KE miraton mbi 138 milionë euro për Kosovën

Komisioni Evropian (KE) ka miratuar mbi 138 milionë euro si asistencë për Kosovën përmes programeve IPA 2019 dhe IPA 2020 dhe Marrëveshjet përkatëse të Financimit që janë nënshkruar nga të dyja palët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bën të ditur Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë nëpërmjet një komunikate, nga 138 milionë euro, 50 milionë janë ri-programuar për t’i trajtuar pasojat sociale dhe ekonomike të krizës së shkaktuar nga COVID-19 në afat të shkurtër dhe të mesëm.

“Do të përkrahen sektorët vijues: Demokracia dhe Qeverisja (Përafrimi me BE), Sundimi i Ligjit dhe të Drejtat Themelore, Mjedisi, Veprimi Klimatik dhe Energjia, Konkurrenca, Inovacioni, Bujqësia dhe Zhvillimi Rural, Arsimi, Punësimi dhe Politikat Sociale”, njofton komunikata e BE-së.

BE-ja tani është në pritje të ratifikimit të këtyre marrëveshjeve nga institucionet e Kosovës në mënyrë që ta nisë zbatimin.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, Tomas Szunyog mirëpriti nënshkrimin e Programeve Vjetore të Veprimit IPA 2019 pjesa II dhe 2020 për Kosovën.

“BE-ja ka punuar shumë për ta ri-programuar një pjesë të madhe të asistencës sonë për t’i përmbushur nevojat e njerëzve në Kosovë që janë prekur nga COVID-19. Përkrahja jonë do ta forcojë mbrojtjen sociale, do t’i përkrahë bizneset e vogla dhe do të ndihmojë në stabilizimin e financave publike. Unë u bëj thirrje institucioneve të Kosovës që tani t’i ratifikojnë këto programe sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Szunyog.

Përmes këtyre programeve, KE-ja do t’i përkrahë bizneset fillestare dhe mikro-bizneset, krijimin e vendeve të punës dhe punësimin e të rinjve dhe grave, cilësinë e arsimit të lartë, mbrojtjen sociale dhe nevojat themelore të familjeve në varfëri ose pa të ardhura, dhe trashëgiminë kulturore dhe turizmin kulturor.

Programi gjithashtu do ta përkrahë Kosovën në parandalimin e degradimit mjedisor të tokës dhe ajrit dhe ndikimin negativ në shëndetin e njeriut duke zvogëluar ndotjen me mbetje të ngurta dhe emetimet nga prodhimi i energjisë.