Ballina Lajmet Rajon dhe Botë KE kundër kthimit me forcë të migrantëve në Bosnjë dhe Hercegovinë

KE kundër kthimit me forcë të migrantëve në Bosnjë dhe Hercegovinë

Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim për pamjet e publikuara nga disa media evropiane ku shihen disa persona të uniformuar duke kthyer me dhunë migrantët nga Kroacia në Bosnje dhe Hercegovinë.

Këto pamje sipas raporteve të mediave dhe të organizatave joqeveritare, tregojnë se nga Kroacia në mënyrë të paligjshme kthehen me forcë migrantët në territorin e shtetit fqinj, ndonëse një gjë e tillë nuk është e lejuar sipas ligjeve të BE-së dhe ligjeve ndërkombëtare.

Në selinë e Komisionit Evropian kanë thënë se “janë jashtëzakonisht të shqetësuar për këto pamje dhe pohime” duke shtuar se “dhuna dhe përdorimi i forcës kundër migrantëve nuk është e pranueshme dhe duhet dënuar”.

Nga Komisioni Evropian kanë kërkuar nga Kroacia që “të hetoj këto raste dhe të ndërmarrë masa ndaj personave të përfshirë në këto vepra, nëse ato kanë ndodhur”.
Komisioni Evropian ka përsëritur disa herë se të gjitha shtetet anëtare kanë obligim që të ruajnë kufijt e jashtëm të BE-së, dhe kjo vlenë edhe për Kroacinë e cila ka kufirin tokësorë më të gjatë të jashtëm të BE-së. Por, kjo duhet të bëhet në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe të drejtat themelore të njeriut.

Dyshime të ngjajshme për kthimin me forcë të migrantëve, në kundërshtim me ligjet e BE-së, ka pasur edhe për Greqinë dhe Rumaninë. Në të gjitha rastet Komisioni bën thirrje për hetime duke pohuar se ato janë “kompetencë e vendeve anëtare”.

Ministri i Brendshëm i Kroacisë, Davor Bozhinoviq, ka thënë se Kroacia do të hetoj të gjitha këto dyshime dhe, nëse gjen dëshmi për shkeljen e ligjeve nga pjesëtarët e policisë së saj, do të marrë masa ndaj tyre, sipas ligjeve.

Bosnje e Hercegovina është bërë një vend ku tashmë me mijëra migrant nga vendet e ndryshme të botës janë stacionuar duke pritur momentin për të kaluar në BE.

Kroacia, një vend i ri anëtar i BE-së, ka për detyrë të parandaloj hyrjet ilegale në territorin e Bashkimit Evropian dhe ky është edhe kusht për tu bërë pjesë e zonës Schengen. Për këtë, Kroacia merr edhe ndihma financiare nga Bashkimi Evropian. Por, në selinë e Komisionit Evropian bëjnë thirrje që veprimet në zonën kufitare të jenë në përputhje me ligjet në fuqi, si ato të BE-së ashtu edhe të konventave ndërkombëtare. /rel

Exit mobile version