Ballina Lajmet Kosovë KEDS: Disa vende kanë mbetur pa rrymë, sepse ka konsum rekord

KEDS: Disa vende kanë mbetur pa rrymë, sepse ka konsum rekord

Zëdhënësi i KEDS-it Lulzim Krasniqi, ka dhënë përgjigje lidhur me raportimet se disa pjesë të Drenicës, janë pa rrymë për mbi më shumë 24 orë.

Ai për Klankosova.tv tha se disa vende të Kosovës kanë mbetur në këtë gjendje si pasojë e konsumit të lartë dhe rekord të energjisë elektrike, ndërsa theksoi se s’bëhet fjalë për reduktime ose ndalesa.

“Për shkak të konsumit të lartë dhe rekord, që së fundi po shkon deri në 1500 MW/h, po shkaktohen ngarkesa në asetet elektroenergjetike të KEDS-it në disa vende në Kosovë. Rrjedhimisht nuk bëhet fjalë për reduktime të energjisë elektrike ose ndalesa”, deklaroi Krasniqi.

“Lusim qytetarët tanë që të kursejnë energjinë elektrike sa më shumë që munden, në mënyrë që të mos rrezikohen këto astete. Kursimi i saj mundëson operim më tumirë të rrjetit dhe shërbim më efikas”, shtoi ai.

Ndërsa përmes një njoftimi zyrtarë është bërë e ditur se kërkesa për energji elektrike është në nivelet më të larta historike, duke arritur deri në 1500 megavatë në orë.

Tutje është bërë e ditur se shpenzimi i tillë nuk është shënuar asnjëherë më parë në historinë e furnizimit me energji elektrike.

Njoftimi i plotë:

Ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të ftohjes së motit. Të njëjtën kohë, mijëra bashkatdhetarë kanë ardhur për t’i kaluar festat e fundvitit në vendlindje. Kjo ka bërë që kërkesa për energji elektrike të rritet në nivelet më të larta historike, duke arritur deri në 1500 megavatë në orë. Shpenzimi i tillë nuk është shënuar asnjëherë më parë në historinë e furnizimit me energji elektrike.

Deri te kjo situatë ka ardhur pasi një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve janë duke u ngrohur me energji elektrike. Kjo ka bërë që disa pjesë të vendit të mbingarkohen tej mase, duke rrezikuar edhe djegien e aseteve të rrjetit distributiv.

Në të njëjtën kohë, pasi prodhimi vendor nuk po mjafton as përafërsisht që të mbulohet kjo kërkesë, po importohet një sasi e konsiderueshme e saj me çmime dukshëm më të larta se ato nga prodhimi vendor.

Ekipet tona janë në gatishmëri që të intervenojnë në paraqitjen e secilës situatë të papritur. Por, konsumatorët mund të ndihmojnë shumë në përballimin më të lehtë të kësaj situate.

Në këto rrethana, KEDS dhe KESCO apelojnë fuqishëm që të kursehet maskimalisht energjia elektrike, pasi kjo mundëson operim më të lehtë të sistemit, më efikas dhe më të sigurt. Po ashtu, edhe kostoja e energjisë elektrike ulet nëse varësia nga importi është më e vogël.

Një nga sugjerimet e rëndësishme për kursim është edhe përdorimi i formave alternative për ngrohje aty ku është e mundshme, në mënyrë që të ketë stabilitet të operimit në zonat ku furnizimi me energji elektrike është jetik në këtë mot të përkeqësuar dimëror.

KEDS dhe KESCO mbesin të përkushtuara që të bëjnë makismumin për të siguruar energji elektrike të bollshme për qytetarët e vendit dhe operim optimal të rrjetit të shpërndarjes.

Exit mobile version