Kauza dhe tradhtia

Politika bazohet mbi racionalen dhe të mendueshmen kurse raportet njerëzore mbi ndjeshmërinë dhe empatinë reciproke. Si shoqëri duhet përpjekur parreshtur që të mbajmë gjallë empatinë si mundësi për ta shpëtuar dashurinë dhe njerëzoren, kurse kritikën dhe arsyen si instrumente për ta emancipuar politikën dhe politikbërjen varësisht paradigmës politike

Nga Latif MUSTAFA

Ditët që kaluam ishin dramatike për shtetin dhe shoqërinë. E si mos të jenë dramatike për një shoqëri e cila e ka të lidhur fatin e vet me buxhetin e shtetit resursi i “vetëm”i mbijetesës. Nëse do të ishim një shtet dhe shoqëri ku shteti nuk do të ishte punëdhënësi më i madh, por sektori privat do të ishte determinuesi i mirëqenies ekonomike dhe sociale, kritika dhe vetëdija qytetare, për më tepër, fatin e tij qytetari do ta lidhte me shkathtësitë e tija intelektuale dhe teknike dhe jo me servilizmin, mllefin dhe besimin e verbër në raport me mbijetesën e tij. Kështu ndodh edhe tek ne.Njerëzia dalëngadalë përmes entropisë dhe regresit po i ofrohet nivelit të gjendjes natyrore ku njeriu për njeriun po bëhet ujk, sipas thënies së Hobsit homo hominis lupus est në kuptimin që shoqëria në fillimet e saja ishte në gjendje natyrore lufte dhe gjithandej mbretëronte kaosi.

Një imazh të tillë përplasjeje e krijuan mediet sociale paçka se në rrjete, grupet të cilat bëjnë zhurmë janë zakonisht militantët partiak, ata të cilët interesin e tyre e kanë ngushtë të lidhur me partinë, gjegjësisht, ata të cilët militantizmin ideor e ndërlidhin me interesat ditore partiake. Pa harruar që kemi një grup militantësh ideor, të rrallë në vetvete, por që kanë një maturi dhe vetëdije të lartë politike dhe veç se në momente kruciale bëjnë avokimin e çështjeve të caktuara të politikave të mëdha dhe afatgjate. Përtej kësaj, bazuar në vetë nocionin zhurmë, pra ata nuk janë zëra të sinkronizuar racional të cilët manifestojnë një etikë të lartë komunikimi dhe diskutimi por betejat e tyre, “kritikat” e tyre janë sëmbime, hakërrime të ngufatura në një sipërfaqe muri dhe shfryrje dufi e mllefi personal të akumuluar nga fenomente të ndryshme sociale.

Akumulime të tilla shfrenuese dhe skizofrenike zakonisht shpërfaqen tek individë të cilët fshihen prapa një nocioni autodisfatist të keqkuptuar dhe keqinterpretuar siç është termi kauzë e që në gjuhën shqipe e njohim me sinonimin çështje. Nocioni apo shënjimi politik për lëvizjet e mëdha politike është kauzë që në vete ngërthen njëfarë lloj autoriteti moral që nënkupton se ajo ka gjithë legjitimitetin e një “elite” politike që avokon për këtë kauzë. Gjithkush dhe gjithçka jashtë kauze është e shitur dhe tradhti. Normalisht, që e gjithë kjo histeri ka një pasplan të ndërtimit dhe akumulimit historik, gjegjësisht, historiografisë enveriste e cila e projektonte dhe kishte krijuar një leksik të ri politik bazuar në narracionin historik brenda binomit tradhtar-patriot. Të gjithë disidentët dhe kritikët e regjimit ishin të shitur dhe tradhtarë ngaqë ata ishin edhe kundër interesave të popullit. Figurat historike nga të cilët frymëzoheshin këto disidentë dhe kritikë njashtu ishin të shënjuar si tradhtarë, kolabracionistë dhe të shitur tek “armiku i huaj”. Kjo lloj terminologjie politike preku edhe shqiptarët jashtë Shqipërisë, në Kosovë dhe Maqedoni, qoftë përmes librave të historisë qoftë përmes kinematografisë së Shqipërisë enveriste ku gjithçka kundër partisë, ishte edhe kundër popullit. Kundërshtarët e popullit ishin të shitur dhe armiqtë të saj. Ata meritonin çdo lloj persekutimi, linçimi dhe internimi.
Gjuha prodhon realitet. Gjuha shpërfaq mendësi. Gjuha definon kufijtë e mendimit. Ajo shpërfaq edhe traumat, botën fiktive dhe të pavetëdijshme. Gjuha të tradhton. Analizat krejt sipërfaqësore të diskursit politik që eksponentëve të rëndësishëm politik shpjegon ndërtimin e tyre politik. Mendësia dhe pasplani ideologjik i ndërtimit politik të partive të tranzicionit trashëgoi shumë nga mendësia monocentriste e sistemeve socialiste. Nga kjo trashëguan edhe lëvizjet fetare të cilat sot veprojnë në trojet tona, me ç’rast ngrehina e tyre ideologjike edhe pse ndërtohet nga parimet e selektuara të kodeksit fetar, diskursi politik i tyre përkon me diskursin e socializmit arab i cili ishte një produkt dhe miksim i vulgarizimit stalinist dhe nacionalizmit arab. Nocionet si kauza, tradhtia, armiqtë e popullit, të shiturit dhe të ngjashme janë tipike diskurse dhe narrative të sistemeve autoritare dhe diktatoriale dhe që është vështirë për të vendosur demarkacionin shpjegues se çfarë është disidencë, çfarë është mendim ndryshe dhe çfarë është një qëndrim i mirëfilltë politik e partiak.

