Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka prezantuar sot rezultatet e shërbimit për këshilla ligjore pa pagesë për raportuesit dhe viktimat e korrupsionit përmes një konference për media në kuadër të shënimit të Javës Kundër Korrupsion.
Përfaqësues të KDI-së, kanë njoftuar se në Qendrën për këshilla ligjore pa pagesë, janë raportuar gjithsej 75 raste me më shumë se 200 qytetarë të cilët kanë kërkuar ndihmë ligjore nga këshilltari ligjor, ndihmë kjo e cila jepet falas për të gjithë dëshmitarët apo viktimat e korrupsionit.
Rastet për të cilat kryesisht kanë raportuar qytetarët gjatë vitit 2016 janë: rastet e konkurseve publike nëpër institucione të vendit, rasti i specialistëve që mbetën të pa punë dhe ju shkel e drejta për qasje të barabartë në punë si dhe rastet e vonesave nga gjykatat në shqyrtimin e lëndëve të palëve.
Me këtë rast, Florent Spahija nga KDI, ka shpjeguar se veprimet e ndërmarra nga KDI në kuadër të kompetencave të kësaj zyre, kanë rezultuar në ndryshimin e buxhetit për specialistët mjekësorë të pa punë, ku sot të njëjtit janë në punë të përkohshme me mundësi që të vazhdojnë punën nëpër spitalet e Kosovës.
“Në anën tjetër është prodhuar një raport ku janë paraqitur rastet konkrete të vonesave të lëndëve nëpër gjykata, duke bërë presion publik që gjykata të përfundojë këto lëndë sa më shpejtë. Ftojmë qytetarët që të bëhen pjesë e përpjekjeve tona për të luftuar korrupsionin, duke denoncuar rastet në çdo kohë në numrin pa pagesë 0800 77 777 apo në e-mailin [email protected]”, ka shtuar Spahija.
Kurse Majlinda Kurti nga KDI, ka potencuar se KDI vazhdimisht ka ofruar rekomandime përmes hulumtimeve në fushën e transparencës, anti-korrupsionit dhe prokurimit publik. Ajo ka thënë se po të merreshin parasysh rekomandimet e ofruara, do të kishim rezultate substanciale në luftimin e korrupsionit dhe si rezultat raporte më të mira ndërkombëtare.
“Fjalia ‘Zero tolerancë ndaj korrupsionit’ edhe këtë vit mbeti vetëm premtim dhe jo zbatim nga qeveritarët tanë. Të njëjtin mendim kanë dhënë edhe qytetarët e anketuar për Barometrin Global të Korrupsionit (GCB) ku kanë raportuar që mendojnë se 46% e qeveritarëve janë të korruptuar. Ky opinion publik me këtë raport vetëm është përkthyer në përqindje, sepse nuk ishte ndonjë e papritur, pas gjithë përjetimeve që kishim si qytetarë gjatë këtij viti. Në fillim rastin “Stentat” e duke vazhduar me aferat korruptive në rastin “Pronto” e shumë të tjera mes tyre”, ka thënë Kurti.
“Sigurisht që këto dy dalje publike të rasteve të korrupsionit ndikojnë në mosbesim qytetar ndaj institucioneve shtetërore, ngase bëjnë fjalë për shëndetin dhe punësimin që janë ndër faktorët kyç në lumturinë e secilit. Prandaj kanë kuptim rezultatet e GCB-së të cilat thonë se 65% e qytetarëve mendojnë se korrupsioni është njëri ndër tri problemet më të mëdha në vend”, ka shtuar ndër të tjera ajo.
Pas kësaj konference, KDI për qytetarët ka shpërndarë shalle të cilat ishin punim dore, me moton “Raporto korrupsionin: thirr 0800 77 777” , si simbolikë e produkteve pa korrupsion.