Ballina Autorë Opinione Kauza e korrupsionit dhe “t’huajt”

Kauza e korrupsionit dhe “t’huajt”

Ismail Sinani

 

Prej disa vitesh e dekadash, korrupsioni është bërë kryefjalë e politikës në vendet tona. Ndonëse deklarativisht ai vazhdimisht luftohet, shihet qartë se në këto tri dekada, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, janë krijuar oligarkë, të cilët dita-ditës e vrasin shpresën për një jetë më të mirë.

Shkruan: Ismail SINANI

A mund ta definojmë se pse jemi prishur kaq shumë si shoqëri që lejojmë një dukuri të këtillë në mesin tonë? Përse vazhdimisht na paraqiten afera korruptive dhe nuk ndërmerret asgjë për ta përmirësuar gjendjen? Si është e mundur që vetë pushteti, sikurse së fundmi në Maqedoni të Veriut, në emër të Bashkimit Europian, të miratojë ligj me të cilin ulen dënimet për ata që kanë kryer dhe do të kryejnë vepra korruptive në të ardhmen?

Pyetjet janë të shumta, kurse përgjigjet të pakta.

“Grupimet e organizuara – në të shumtën e rasteve të pasura dhe të pushtetshme – me kalimin e kohës bëhen luftarake dhe nisin të kërkojnë privilegje nga shteti. Këto grupime luftarake trashëgimore e zgjerojnë ndikimin e tyre, madje e pengojnë shtetin t’u japë përgjigjen e merituar, sidomos atëherë kur pas një periudhe të gjatë paqeje dhe qëndrueshmërie, fillon një krizë financiare dhe/ose ushtarake”, thotë Francis Fukuyama në librin e tij “Fillesat e rendit politik”.

Kur e lexojmë këtë porosi të këtij predikuesi të fuqishëm të zhvillimeve gjeopolitike, detyrimisht e parashtrojmë pyetjen se kush janë ndër ne këto “grupime të organizuara”?

Si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, këto “grupime të organizuara”, janë shumë lehtë të identifikueshme. Mirëpo, problemi qëndron te fakti se ndonëse qytetari i rëndomtë në këto tri vende tashmë e ka të qartë diagnozën e sëmundjes, po e ka shumë të vështirë trajtimin e saj. Duke zgjatur me vite kjo agoni, hiq Kosovën në këto dy-tre vitet e fundit, këta të tjerët, të paktën deri më tani, sikur e kanë humbur ndjesinë për të shpëtuar nga kjo sëmundje. Dhe, në njëfarë mënyrë sikurse kanë arritur në stadin kur edhe mund të bashkëjetojnë me të, pa çka se pikërisht kjo diagnozë është bërë shkaktare për zbrazjen e shteteve nga brezat e rinj, por edhe për erozionin e sistemit nga brenda.

Pas viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar, atëherë kur (menduam se) erdhi demokracia, disi së tepërmi krijuam besim dhe një narracion se çdo e mirë që mund t’u vijë këtyre vendeve shkon përmes të të ashtuquajturve “ndërkombëtarë” e që në përkthim i bie diplomatë dhe politikanë me proviniencë perëndimore. Kështu, pa ndonjë vetëdije, fatin tonë e lamë në duar të të tjerëve, sikur ata janë mesihët e vërtetë dhe të vetëm që mund të na nxjerrin në dritë. Ky kompleks i krijuar shoqëror e i materializuar mirë nga oligarkët e politikës, sot i ka sjellë vendet tona, dikur me aspirata të mëdha, në bishtin e listave të rangimit të shkallës së korrupsionit në nivel global.

Gjatë ndërtimit të demokracisë në vendet tona sikur harruam se diplomatëve dhe “fuqive” më shumë u përshtaten të heshturit sesa ata që kanë “unin e tyre”. Harruam se diplomatët zhvillimet në vendet tona e rajon i shikojnë nga “prizmi i zogut”, kurse poshtë jemi ne ata që i përjetojmë dhimbjet. Duke qenë qasja e këtillë, për tri dekada të plota nuk arritëm dhe, me gjasë, edhe disa vite nuk do të arrijmë ta kuptojmë se, “edhe ndërkombëtarët janë njerëz që gabojnë e ndoshta edhe korruptohen”. E, madje, disa prej tyre ndoshta nuk shitet për pak, ama për shumë gjithsesi se po.

“Pa plotësuar përgjegjësitë vetjake, nuk jetohet sipas normave të Zotit. Përkundrazi, mendimi modern pohon se një shoqëri e harmonishme mund të ndërtohet njëherazi, duke i imponuar asaj një sistem. Kur të gjithë i përputhen sistemit të imponuar – të shpikur nga ideologët e të imponuar nga burokratët – shoqëria do të jetë e harmonishme. Me fjalë të tjera, shoqëria tradicionale thotë: ‘Fillo me veten!’; mendimi modern thotë: ‘Reformo te tjerët!’”, thotë William C. Chittick në librin e tij “Shkencë e kozmosit, shkencë e shpirtit”.

Kjo shoqëri do të mund të shpëtojë vetëm atëherë kur “do t’i plotësojë përgjegjësitë vetjake”. Ne nuk mund dhe nuk duhet të vazhdojmë të bijmë në grackën e “reformimit të tjerëve” apo nga “të tjerët” në emër të krijimit të shoqërisë moderne nga ata që duan të krijojnë “njerëz të reformuar” përmes një butoni politik. Secili duhet të fillojë nga vetja.

Nëse nuk e ndërmarrim këtë hap, çdo pretendim për ndryshim, do të ngelet vetëm në anale të historisë si kujtim i ndonjë çasti politik.

Këto grupime luftarake trashëgimore biznesore e korruptive, siç thotë Fukuyama, janë të gatshëm ta pengojnë shtetin t’u japë përgjigjen e merituar, sidomos tani kur ka filluar një krizë financiare për ta. Kosova, të paktën për momentin, e ka nisur një luftë kundër këtyre “të privilegjuarve”, radhën e kanë Shqipëria dhe, sidomos, Maqedonia e Veriut. Të shohim se si do të rrjedhin punët…

(Editoriali i Revistës SHENJA)

Exit mobile version