Komisioni Evropian e ka bërë hapin kyç për të mundësuar pagesat e para për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Plani i Rritjes dhe reformave, duke miratuar në takimin e 23 tetorit agjendat e reformave për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.
Komisioni Evropian tha se e mori këtë vendim pasi shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë dhënë pëlqimin e tyre për këto agjenda.
Bosnjë e Hercegovina ka mbetur vendi i vetëm për të cilin agjenda e reformave nuk është miratuar ende. Ky shtet ishte i vetmi që nuk dorëzoi me kohë agjendën e reformave.
“Në planet e tyre ambicioze të reformave, pesë qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor shprehin përkushtimin për reformat fondamentale dhe socio-ekonomike të cilat do t’i ndërmarrin për të siguruar rritje dhe konvergjencë me BE-në në kuadër të Planit të Rritjes, gjatë periudhës prej vitit 2024 deri më 2017”, u tha në njoftimin e BE-së.
Plani i Rritjes është në vlerë të përgjithshme prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat, 2 miliardë do të jenë para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në formë të kredive të favorshme.
Krahasuar për kokë banori, Kosova do të jetë përfituesja më e madhe nga kjo paketë, pasi shteti do të përfitojë më shumë se 820 milionë euro.
Miratimi i agjendave të reformave është përshëndetur edhe nga presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen.
“Jam e impresionuar me punën që kanë bërë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor në agjendat e tyre të reformave. Kjo dëshmon se ata janë të përkushtuar që të ketë sukses Plani i Rritjes. Ky është një udhërrëfyes i ynë për të afruar pranë nesh ekonomitë e Ballkanit Perëndimorë dhe për t’u mundësuar ndërmarrjeve të tyre qasjen dhe mjetet për të konkurruar në tregun tonë unik. Secili përfiton dhe është një hap i madh drejt BE-së”, deklaroi von der Leyen.
Agjendat e reformave përqendrohen në fushat me prioritet si sundimi i ligjit, të drejtat themelore, qeverisja, tranzicioni digjital dhe i gjelbër, kapitali njerëzor dhe zhvillimi i një mjedisi biznesor.
Vendimin për aprovimin e agjendës së reformave, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e quajti një hap më pranë Bashkimit Evropian.
Ai tha se është hapur rruga drejt mundësimit të pagesave të para “prej të cilave në total Kosova do të përfitojë deri në 882 milionë euro”.
“Me Planin e Rritjes, Kosova një hap më pranë Bashkimit Evropian. Sot u aprovua agjenda e reformave të Kosovës nga Komisioni Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes. Një agjendë e targetuar drejt avancimit përmbajtësor dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian. Me aprovimin e agjendës së reformave, hapet rruga drejt mundësimit të pagesave të para, prej të cilave në total Kosova do të përfitojë deri në 882 milionë euro”, ka shkruar Bislimi në Facebook.