Ballina Lajmet Kosovë Skender Hyseni: Në Kosovë, rezultatet e luftimit të ekstremizmit të dukshme

Skender Hyseni: Në Kosovë, rezultatet e luftimit të ekstremizmit të dukshme

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni duke folur për ekstremizmin fetar dhe radikalizmin ka thënë se ky nuk është problem ekskluzivisht i një vendi ose tjetri.

“Ekstremizmi i dhunshëm që shpesh herë përfundon me akte terroriste, radikalizimi i shoqërive të ndryshme nuk janë problem ekskluzivisht i një vendi por janë problem transnacionale dhe rrjedhimisht kërkojnë një koordinimi transnacional dhe bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar, nëse duam të jemi të suksesshëm në adresimin dhe luftimin e këtij fenomeni”.

Hyseni duke folur në Asamblenë Parlamentare të NATO-s Rose-Roth që po mbahet në Prishtinë ka përmendur edhe sulmin e 11 shtatorit në Kullat Binjake në New York.

Ministri Hyseni ka folur edhe për ekstremizmin e dhunshëm dhe praninë e tij në Kosovë duke thënë se Kosova ka arritur sukses në luftimin e këtij fenomeni, njofton Klan Kosova.

“Në Kosovë ka një vit që kemi aprovuar Strategjinë Kombëtare për parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit, kemi aprovuar edhe Ligjin për ndalimin e shkuarjes së kosovarë në luftëra të huaja”.

“Në 1 vit nuk kemi regjistruar asnjë rast të shkuarjes së qytetarëve në konflikte të jashtme. Në fund të muajit shtator, kemi gjashtë raste, dy kemi konfirmuar se kanë arritur të shkojnë përmes rrugëve të ndryshme”.

Ai ka thënë se ”Kosova ka demonstruar se pothuajse askush tjetër më shumë në Ballkanin Perëndimor gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe rezultatet janë evidente”.

Ai ka thënë se në Ministrinë e Punëve të Brendshme është duke u punuar në këtë aspekt në spektrin social e politik, duke përfshirë bashkësitë fetare, shkollat dhe shoqërinë civile.

“Përballja efikase me pasojat ka ndikim parandalues po synim është që të parandalojmë pasojat dhe të intervenojmë sa më herët që është e mundshme përmes fushatave të ndryshme në shkolla, xhami, kishë dhe këtë po e bëjmë çdo ditë”.

“Kosova dhe shqiptarët i shquan sensi për harmoni fetare dhe ne jemi të vendosur që këtë sekularizëm dhe këtë kulturë e harmoni e mirëkuptim fetar ta ruajmë me çdo kusht”.

Exit mobile version