Militantëve të interesave ditore të cilët burim të vetëm financiar e kanë partinë mbase u falet sepse frika është më e fortë se çdo mendim racional dhe në momente frike njeriu habitet edhe nga vetja e lëre më nga të tjerët. Yryshi dhe turrja e tyre për të “kryqëzuar” gjithkënd që mendon ndryshe shpërfaq një lloj hipokrizie të lartë e cila nuk është gjë tjetër veçse akumulim i traumave sociale që ushqehen e mbarështrohen si diskurs opozitar e që në fakt janë veç shkarje me nuanca psikotike. Kurse eksponentët politik, kur ata, në vend të termit “interes publik” përdorin termin “kauzë”, në vend të frazës “rrugëtim tjetër politik” e përdorin përcaktorin pezhorativ “i shitur” në vend të frazës “shpërdorim të interesit qytetar” e përdorin nocionin “tradhtar”, kjo nënkupton se prapavija dhe ngrehina mendimore e këtyre eksponentëve, që për fat të keq janë shumë, akoma jeton dhe ushqehet me terminologjinë e shekullit XIX dhe XX, epokën e përplasjeve të mëdha ideologjike dhe politike. Për më tepër termin tradhti e komentojnë nga prizmi shtypës me vokacion dhe mendësi seksiste me çrast politikës i japin ngjyrim gruaje dhe e identifikojnë me seksin dhe marrëdhëniet ndër gjinore, ku tradhtia ndërlidhet me gjininë femërore dhe kurvërinë dhe si e tillë politika mbetet një “kurvë” dhe ato që “tradhtojnë” janë “kurva” politike. Brenda kësaj nënvetëdijeje ideologjike enveriste, fshihet edhe një lloj perversiteti seksist.

Më e rënda nga këto është persekutimi moral që i bëhet tjetrit në saje të një superioriteti të vetëshpallur moral të subjektit politik. Moralizimi, gjegjësisht, kritika për mungesë morali është nga kritikat më të rrepta dhe me pasoja të rënda shoqërore duke marrë parasysh faktin se jetojmë në shoqëri të ngushtë dhe njerëzit njihen me njëri tjetrin. Ky lloj persekutimi rrezikon t’i dekonstruktoj raportet tona shoqërore duke i shpier ato drejt një situate fiktive politike me çrast raportet farefisnore, shpirtërore dhe vëllazërore marrin kuptin dhe bëhen të njëmendta veç nëse janë brenda kornizës së sentimentit të çmendur politik. Në anën tjetër, partia politike, asnjëherë nuk mban kriterin e vërtetësie së gjërave dhe ajo vepron mbi interesat e përkohshme të grupeve të interesit dhe rrallë përfaqësojnë ndonjë interes të përgjithshëm publik.

Rrjedhimisht, kauza apo çështja asnjëherë nuk është partiake, por është fenomen i lëvizjeve shoqërore. Lëvizje kjo, qoftë edhe e ndërtuar përmes leksikut dhe aparatit përkatës ideologjik, ajo nuk mund të jetë partiake e cila kërkon votën qytetare për përfaqësim dhe delegim të pushtetit nga populli tek përfaqësuesi. Partia është grupim e cila synon përmes programit dhe apelit politik të kërkojë shtrirjen sa më të madhe të përfaqësimit të interesave publike brenda parlamentit dhe në qeverisjen e ardhshme qoftë lokale, qoftë qendrore. Kauza apo çështja ka të bëjë me lëvizjet historike të cilat, bazuar nga vetë nocioni çështje kanë të bëjnë me qenësinë dhe vazhdimësinë historike të një subjektiviteti i cili e vullneton shpërfaqjen në histori dhe vendos për veten. Çështja është rrugëtim i gjatë dhe idealistik. Në të kundërtën, brenda sistemeve demokratike ku ne operojmë me të vërteta të përkohshme, interesi publik është nocioni i duhur demokratik dhe i artikuluar racionalisht larg çdo emocioni, e cila për bazë e ka interesin e përgjithshëm publik si interes i universalizuar individual përbri raporteve me qytetin dhe shtetin. Politika bazohet mbi racionalen dhe të mendueshmen kurse raportet njerëzore mbi ndjeshmërinë dhe empatinë reciproke. Si shoqëri duhet përpjekur parreshtur që të mbajmë gjallë empatinë si mundësi për ta shpëtuar dashurinë dhe njerëzoren, kurse kritikën dhe arsyen si instrumente për ta emancipuar politikën dhe politikbërjen varësisht paradigmës politike. /koha.mk

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *