izraelite-saudite. Normalizimi i marrëdhënieve me Arabinë Saudite, me peshën që e ka ky shtet në botën arabe-islame, si dhe me potencialin ekonomik, do të thoshte shumë. Kjo do të ishte një fitore e madhe e Netanjahut, që do ta detyronte të bënte lëshime për faktorin palestinez.

Pas këtij takimi “historik”, filluan të rrjedhin lajmet për ecuritë e normalizimit të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, që do të sillte ndryshime të mëdha në Lindjen e Mesme, pasi Gjiri do të bëhet urëlidhëse midis Indisë dhe Mesdheut nëpër Izrael, duke imponuar të hapen autostrada dhe një kanal tjetër paralel me kanalin e Suezit prej Eilatit në Mesdhe. Me këto vizione dhe kalkulime për fitime të mëdha për Izraelin dhe vendet e Gjirit erdhi aksioni terrorist i Hamasit si goditje indirekte nga Iranit, rivali kryesor i Izraelit në rajon, që do të pësonte prej normalizimit të marrëdhënieve të Izraelit me vendet e Gjirit. Shoku që e tronditi Izraelin më 7 tetor e “ngriu” normalizimin me vendet arabe dhe e futi Izraelin në Luftë më të gjatë në historinë e Izraelit.

Koncepti i ri i Antisemitizmit

Me befasinë që e tronditi Izraelin, Perëndimi u solidarizua me Izraelin në mënyrë të paparishikuar, duke i dhënë të drejtë Izraelit për vetëmbrojtje, përkatësisht për çrrënjosjen e Hamasat si forcë armike e Izraelit.

Mirëpo, në këtë solidaritet me Izraelin, përkatësisht për shkatërrimin e Hamasit, që u shndërrua në shkatërrimin e Gazës, kuptimi i antisemitizmit u zgjerua në SHBA dhe në Europë. Kështu, në disa shtete europiane u ndaluan protestat kundër luftës në Gazë, që mori jetën e 15 mijë viktimave, shumica fëmijë e gra, sikurse u ndalua ngritja e flamurit palestinez i cili valon ende në Izrael, kjo sipas marrëveshjes së vitit 1993. Në SHBA u mbajtën shumë protesta, që e ngritën flamurin palestinez dhe kështu u rrit dukshëm presioni nga radhët e Partisë Demokratike për presidentin Biden, i cili filloi nismën për një ndërprerje të zjarrit, që e konsideronte në ditën e parë si “hapi i parë që shpie në fund në dy shtete” (izraelite e palestineze). Megjithatë, në jetën e përditshme dilnin qasje tjera, që e zgjeronin konceptin e antisemitizmit, që përfshinte tani hartën e njohur që i paraqet ndryshimet demografike në Palestinë-Izrael në 100 vjetët e fundit.

Çështja filloi me fjalimin e presidentit turk Erdogan në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 24 shtator, në të cilin ai e kritikoi “Akordimin e shekullit” (normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite) dhe heshtjen e Kombeve të Bashkuara për kolonizimin e territoreve palestineze, duke e shfaqur hartën e njohur për ndryshimet demografike, saqë nuk ka më baza për një shtet palestinez. E njëjta hartë ishte në bilbord në një stacion të metrosë në Nju-Jork, që nuk tërhoqi ndonjë vërejtje, kurse pas 7 tetorit i shpall si shprehje e antisemitizmit, ndonëse tregon vetëm fakte të ndryshimeve demografike në Palestinë-Izrael në 100 vjetët e fundit.

Çka pas kësaj lufte?

