Ballina Kuzhinë Kek me të bardhat e vezëve dhe kafe

Kek me të bardhat e vezëve dhe kafe

Nëse jeni lodhur nga recetat e zakonshme të kekut, me qumësht, vezë e kos, ju themi menjëherë se ky është ndryshe.

Me aromë të veçantë kafeje dhe me lehtësinë e butësinë që dhuron shkuma e të bardhës së vezës, ky kek do ju rrëmbejë shumë shpejt të gjithë shqisat dhe zemrën.

Nëse preferoni shijet e balancuara, pa shumë sheqer apo sherbet, këtë recetë duhet ta provoni patjetër.

Ndiqni mëposhtë mënyrën e saktë të përgatitjes së tij dhe shijojeni në shtëpitë tuaja.

Përbërësit

  • 70 ml kafe
  • 250 ml të bardha vezësh
  • 170 gr sheqer
  • 120 gr vaj luledielli
  • 170 gr miell 00
  • 8 gr maja për ëmëblsira
  • Bajame

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e këtij keku si fillim përgatisni kafen dhe lëreni të ftohet në temperaturë ambienit.

Më pas në një enë shtoni të gjithë të bardhat e vezëve dhe përziejini me një rrahës elektrik.

Përziejini ato derisa të formohet shkuma e bardhë klasike e të bardhave të vezëve.

Në një tjetër enë shtoni sheqerin, vajin e lulediellit, kafen e ftohur dhe përziejini të gjitha bashkë derisa të formohet një masë e njëtrajtëshme.

Po këtu pak nga pak shtoni edhe miellin bashkë me majanë për ëmbëlsira duke përzier vazhdimisht në mënyrë që të formohet një masë brumi.

Tani shtoni tek brumi shkumën e të bardhave të vezëve që krijuar më parë.

Shtojeni pak nga pak dhe përzieni në mënyrë që brumi të lidhet e të jetë sa më homogjen dhe jo shumë I ujshëm.

Pasi ta keni përzier brumin mirë nga poshtë lart, hidheni në një tavë me vrimë në mes dhe diametër 24 cm të cilën është mirë që ta lyeni me pak vaj e miell përpara.

Në këtë mënyrë keku nuk do të ngjitet dhe do të dalë me lehtësi nga tava.

Pasi ta keni shtruar kekun të gjithin në tavë, sipër grijini disa copëza bajamesh dhe futeni të piqet.

Piqeni për 35 minuta në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë C.

Kur të keni marrë ngjyrë të artë të lehtë, nxirreni nga furra dhe spërkateni me pak sheqer pluhur për ta konsumuar menjëherë.

Exit mobile version