Katër shtete vendosin në “listën e terroristëve” dijetarin Kardavi

Përmes një deklarate të përbashkët, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahreini dhe Egjipti, kanë futur në “listën e terrorizmit” 59 njerëz dhe 12 organizata bamirëse që mbështeten nga Katari, duke i akuzuar ato për “lidhje me terrorizmin”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e publikuar në agjencinë zyrtare të lajmeve të Arabisë Saudite (SPA) thuhet se në “listën terroriste” janë shtuar 59 emra të rinj nga nëntë shtete, duke përfshirë edhe dijetarin egjiptian Jusuf al-Kardavi, kryetar i Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë. Përveç këtyre, si “terroristë” janë shpallur edhe 12 organizata bamirëse.

Katër shtetet përmes deklaratës kanë pohuar se Doha zyrtare nuk ka zatuar përgjegjësitë e saj në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, shuarjen e burimeve financiare të terrorizmit dhe pastrimin e shoqërisë nga ideologjitë ekstremiste duke i luftuar ato.

Në deklaratën e përbashkët gjithashtu është theksuar se Katari, pavarësisht paralajmërimeve të shumta, ka injoruar marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2014, të cilat janë nënshkruar në Rijad, në lidhje me luftën kundër terrorizmit.

Katër shtetet po ashtu e kanë akuzuar Dohan zyrtare se moszbatimi i marrëveshjeve ka bërë që anëtarë të organizatave terroriste të realizojnë vepra që kanë shkaktuar kaos në këto vende.

Siç theksohet në deklaratë, lista në fjalë mund të përditësohet me emra të rinj njerëzish dhe organizatash në ditët në vijim.

Në mesin e organizatave të mbështetura nga Katari, të cilat janë vendosur në “listën terroriste”, gjashtë prej tyre janë nga Bahreini, pesë nga Katari dhe një nga Libia. Ndërkaq, përveç dijetarit islam Jusuf al-Kardavi, në mesin e 59 personave të përfshirë në listë ndodhet dhe ish-ministri i Brendshëm i Katarit Abdullah bin Halid Al-Thani.

Nga 59 personat, në listë gjenden edhe 26 emra nga Egjipti, 18 nga Katari, pesë nga Libia, tre nga Kuvajti, nga dy emra nga Jordania dhe Bahreini dhe nga një nga Arabia Saudite, Jemeni dhe EBA-të.

Të hënën, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahreini, Egjipti dhe Jemeni njoftuan për ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve diplomatike me Katarin duke e akuzuar atë për “mbështetje të terrorizmit”.

Bllokadës diplomatike kundër Katarit iu bashkangjitën edhe Ishujt Maldive, qeveria libiane e Tebrukut, e cila mbështet gjeneralin puçist Halife Hafter që nuk gëzon legjitimitet ndërkombëtar, Mauritania dhe Ishujt Komore.

Ndërkaq, teksa Kuvajti dhe Omani kanë parapëlqyer vazhdimin e marrëdhënieve me Katarin, Jordania dhe Xhibuti kanë ulur nivelin e përfaqësimit diplomatik.

E gjendur nën bllokadë diplomatike, Katari ka mohuar të gjitha akuzat e drejtuara, duke thënë se është viktimë e një fushate shpifjesh që synojnë të dëmtojnë shtetin.

Suspendohet anëtarësia e Kardavit në Këshillin Islam të Fikhut

Liga Botërore Islame (Rabita) ka njoftuar se dijetarit Jusuf el-Kardavi, kryetar i Unionit Botëror të Dijetarëve Islam, i është suspenduar anëtarësia në Këshillin Islam të Fikhut (Jurisprudencës Islame), pasi paraprakisht Arabia Saudite dhe tre shtete të tjera e përfshinë atë në listën terroriste.

“Për arsye se Arabia Saudite dhe miqtë e vendosën Kardavin në listën terroriste, anëtarësia e tij në Këshillin Islam të Fikhut ka marrë fund”, thuhet në njoftimin me shkirm nga Rabita.

Në njoftim po ashtu është potencuar se Rabita mbështet klasifikimin e listës terroriste të publikuar nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahreini dhe Egjipti.

Këshilli Islam i Fikhut është themeluar në vitin 1977 me vendim të kuvendit themelues të Ligës Botërore Islame.