Ballina Kuzhinë Kek me Mollë dhe Portokalle

Kek me Mollë dhe Portokalle

Ndiqni recetën e shpjeguar hap pas hapi si më poshtë për të mos e humbur këtë ëmbëlsirë.

Përbërësit

  • 4 mollë mesatare
  • 1 portokall
  • 380 gr miell
  • 200 gr sheqer
  • 100 gr gjalp pa kripë
  • 90 gr kos
  • 4 vezë mesatare
  • 16 gr fryrës për ëmbëlsira
  • sheqer pluhur sipas dëshirës

Përgatitja

  • Për nisjen e kësaj recete ju këshillojm të filloni me shkrirjen e gjalpit në zjarr të lehtë e më pas lëreni mënjanë.
    Ndërkohë lani dhe pastroni mirë mollët duke i ndarë përgjysmë në mënyrë që t’i hiqni farat e pjesës së mesit.
    Pritini ato në katërsh e më pas filloni t’i prisni në copa të holla të vogla bashkë me lëkurën.
    Bëjeni këtë me tre prej mollëve dhe mollën e katërt lëreni për dekor në fund.
    Vendosini copëzat e mollëve në një enë të thellë duke i përzier me lëngun e portokallit të shtydhur.
    Duke i përzier, girni me një rende edhe pak nga lëkura e portokallit dhe lërini të pushojnë.
    Në një enë tjetër shtoni vezët dhe përziejini me anë të një rrahësi elektrik.
    Pak nga pak shtoni edhe sheqerin duke e përzier derisa të shkrijë i gjithi.
    Hidhni gjalpin e shkrirë dhe të ftohur bashkë me sasinë e kosit duke vazhduar me përzierjen.
    Kur të përfitoni një masë kompakte dhe të trashë bëni gati të hidhni miellin.
    Me anë të një site të vogël kuzhine shtoni miellin pak nga pak, bashkë me fryrësin për ëmbëlsira.
    Përziejeni miellin me kujdes derisa brumi të trashet plotësisht dhe më pas shtoni copat e mollëve me portokall që përgatitët më parë.
    Për Pjekjen
    Zgjidhni një tavë për pjekje ëmbëlsirash rreth 20 cm dhe lyjeni me pak gjalp ose shtrojeni me letër pjekje.
    Hidhni me kujdes brumin bashkë me copat e mollëve, duke e hapur nëpër të gjithë sipërfaqen me anë të një luge.
    Në këtë pikë merrni mollën që latë mënjanjë më parë dhe prijeni në feta të holla dhe të barabarta përsëgjati.
    Shtrijini këto feta sipër brumit të kekut tuaj njëra pas tjetrës në mënyrë që të formojnë një fizarmonikë.
    Shpërkateni sipër me pak sheqer sipas dëshirës dhe është gati për t’a futur në furrë.
    Piqeni në temperaturë 180 gradë për 50-60 minuta, pra rreth 1 orë duke e kontrolluar gjithnjë nëse keku është pjekur brenda.
    Nxirreni nga furra kur të ketë marrë pamje të artë dhe lëreni të ftohet pak.
    Më pas mund t’a prisni dhe t’a shërbeni sipas dëshirës duke e servirur dhe me pak sheqer pluhur sipër.
Exit mobile version