Nisur nga parimi dhe maksima e pranuar unanimisht nga të gjithë dijetarët dhe ideologët myslimanë, që Sheriati-jurisprudenca islame është një thesar i pashtershëm i zgjidhjeve dhe qasjeve të thella për problematikat dhe komplekset e çdo kohe dhe çdo vendi, pavarësisht nga shkalla e zhvillimit njerëzor, theksojmë me bindje të thellë që Sheriati islam dhe juristët e tij janë munduar të ofrojnë juridiksione dhe normatizime juridike, thënë më troç: të ofrojnë shtegdalje sheriatike në çdo kohë edhe për disa çështje që u përkasin mjekësisë, sëmundjeve, shërimit, rehabilitimit e të ngjashme.
Mirëpo, është evidente se çështjet e tilla nuk e kanë ruajtur thjeshtësinë e vet sikurse ishin në të kaluarën, veçse ato janë komplikuar edhe më tej në kohën moderne, ato kanë marrë karaktere e forma të ndryshme, madje u janë imponuar të gj ithë njerëzve pa dallim race a feje. Kështu që nga ky ballafaqim nuk janë kursyer as myslimanët, ngase edhe ata janë pjesë e trendit të zhvillimeve njerëzore dhe sfidave të ndryshme moderne, me të cilat ballafaqohet njerëzimi.
Mirëpo në dallim nga të tjerët, myslimanët janë të kujdesshëm e të interesuar që çdo veprimtari e tyre në çfarëdo fushe të jetë në përputhje me dispozitat normative të Sheriatit islam. Andaj dijetarët e jurisprudencës (fukahatë) edhe në këtë kohë përpiqen që, me anë hulumtimesh individuale të tyre – ixhtihadit, të ofrojnë zgjidhje e justifikime sheriatike për këto çështje, por shumë më seriozisht këtë e kanë marrë akademitë e së drejtës islame-hulumtimeve dhe fetvave, që veprojnë sot me zellshmëri dhe elan në mbarë Botën Islame. Akademi të tilla ekzistojnë në kuadër të organizatave të ndryshme po edhe karakteri i tyre është ndërkombëtar, si: “Akademia e së Drejtës Islame”, pranë “Konferencës Islamike”, pastaj Akademia e Fikhut së Drejtës – Islame pranë “Ligës e Botës Islame”, por pak më afër për ne këtu në Evropë është: Akademia Evropiane për Hulumtime e Fetva që vepron në kuadër të Unionit të Organizatave Islame në Evropë, e që udhëhiqet nga dijetari i mirënjohur Dr. Shejh Jusuf El Kardavi.
Dhe, me ekzistimin e këtyre akademive, pothuajse është gjetur adresa e shtjellimit, paraqitjes dhe ofrimit të zgjidhjeve për çdo çështje të fikhut, nëse dihet se këto akademi nën ombrellën e tyre kanë mbledhur shumicën e atyre dijetarëve islamë që Bota Islame i njeh për elanin, devotshmërinë dhe dijen e madhe që u ka dhuruar Allahu i Lartmadhërishëm.
Prandaj, për çështjet e mjekësisë bashkëkohore që do të mundohemi t’i shtjelloj më, në shumë raste do t’u referohemi vendimeve të dala nga këto akademi eminente, ngase ato përfaqësojnë, kryesisht, mendimin e shumicës së dijetarëve të Botës Islame.
Ne, në këtë shtjellim tonin do t’u qasemi vetëm disa prej problemeve të mjekësisë moderne dhe do të mundohemi të paraqesim edhe këndvështrimin juridiko-islam për to, duke u mbështetur në dritën e argumenteve islame dhe tek mendimet e interpretimet e euriditëve-dijetarëve islamë.
