Tre persona kanë vdekur e pesë të tjerë janë lënduar si pasojë e aksidentit që ndodhi mbrëmjen e së dielës në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, saktësisht në segmentin rrugor në fshatin Çubrel të Skenderajt.
Katër prej pesë të lënduarve janë zyrtarë policorë, pasi që në aksident është përfshirë vetura zyrtare e Policisë së Kosovës.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, derisa hetuesit rajonalë të trafikut rrugor po merren me rastin.
“Sonte rreth orës 18:40, është raportuar për aksident trafiku me pasoja fatale, i cili ka ndodhur në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, segmenti rrugor në fshatin Çubrel të Skenderajt. Në këtë aksident janë përfshira dy vetura, njëra prej tyre veturë zyrtare e policisë. Si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e siguruara kanë humbur jetën tre persona civil, përderisa lëndime kanë pësuar edhe pesë persona tjerë, katër prej tyre zyrtarë policor. Njësitë policore dhe stafi menaxhues kanë dalur në vendin e ngjarjes, ndërsa për hetimet dhe shkaqet e aksidentit po merren hetuesit e njësitit rajonal të trafikut rrugor”, thuhet në njoftimin policor./