Kosova është këndellur pas humbjes turpëruese ndaj Rumanisë.
“Dardanët” në ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve, shënuan fitore bindëse në udhëtim ndaj Qipros, me rezultat 4-0, shkruan IndeksOnline.
Djelmoshat e Franco Fodas treguan se e dëshirojnë fitoren që nga fillimi i ndeshjes, ku pas një penalltie të fituar nga Donat Rrudhani, Vedat Muriqi u tregua i saktë nga penalltia në minutën e 9-të.
Sulmuesi i Mallorcas në minutën e 21-të shënoi edhe golin e dytë me një gjuajtje të bukur me kokë, pas asistimit të Rrudhanit. Me rezultat 0-2 u mbyll edhe pjesa e parë.
Me të nisur pjesa e dytë, Albion Rrahmani e zëvendësoi Muriqin i cili kishte lodhje fizike, derisa vetëm pas tre minutave shënoi golin e tretë të ndeshjes, i pari me fanellën e Kosovës.
“Dardanët” nuk u ndalën me kaq, dhe në minutën e 55-të, mbrojtësi i Ballkanit, Lumbardh Dellova vulosi fitoren.
Nga dy ndeshjet e para në Ligën e Kombeve, Kosova ka grumbulluar tre pikë, aq sa ka edhe Rumania e Qipro, ku rumunët sonte përballen me Lituaninë, e cila ka 0 pikë.