Dispozita islame për kërkimin e shërimit
Ekziston një konsensus tek dijetarët e katër shkollave juridike islame (medh’hebeve) se kërkimi i shërimit është çështje e lejuar dhe e ligjshme sipas Sheriatit islam.(1)
Ky parim është mbështetur në shumë argumente, e prej tyre është edhe hadithi që transmeton Muslimi – në zinxhirin e tij nga Xhabir ibn Abdullahu, e ai nga I dërguari i Allahut, se ka thënë: “Për çdo sëmundje ekziston edhe ilaçi, e nëse e qëllon (është adekuat) ilaçi sëmundjen, atëherë do të shërohet me dëshirën e Zotit xh. sh.(2)
Po ashtu transmeton Ebu Davudi – në zinxhirin e tij nga Ebu Derda se Muhamedi s.a.v.s ka thënë: “Vërtet Zoti e ka zbritur sëmundjen, por edhe shërimin, edhe për çdo sëmundje ka bërë ilaç, prandaj kërkoni shërim, mirëpo mos kërkoni shërim me haram – gjëra të ndaluara.”(3)
Këto dhe argumente të tjera të ngjashme, bëjnë me dije qartazi se Zoti i Madhërishëm nuk aprovon ligje që në një mënyrë ose në një tjetër persekutoj në apo e bëjnë të vuajë myslimanin, përkundrazi ka hapur rrugë para tij, që të hulumtojë për shërim e ilaç për aq sa ia lejojnë atij rrethanat dhe kushtet e tij jetësore. Megjithatë, kjo lejueshmëri është e kushtëzuar vetëm me një kusht, i cili në realitet është në interes të vetë njeriut, pra kushtëzohet që shërimi i tij të bëhet me mënyra e metoda të lejuara nga Sheriati.
Së pari: Norma e mjekimit (kurimit) me elemente – materie të ndaluara
Me këto elemente – materie kemi parasysh ato me të cilat e kemi të ndaluar që të ushqehemi ose t’i përdorim për pije siç janë pijet alkoolike dhe mishi i derrit.
Të gjithë dijetarët pajtohen që lëndët narkotike, pijet dehëse dhe mishi i derrit janë të ndaluara – haram për myslimanin dhe për këtë çështje ekzistojnë tekste të qarta, që nuk pranojnë ndonjë interpretim i cili të zbehte a të shfuqizonte këtë normë.
Ndërsa, se a lejohet të përdoren alkooli dhe lëndët narkotike, dhe pjesë nga organizmi i derrit për mjekim, për këtë do t’u referohemi vendimeve të dala nga Akademia e Fikhut Islam – me seli në Xhedë, që vepron në kuadër të Organizatës së Konferencës Islamike.
Rekomandimet e komisionit mjekësor për këtë çështje janë dhënë më datën 24.06.1995, respektivisht më 24.12.1415 h. Seanca e këtij komisioni është mbajtur në Kuvajt.
Akademia merr këto vendime:
1. Alkooli si materie nuk është i ndytë juridikisht, në bazë të asaj që konstatuam, që gjërat në parim janë të pastra, pavarësisht se a është alkooli i pastër apo i përzier me ujë, duke u bazuar në mendimin se ndyrësia e alkoolit është ndyrësi kuptimore – jo lëndore, duke e konsideruar atë si të ndytë dhe prej punëve të shejtanit.
2. Pasi alkooli është lëndë dehëse, ndalohet rreptësisht konsumimi i tij, por juridikisht nuk ka të keqe nëse ai përdoret për qëllime mjekësore si dezinfektues i lëkurës, varrës, ose përdoret si mekanizëm antibakterial, apo edhe përdoret nëpër parfume aromatike si materie që shkrin lëndët aromatike, ose edhe nëpër kremra – pasta, e këto të fundit nuk hyjnë në kuadër të alkoolit – verës, konsumimi i të cilit ndalohet.
3. Insulina – në esencë – e nxjerrë nga organizmi i derrit, lejohet të përdoret për të sëmurët që vuajnë nga sëmundjet e sheqerit, dhe kjo në suaza të konditave islame. Ndërsa kremrat – yndyrat dhe materiet zbukuruese që në përbërjen e tyre kanë dhjamë derri, ndalohet të përdoren, përveç nëse vërtetohet se tashmë ato materie janë tretur dhe janë shndërruar në diçka tjetër. E nëse nuk vërtetohet kjo, atëherë materiet e tilla janë të ndyra.
