Ballina Lajmet Rajon dhe Botë KE rekomandon fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën

KE rekomandon fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën

Komisioni Evropian (KE) ka rekomanduar fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën (BeH)​​​​​​​, raporton Anadolu.

Në deklaratën e saj në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit Evropian (PE), presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen tha se Komisioni rekomandon fillimin e negociatave të anëtarësimit me BeH-në.

Duke theksuar se në periudhën e fundit BE-ja ka shkuar në ndryshim në politikën e saj drejt Ballkanit Perëndimor, ajo tha: “Kuptuam se nuk është e mjaftueshme të presim që Ballkani Perëndimor të na afrohet. Nuk është e mjaftueshme të thoni se dera është e hapur. Ne duhet të marrim përgjegjësi dhe të mbështesim rrugën drejt BE-së në çdo mënyrë të mundshme”.

Më tej, ajo vlerësoi edhe progresin që ka bërë BeH duke theksuar se vendi ka ndërmarrë hapa efektive që kur i është dhënë statusi i kandidatit. Von der Leyen tha se BeH përderisa ka qenë në përputhje të plotë me politikën e jashtme të BE-së, ka zbatuar reforma në fusha të rëndësishme.

Sipas saj, për anëtarësim në BE nevojitet më shumë progres. “Megjithatë, vendi tregon se mund të përmbushë kriteret e anëtarësimit dhe qytetarët e tij duan të jenë pjesë e familjes sonë. Prandaj, ne vendosëm t’i rekomandojmë Këshillit të BE-së hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën”, u shpreh ajo.

Bosnjë e Hercegovina bëri kërkesën e saj për anëtarësim në BE më 15 shkurt 2016 ndërsa statusin e vendit kandidat e mori më 15 dhjetor 2022.

Exit mobile version