Sipas nenit 40 të ligjit themelor (Izraeli ende nuk ka kushtetutë) Netanjahu e shpalli menjëherë” gjendjen e luftës” me mobilizimin e forcave rezerviste, gjë që i rriti forcat e armatosura në 550. 000 ushtarë, për ta sulmuar Rripin e Gazës (vëtëm 365 km katrorë) për ta çrrënjosur Hamasin. Mirëpo, kjo luftë kundër një organizatë militante u shndërrua në “Luftën më të gjatë të Izraelit”. Sikundër dihet, Izraeli më 1956, 1967 dhe 1973 hyri në luftë frontale me shtete (Egjipti, Jordani dhe Siri) duke shënuar fitore të mëdha dhe zgjerime territoriale. Mirëpo, të gjitha këto luftime me fitore spektakulare nuk zgjatën më shumë se 32 ditë, kurse tani kjo luftë kundër Hamasit arriti në ditën e 50-të pa ndonjë fitore të dukshme kundër Hamasit, por vetëm me shkatërrim të Gazës dhe 12 mijë viktima, gra dhe fëmijë, gjë që ngjalli reagime brenda dhe jashtë Izraelit.

Netanjahu e ka kuptuar se ka marrë fund karriera e tij politike, pasi parashikimet tregojnë pakënaqësi të madhe kundër tij dhe partisë Likud, kështu që pritet që në zgjedhjet e reja – pas kësaj lufte – të redaktuhen dukshëm partitë ekstremiste në krye me Likudin. Kështu, qysh në ditën e dytë të armëpushimit, Netanjahu shpalli gatishmërinë që të tërhiqet nga politika, por kërkoi afat derisa ta kryejë objektivin e luftës – shkatërrimin e Hamasit.

Ekspertët ushtarakë në Izrael vlerësojnë se deri tani është shkatërruar vetëm 10-përqindëshi i forcës ushtarake të Hamasit dhe se lufta do të vazhdojë gjatë me këtë rritëm. Vetë ekspertët në Izrael pajtohen se Hamasi nuk është vetëm një organizatë militante, por një ideologji e rrënjosur në Gaza e më gjerë. Vetë 4 ditët e ndërprerjes së luftës dhe lëshimit të palestinezëve prej burgjeve Izraelite treguan sa u rrit popullariteti i Hamasit në Gazë, në Bregun Perëndimor e deri në Jordani, ku gjysma e banorëve janë refugjatë palestinezë ose me origjinë palestineze. Andaj, zotimet që i mori mbi vete Netanjahu (shkatërrimi i Hamasit dhe shtrimi i kontrollit të Izraelit në Gazë që ta pengojë ripërtëritjen e Hamasit) duken tani të paarritshme përkundër afatit që iu dha prej vendeve arabe që e shikojnë Vëllazërinë Myslimane (me Hamasin) si organizatë terroriste.

Krejt kjo është arsyeja që tani dalin edhe qëndrime të reja të SHBA-së dhe Bashkimit Europia. Kështu, përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme, J. Borrell, propozoi një prani ndërkombëtare në Gaza, gjë që do krijonte kushte për një transformim demokratik pa Hamasin si organizatë militante, kurse u përmend Kosova si model për Gazën. Nën tjetër, presidenti egjiptian Al-Sisi u deklarua në ditën e dytë të ndërprerjes së luftës për një “shtet palestinez të demilitizuar ose me prani ndërkombëtare”. Nëse merret seriozisht deklarata e presidentit Biden për ndërprerjen e luftës për 4 ditë si “hapi i parë në një rrugë të gjatë që shpie në dy shtete” (Izraelite e palestineze), atëherë do të ishte interesi i përbashkët të merret Kosova si shembull, të vendoset një prani ndërkombëtare me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit, e cila do t’i çarmatoste pjesëtarët e Hamasit dhe do të siguronte një tranzicion për një jetë demokratike në Gazë, si një pjesë e një shteti palestinez, i cili mendohet si zgjedhje e vetme për sigurinë e Izraelit.

Kështu, prej kësaj të keqe mund të pritet ndonjë e mirë për dy popujt fqinjë dhe për dy shtetet, izraelite e palestineze, që do të fitonin prej normalizimin e marrëdhënieve me vendet e Gjirit. /revistashenja

Exit mobile version