4. Materiet anestezike-narkotike janë të ndaluara të përdoren përveç për shërim (për të mundësuar ndërhyrjet kirurgjike), dhe ato juridikisht janë të pastra.(4)
Së dyti: Transplantimi i organeve
Megjithëse në të kaluarën, ndoshta edhe jo shumë të largët, shumë gjëra dhe kompleksitete mjekësore ishin të paimagjinueshme për t’u arritur e realizuar, megjithatë sot, me përparimin e mjekësisë dhe sofistikimin e mjeteve të saj, vihet re se mundësitë e shërimit – kurimit janë më të arritshme se kurdoherë më parë. Në rrethana të tilla do të ishte obligim i dijetarëve – më saktësisht, i juristëve islamë që t’u qasen shumë prej mënyrave të realizimit të këtij kurimi edhe në dritën e normave islame, në mënyrë që myslimani të gjejë justifikim (shtegdalje) edhe ligjore-sheriatike por edhe të arrijë të shërohet më vullnetin e Të Plotfuqishmit Allah.
Prej metodave mjekësore që aplikohen sot në mjekësinë moderne, është edhe ajo e transplantimit të organeve prej një organizmi në tjetrin, por edhe nga një vend në një tjetër të organizmit tek vetë i sëmuri.
Ashtu siç rekomanduam edhe më parë, që për këto çështje t’u referohemi akademive juridike islame, meqenëse ato grumbulluan nën ombrellën e tyre një grup të mjaftueshëm të ajkës së dijetarëve bashkëkohorë, edhe këtu do t’ u referohemi atyre – për të parë vendimet e tyre të dala nga simpoziumet e mbajtura përkitazi me këto problematika.
Para së gjithash është e udhës të sinjalizojmë që me transplant të organeve kemi parasysh shartimin heqjen e disa organeve dhe mbjelljen e tyre në një vend tjetër.(5)
Vendimi i Akademisë Evropiane për Fetva dhe Studime:
a) Akademia e konfirmon vendimin e Akademisë së Fikhut Islam në Mekë (pranë Ligës së Botës Islame) dhe vendimin e Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam në Xhedë (pranë Organizatës së Konferencës Islamike) nr. 26(1/4) përkitazi me shfrytëzimin e organeve të trupit të një njeriu tjetër, qoftë i gjallë apo i vdekur.
Përkufizimi dhe ndarja
1. Me termin “Organ” këtu është fjala për çdo pjesë të njeriut si: indet, qelizat, gjaku dhe të ngjashme, pavarësisht se a është i ngjitur apo i ndarë nga njeriu.
Kurse me “shfrytëzim” synohet veprimi që është i domosdoshëm që personi përkatës të mbetet gjallë, ose që të ruhet një funksion themelor i trupit, si të parit e të ngjashme.
Format e këtij shfrytëzimi ndahen në tri sosh, si vijon:
1. Transplantimi i organit prej të gjallit
2. Transplantimi i organit prej të vdekurit
3. Transplantimi prej foshnjave.
Forma e parë: Transplantimi i organit prej njeriut të gjallë, përfshin këto raste:
a) Transplantimi i organit prej një vendi të trupit në një vend tjetër, siç është rasti i transplantimit të lëkurës, kërcës, eshtrave, gjakut etj.
Dispozita e sheriatit për këtë: Lejohet transplantimi i organit të trupit të njeriut në një vend tjetër të trupit të tij, por me kusht që të jemi të bindur se dobia e pritur nga ky operacion është më e sigurt se dëmi që mund të pasojë nga operacioni i tillë. Kushtëzohet gjithashtu që operacioni të bëhet për të kompensuar një organ të humbur, për të riformuar, riparuar funksionin e tij, ose që të eliminohet a sanohet një e metë a shëmtim, i cili dëmton shpirtërisht apo fizikisht njeriun.
b) Transplantimi i organit prej trupit të një njeriu të gjallë në trupin e një njeriu tjetër. Me këtë rast organi është dy llojesh: Organ nga i cili varet jeta, dhe ky mund të jetë i njëfishtë dhe mund të jetë jo i njëfishtë. Organi i njëfishtë si: zemra e mushkëritë, ndërsa jo i njëfishtë si: veshkat e të ngjashme.
Dhe organe nga të cilat nuk varet jeta e njeriut, nga të cilat kemi disa që kryejnë funksion esencial në trup dhe disa të tjera që nuk e kanë këtë funksion. Po ashtu disa prej tyre përtërihen automatikisht, si për shembull gjaku, kurse disa prej tyre nuk përtërihen automatikisht.
