Nëse do të kishim një listë të ëmbëlsirave më të njohura e të preferuara nga të gjithë, me siguri që keku do të ishte në majë të saj.
Mund të përgatisni kek thuajse me gjithçka, kombinimet e kësaj ëmbëlsire i janë përshtatur çdo shije dhe pikërisht kjo e bën shumë popullore.
Por nga të gjitha ato që mund të keni dëgjuar e provuar, AgroWeb.org ju tregon më të veçantën.
Mos u shqetësoni edhe nëse nuk i keni të gjithë përbërësit tradicional të kekut në shtëpi, pasi ky kek magjik kërkon shumë pak prej tyre.
Emërtimi magjik vjen sepse tek lista e përbërësve të tij nuk do të gjeni, as vezë as gjalpë e as qumësht.
Prandaj nisni menjëherë me përgatitjen e tij për ta shijuar sa më parë.
Përbërësit
200 gr miell
30 gr kakao pluhur
120 gr sheqer
40 ml vaj
200 ml ujë
5 ml uthull molle
1 lugë çaji pluhur pjekje
Përgatitja
Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që të ndizni furrën në temperaturën 180 gradë C dhe ta lini të ngrohet.
Në një enë të thellë hidhni miellin, pluhurin e kakaos, sheqerin, pak kripë, pluhurin e pjekjes vajin dhe uthullën e mollës.
Përzieni mirë dhe hidhni ujin e freskët pak nga pak, duke vazhduar përzierjen me duar ose me rrahës elektrik.
Bëjeni këtë derisa të shikoni që është formuar një masë brumi e hollë dhe pa kokrriza.
Më pas përgatisni një tavë pjekje rreth 20-22 cm të mbuluar me letër pjekje dhe në të hidhni me kujdes të gjithë brumin e kekut.
Tundeni me kujdes, në mënyrë që të dalin bulëzat e ajrit që mund të kenë mbetur brenda dhe futeni në furrë.
Lëreni të piqet në temperaturë 180 gradë për 17-20 minuta, derisa të shikoni që ka marrë ngjyrë të kafenjtë.
Pasi ta nxirrni nga furra, lëreni të ftohet 10 minuta më pas mund ta hiqni nga tava e ta prisni.
Sipas dëshirës sipër mund të shtoni sheqer pluhur, copëza çokollate të grirë apo pak çokokrem.