Katërmbëdhjetë viktima nga COVID-19 dhe sërish mbi 1 mijë të infektuar në Shqipëri

Katërmbëdhjetë pacientë të tjerë të sëmurë me COVID-19 humbën jetën gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 1,059 persona rezultuan gjithashtu të infektuar.

Ministria e Shëndetësisë raportoi të premten se viktimat ishin të moshave 40-82 vjeç nga Tirana (5 pacientë), Durrësi (2 pacientë), Elbasani (2 pacientë), Mati (2 pacientë), Kavaja (1 pacient), Korça (1 pacient) dhe Kruja (1 pacient).

Aktualisht në katër spitalet e COVID-19 rezultojnë të shtruar 502 pacientë, 33 prej të cilëve në terapi intensive – 19 të intubuar.

Nga rreth 4 mijë testime të kryera gjatë 24 orëve të fundit, autoritetet thanë se 1,059 persona rezultuan pozitivë (pozitiviteti 26.5%).

Ministria tha se po gjatë kësaj kohe 881 persona u deklaruan të shëruar nga COVID-19.

Prej nisjes së pandemisë autoritetet kanë kryer mbi 406 mijë teste, prej së cilave janë diagnostikuar 90,835 raste (pozitiviteti i përgjithshëm 22.3%).

Nga rastet e diagnostikuara 60.8% janë mundur të shërohen (55 mijë raste), 37.4% mbeten me mbartje të virusit (34 mijë raste), ndërsa 1.6% nuk ia kanë dalë mbanë (1,531 raste).