Pastaj, disa prej tyre kanë ndikim në gjenezë, gjene dhe në personalitetin e përgjithshëm, si për shembull testiset, vezorja, qelizat e sistemit nervor, kurse disa prej tyre nuk kanë kurrfarë ndikimi nga ato që u përmendën.
Dispozita e Sheriatit për këto detajizime
I . Lejohet të transplantohet organi prej trupit të një njeriu në trupin e një njeriu tjetër, nëse ky organ përtërihet automatikisht, siç janë gjaku e lëkura. Dhe dhuruesi i këtyre organeve duhet të jetë i pjekur e t’i plotësojë kushtet e tjera juridike.
II. Lejohet të shfrytëzohet një pjesë nga organi i cili është këputur prej trupit për shkak të ndonjë sëmundjeje të personit tjetër, si marrja e kornesë së syrit, në rast të neutralizimit të syrit të tij për shkak të ndonjë sëmundjeje.
III. Ndalohet të bëhet transplantimi prej një njeriu tek një njeri tjetër, i një organi nga i cili varet jeta, si për shembull zemra.
IV. Ndalohet transplantimi i organit prej një njeriu të gjallë, nëse ai paralizon një funksion esencial në jetën e njeriut, edhe pse jeta e njeriut nuk varet nga ky organ, si për shembull transplantimi i komesë së të dy syve.
c) Transplantimi i organit prej të vdekurit – Vdekja këtu përfshin dy raste:
I pari: Vdekja e trurit, me paralizimin e plotë të të gjitha funksioneve të tij, të cilat nuk mund të riparohen në aspektin mjekësor.
I dyti: Vdekja e plotë e zemrës dhe pushimi i frymëmarrjes, pa pasur mundësi të kthehen në aspektin mjekësor.
Dispozita e Sheriatit për këtë transplant
Lejohet transplantimi i organit prej një të vdekuri tek i gjalli, nëse nga ky organ varet jeta e tij, ose nga ky organ varet rrjedha e një funksioni esencial në atë organ.
Për këtë kushtëzohet që i vdekuri të ketë dhënë leje para se të vdesë, ose për këtë të japin leje trashëgimtarët e tij pas vdekjes, ose për këtë të japë leje udhëheqësi i myslimanëve.
Duhet të kihet parasysh: Pëlqimi për lejimin e transplantimit të organit në rastet e sipërpërmendura, kushtëzohet në mënyrë që të mos bëhen me anë të shitjes, sepse njeriu në asnjë rast nuk lejohet të bëhet objekt i shitjes.
d) Mbjellja e gjëndrave gjenitale. Pasi testiset dhe vezorja vazhdojnë t’i ruajnë dhe t’i sekretojnë vetitë gjenetike të personit nga i cili janë transferuar, madje edhe pasi të jenë transferuar te personi tjetër, – mbjellja e tyre është haram – e ndaluar.
E nëse janë organe që nuk transmetojnë veti gjenetike – me përjashtim të pjesëve të rënda të avretit – është e lejuar për ndonjë domosdoshmëri legjitime, në përputhje me rregullat sheriatike.
3. Ndërsa, për sa i përket transplantim it të organeve ose qelizave nga truri ose organizmi i foshnjës së hershme-embrionit (në javën e dhjetë a të njëmbëdhjetë), – vlen dispozita se ky transfer është i ndaluar, sepse kjo realizohet me hapjen e mitrës me operacion, e kjo shkakton realisht vdekjen foshnjës.
Kjo lejohet vetëm nëse bëhet pas abortimit jo të qëllimshëm, ose atij që është i lejuar për të shpëtuar jetën e nënës.(6)
Së treti: Autopsia e kufomave (mjekësia ligjore)
Akademia e Fikhut Islam (pranë Ligës së Botës Islame) në seancën e saj të dhjetë, mbajtur në Mekë më 17 tetor 1987, ka marrë vendimin vijues.
Duke u nisur nga fakti që domosdoshmëritë që kërkojnë autopsinë e kufomave të të vdekurve, dhe në raste të tilla interesi-dobia do të ishte më e madhe sesa dëmi i shkeljes së nderit dhe shenjtërisë së njeriut të vdekur, Akademia merr këtë vendim;
Së pari: Lejohet autopsia e kufomave të të vdekurve, për ndonjë nga këto qëllime:
a) Që me anë të autopsisë të bëhet verifikimi i ndonjë padie gjyqësore, për njohjen e shkaqeve të vdekjes, ose krimit të kryer, në rast se është e paq-artë për gjykatësin njohja e shkaqeve të vdekjes, dhe autopsia mbetet rruga e vetme për njohjen e atyre shkaqeve.
b) Të verifikohen sëmundjet të cilat kërkojnë autopsinë, që të merren në dritën e tyre edhe masat parandaluese, si dhe gjetja e barnave shëruese për sëmundjet e tilla.
c) Për çështje arsimore e shkencore, siç bëhet në fakultetet e mjekësisë.
Së dyti: Nëse autopsia bëhet për qëllime shkencore – arsimore, duhet të kihen parasysh, kushtet vijuese:
I. Nëse kufoma është e një njeriu që njihet, kushtëzohet leja e tij para vdekjes, ose të japin leje trashëgimtarët e tij pas vdekjes, dhe nuk lejohet autopsia e njeriut të pafajshëm – përveç në rast domosdoshmërie.
II. Autopsia duhet të kufizohet vetëm në atë masë sa është e domosdoshme, në mënyrë që të mos bëhet lojë me kufomat e të vdekurve.
III. Kufomave të femrave nuk lejohet t’u bëjë autopsinë askush përveç mjekeve femra, natyrisht lejohet po të mos ketë fare mjeke femra (një gjendje pothuaj e paimagjinueshme sot).
Së treti: Në të gj itha rastet duhet të bëhet varrimi i të gjitha pjesëve të kufomës së autopsuar.(7)
Këto ishin vetëm disa prej këndvështrimeve,studimeve dhe vendimeve nga akademitë juridike islame rreth disa çështjeve të mjekësisë bashkëkohore,të cilat tregojnë qartazi për interesimin e madh që kanë shfaqur dijetarët islamë kundrejt çdo të reje ose problematike, që, para së gjithash, kërkojnë përkufizim juridik islam dhe përcaktim të dispozitës islame për të. Gjithsesi, në parim ritheksojmë qëndrimin e Sheriatit islam – se shërimi është proces i ligjshëm dhe i natyrshëm, por kjo nuk nënkupton doemos që të gjitha proceset dhe mekanizmat mjekësorë janë të pranueshëm në dritën e argumenteve të Sheriatit; në qoftë se vërejmë ndonjë censurim a kushtëzim të këtyre operacioneve dhe mekanizmave, duhet të bindemi thellë se ato janë vënë në të mirë të përparimit të interesave të njerëzve dhe për shmangien e gjërave që në çfarëdo mënyre dëmtojnë apo cenojnë fenë, nderin dhe shëndetin e dinjitetin e njeriut.
E falënderimi I takon vetëm Allahut, Të Gjithëmëshirshmit dhe Përkujdesësit të mbarë njerëzimit.
Fusnotat:
1. Shih; Grup autorësh “Dirasat jikhijje ji kadaja tib-bijje muasireh “, vëll.l fq.10, Aman 2001, dhe Dr.Vehbet Ez-zuhejli “Elfikhul islamijj ve edil-letuhu”, vëll.7 fq.5204, Damask 2004.
2. Transmeton Muslimi në Librin e Selamit, Kapitulli: Për çdo sëmundje ekziston ilaçi – 4/1729
3. Suneni i Ebu Davudit – Libri mbi Mjekësinë – 2/216.
4. Shih: Fikhul islamijj ve edil-letuhu”, Dr.Vehbet Ez-zuhejli, (75263-5265), Damask 2004
5. “Fjalor fjalësh dhe shprehjesh të huaja”; Mikel Ndreca, fq;707. Prishtinë 1986
6 Shih: “El-fikhul islamijj ve edil-letuhu”, Dr.Vehbet Ez-zuhejli. (75260), Damask 2004, dhe seria e botimeve nga “Akademia Evropiane për Fetva dhe Studime” (2109) Shkup 2006. Pastaj: “Elmevsuatul jikhijje min en-nahijje ettib-bij-je ve sherijje vel kanunijje”, Dr.Seid Mufea. Vëll. 1 fq.833. Darul-Iman. Aleksandri.
7. Webfaqja: www.islamtoday.comelmuxhemmaatelfikhij-jemexhma elfikhulislamijj eshrihxhuthethulmevta.
DituriaIslame 223